E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushimet e dimrit, në plazh

Jo të gjithë shqiptarët e kanë ndjerë krizën ekonomike. Ndërsa familje të tëra do të mundohen të festojnë modestisht natën e ndërrimit të viteve, të tjerë do të jenë me pushime në plazh.

Mbrëmje luksoze, darka madhështore, jo vetëm në vendet me borë, ku ofrohen ski e gjithçka tjetër që sjell dimri i ftohtë, por edhe në plazhe. Një pjesë e shqiptarëve do ta kalojë Vitin e Ri duke bërë plazh, ashtu siç një pjesë prej nesh ka parë në televizione. Ishujt Filipine, Dubai, Sharm el Sheik por edhe vende të tjera, të kushtueshme. Vjenë, Pragë, Moskë, Kroaci, Mal i Zi, Francë, Itali, Brazil.

Ofertat

Me internet, me mesazhe telefonike, me fletëpalosje apo edhe me klientelë. Kështu janë shpërndarë ofertat e shumta të këtij fundviti me rastin e Krishtlindjeve apo edhe Vitit të Ri. Katër ditë, një fundjavë, por edhe një javë rresht. Destinacionet kanë qenë të ndryshme. Agjencitë turistike kanë bërë ulje në rast se të interesuarit kanë qenë të shumtë, në grup apo në familje. Kryesisht të interesuarit për oferta të tilla luksoze kanë qenë familje në gjendje të mirë ekonomike, çifte në muajin e mjaltit, sigurisht të pasur, ose të ndodhur mbi nivelin mesatar për sa i takon të ardhurave. Avionët janë mbushur plot për Krishtlindje, pritet të ndodhë e njëjta situatë edhe për Vitin e Ri. Festat e nëntorit, Viti i Ri por edhe Shën Valentini jashtë vendit është kthyer tashmë në traditë për një pjesë të shqiptarëve që të udhëtojnë jashtë vendit. Çifte, grupe shoqërore por edhe familjarë kanë menduar që për festa të mos qëndrojnë në kryeqytet, atje ku kryejnë çdo ditë aktivitetet, punën, ku kalojnë fundjavën apo festojnë çdo event tjetër. Viti i ri në plazh, teksa me rroba banje apo me një veshje tepër të hollë thuhet "Gëzuar Vitin e Ri", do të jetë një kujtim i veçantë, në bllokun e secilit që ka bërë këtë zgjedhje.

Çmimet

Çmimet për këto oferta kanë nisur nga 600 euro deri në 1 mijë, 2 mijë apo 3 mijë euro çifti, kjo në varësi të akomodimit, yjeve të hotelit apo guidave turistike. Tepër të kripura kanë qenë çmimet e Vitit të Ri në plazh. Por agjencitë turistike nuk raportojnë krizë "udhëtimesh". Nuk raportojnë se shqiptarët nuk paguajnë para, nuk i kushtojnë rëndësi festave duke shpenzuar shifra marramendëse para dëfrimit dhe argëtimit. Ndërsa për një pjesë të mirë të shqiptarëve, Viti i Ri do të thotë që të shtrosh një tryezë "bujare" me ngjyra, me të gjitha asortimentet, pranë të afërmve. Në një kohë krize, Viti i Ri për shumicën e shqiptarëve do të thotë dhurata për fëmijët, për të dashurit, vizita e maksimumi një shëtitje në qendër të Tiranës për të parë fishekzjarrët. Prenotime në klube të natës, udhëtime në veri apo jug të Shqipërisë dhe disa ditë pushimi për të mbledhur kockat.

Me çmimet që mund të kryejnë udhëtimet në plazh, shumica e shqiptarëve do t‘i duhej të kalonin muajin, gjashtëmujorin e mbase edhe për të paguar disa nga shpenzimet për një vit të tërë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›