E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pjesë e qeverisë së re në të njëjtat pozita si tani”

07/07/2009  Kryesia e PR-së

Lidershipi i Partisë Republikane do të kërkojë të jetë pjesë e qeverisë së re. Në mbledhjen e pasdites së djeshme të kryesisë së PR-së është theksuar se gjatë negociatave që do të kryhen për përbërjen e qeverisë së re do të kërkohet që kjo forcë politike të ruajë të njëjtat pozicione në ekzekutiv. Gjithashtu lidershipi i Partisë Republikane do të kërkojë që të ketë një përfaqësim edhe në nivele të dyta qeverisëse, nisur edhe nga pesha elektorale që ajo ka. Kryesia e PR-së ka vlerësuar me nota pozitive procesin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Në mbledhjen e kryesisë së republikanëve është vlerësuar edhe rezultati i këtyre zgjedhjeve. Sipas burimeve, mësohet se në këtë mbledhje është pranuar fakti se republikanët nuk arritën të fitonin më shumë mandate për deputetë për shkak të mënyrës së përpilimit të Kodit Zgjedhor. Nga burimet mësohet se kryesia e PR-së ka nënvizuar faktin se ligji zgjedhor nuk lejonte hapësira më të mëdha për të mundësuar fitimin e më shumë mandateve për deputetë. Megjithatë, lidershipi i PR-së ka theksuar se duke marrë në konsideratë të gjitha vështirësitë, është arritur të merret një mbështetje e kënaqshme përmes votave të popullit. PR-ja në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit arriti të fitojë vetëm një deputet në Qarkun e Tiranës dhe do të përfaqësohet në parlamentin e ardhshëm me kryetarin e saj Fatmir Mediu. PR-ja është vlerësuar gjatë viteve si aleatja kryesore dhe tradicionale e Partisë Demokratike. Pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të korrikut 2005 kjo parti mori postin e ministrit të Mbrojtjes, të cilin e mbajti vetë kryerepubliklani Mediu. Më pas, pas ndryshimeve në kabinetin qeveritar, republikanët u përfaqësuan në qeveri me Anila Godon, duke drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›