E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenton dezertimin, shtypet nga automjeti i ushtrisë

Sipas burimeve për "GSH", ngjarja ka ndodhur 5 ditë më parë, por është mbajtur e fshehur nga komanda e repartit. 18 vjecari u mor me force ushtar pa dijenine e familjes. Ai u plagos rende në tentativë për të ikur nga reparti 

VLORE--Një 18-vjeçar nga Tirana, i rekrutuar ditët e fundit kundër dëshirës së tij dhe pa dijeninë e familjes ushtar në repartin e Bunavijës Vlorë, ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë, në gjendje kritike për jetën, pasi është aksidentuar rëndë nga automjeti të cilit ju kacavirr poshtë me synimin për t'u larguar nga rrethimi i repartit. Sipas burimeve për "Gazeta Shqiptare", ngjarja e rëndë ka ndodhur 5 ditë më parë, por është mbajtur e fshehur nga komanda e repartit. Gjithçka është mësuar pas qëndrimit 3-ditor të rekrutit në spitalin e Vlorës, nga ku dje është nisur me urgjencë drejt Tiranës. "18-vjeçari Izmir Gjoka, lindur në Kukës e banues në Tiranë, është mobilizuar ushtar gjatë javës së fundit, në kuadër të mobilizimit të rekrutëve për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Në tentativë për të ikur nga reparti, ai është kacavjerrë nën makinën ushtarake, por gjatë lëvizjes së automjetit është dëmtuar rëndë në kokë dhe ka rene ne koma", - pohojnë burimet për "Gazeta Shqiptare".
18-vjeçari Izmir Gjoka ishte pjesë e kontingjentit prej 120 rekrutësh, të cilët u morën me forcë (me polici ushtarake) ditët e fundit për të plotësuar numrin e ushtarëve që do të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak.  Për shkak se viti në vazhdim është viti i fundit që të rinjtë në moshë kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, pasi më 2010 fillon sistemi i ushtrisë me pagesë, komandat e njësive dhe Degët e Mobilizimit hasin pengesë për mbledhjen e ushtarëve. Në dhjetëra raste, policia ushtarake është vënë në kërkim të rekrutëve, duke detyruar të rinjtë neglizhentë të mobilizohen ushtarë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›