Marrëzia në Gërdec, 3 ditë para tragjedisë u dërguan 410 tonë predha për 72 orë
Vetëm tri ditët e fundit përpara tragjedisë së Gërdecit, në fabrikën e vdekjes janë dërguar nga depot ushtarake plot 410 tonë municione të rënda. Një ngut i çuditshëm që kishte nisur me kohë, por u kulmua në datat 12, 13 dhe 14 mars 2008, dërgoi dhjetëra kamionë të ushtrisë në vendin ku më pas do të hidheshin në erë duke marrë me vete edhe 26 jetë njerëzore e duke shkatërruar pakthyeshmërisht mijëra të tjera. Por përtej shifrave, dokumentet që ka në dispozicion “MAPO” vërtetojnë përtej tyre dhe diçka tjetër shumë herë më të rëndësishme: rrëzimin e alibisë që shfajësonte autoritetet më të larta të vendit, kryesisht kryeministrin, Sali Berisha, që ka pretenduar që ditën e shpërthimit e më pas, se nuk kishte dëgjuar kurrë të përmendej Gërdeci.
Origjina
Dokumentet e prodhuara nga Qendra Operacionale e Mbrojtjes, një pjesë e të cilave firmosur nga nënkolonel Xhemal Drazhi, shef sektori në këtë qendër, kishin një destinacion të përcaktuar qartë. Ato janë në formën e komunikatës ditore, të cilat rregullisht shkojnë në çdo mëngjes në zyrën e ministrit të Mbrojtjes, atëherë të zotit Fatmir Mediu. Më pas, ato përcilleshin dhe në zyrat kryesore të shtetit, duke nisur nga Presidenca, Këshilli i Ministrave dhe ndoshta edhe kryesia e Kuvendit. Ato informonin për çdo lëvizje të municioneve, duke specifikuar vendnisjen e tyre dhe vendmbërritjen, e cila ishte thjeshtësisht e përcaktuar: Gërdeci. Lëvizja e sasive të tilla, përtej normales, aq më tepër që ato ishin dhe pothuaj të vetmet që ndodhnin me Forcat e Armatosura, logjikisht e kishin të pamundur të mos shmangnin qoftë dhe ndjesinë e “kuriozitetit” për të pyetur se çfarë po ndodhte në periferi të Tiranës. Aq më tepër, që këto lëvizje nuk ishin ilegale, por kishin nisur me municionet e lehta, fishekët, të përcaktuar në vendimin e qeverisë me numër 138, datë 14 mars 2007 dhe më pas, me një urdhër të ministrit të Mbrojtjes, i cili kërkonte dërgimin e municioneve të rënda për demontim. Një vështrim vertikal mbi këto dokumente saktëson sidomos një të vërtetë shumë domethënëse: intensiteti i dërgesave të municioneve në Gërdec ishte rritur në mënyrë marramendëse pikërisht në tri ditët e fundit përpara shpërthimit. “Një marrëzi totale. Ndryshe nuk mund të grumbullohej kaq municion në një vend që nuk ofronte as sigurinë minimale teknike. Ndryshe nuk gjej dot shpjegim, veç faktit që kanë kërkuar të “vënë punën para”, një ish-ushtarak i lartë, tani në pension, komenton me habi për “MAPO”-n shifrat dhe thotë se këtu duhet të gjendet dhe një nga arsyet kryesore të përmasës së pabesueshme të shpërthimit.
Rrugëtimi
Predhat niseshin nga depot e ushtrisë shqiptare, shpesh edhe dhjetëra e dhjetëra kilometra larg periferisë së Tiranës. Ato vinin nga depot në Vertop, Qafë Shtamë, Mirakë, Guak, Qafë Mollë, Bigaz e të tjerë. Ishin kryesisht municione të rënda, që nga shtimjet 100 milimetërshe e deri në ato për topa obusë, 152 milimetra.
Me të mbërritur në Gërdec, predhat, sipas dëshmitarëve që kanë punuar aty, magazinoheshin në ambient të hapur. Ndodheshin ende në arkat e tyre origjinale prej druri dhe në momentin e shpërthimit, edhe ato janë hedhur në erë si pasojë e reaksionit zinxhir që pasoi.
Sasitë
Revista “MAPO” afron disa shifra për të bërë krahasimin me intensitetin e punës në fabrikë në dy periudha të ndryshme. Shifrat i përkasin muajit janar dhe mars të vitit 2008.
Kështu, në datën 5 janar, janë transportuar 55 tonë predha, 122 milimetra. Në datën 6 janar, 37 tonë të të njëjtit kalibër dhe një ditë më pas, 41 tonë. E kështu në vijim, në datat, 8, 9, 10, 11, 12, 13 dhe 14 janar, janë dërguar përkatësisht 40 tonë, 55 tonë, 98 tonë, 93 tonë, 56 tonë, 45 tonë dhe 100 tonë.
Kurse në tri ditët e fundit përpara tragjedisë situata përshkallëzohet:
Më 12 mars 2008, nga Qafë Molla nisen 40 tonë municion 122 milimetërsh, nga depot e Guakut 36 tonë, nga Qafë Shtama, 27 tonë, nga depoja në Noj 18 tonë dhe nga Miraka, 39 tonë. Të gjitha këto municione të kalibrit 122 milimetra. Gjithsej, 160 tonë.
Më 13 mars 2008, nga depot në Noj 18 tonë, nga Qafë Shtama, 27 tonë, nga Miraka 16 tonë, nga Qafë Molla 42 tonë, nga depoja në Guak 30 tonë. Kjo sasi municioni ishte e kalibrave nga 100-152 milimetra. Gjithsej 133 tonë.
Më 14 mars 2008, nga Noj në Gërdec kanë përfunduar 19 tonë municion, nga Qafë Shtama 27 tonë, nga Qafë Molla 35 tonë, nga Bigazi 36 tonë municione të kalibrave nga 100 deri 130 milimetra. Gjithsej 117 tonë.
Pra, vetëm në tri ditë, në Gërdec kanë shkuar 410 tonë municion i rëndë. Nga e gjithë kjo sasi, mendohet, të paktën nga dëshmitë e punëtorëve në fabrikën e vdekjes, që nuk kishte filluar demontimi i asnjë predhe të vetme. Në momentin e shpërthimit ato kanë qenë të magazinuara në ambiente të hapura.
“Denoncimi”
Në rregulloren teknike për ruajtjen dhe sigurinë e depove - dhe vendbanimi në Gërdec ishte një i tillë teorikisht - përcaktohet saktësisht se si duhet bërë ruajtja, grumbullimi dhe ndërhyrja në municione. Që në fillim të hetimit për këtë ngjarje, një nga pikat kyçe të tij, ka qenë pikërisht përcaktimi i sasive të municionit të hyrë në Gërdec, kryesisht i municionit të rëndë. Analizat e bëra nga një grup ekspertësh amerikanë, mbas tragjedisë, konsideruan se në Gërdec, në momentin e shpërthimi mund të gjendeshin deri në 1500 tonë predha dhe barut; sasi, që sikur të ishin respektuar qoftë dhe minimalisht rregulloret ushtarake, duhet të ishin në sasi shumë herë më të vogla.
Komunikatat
Qendra Operacionale e Mbrojtjes ndodhet në oborrin e brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, në bodrumet e saj. Ai është një sektor, i cili shënon dhe regjistron gjithë aktivitetin ditor normal të Forcave të Armatosura. Është nën drejtimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe i raporton si atij, po ashtu edhe ministrit të Mbrojtjes. Më pas, ky i fundit i dërgon të njëjtin raport edhe drejtuesve më të lartë të shtetit. Në dukje një punë e rutinës së përditshme, por që në rastin e tragjedisë së Gërdecit ishte më së paku një indikator për të treguar dhe dëshmuar se çfarë ndodhte në periferi të Tiranës.
Komunikatat ditore printohen në format zyrtar dhe veç të tjerash, shënojnë dhe adresën e kësaj qendre: numrin e telefonit fiks, 222 82 50 dhe atë të faksit, 227 04 08. Në të shënohet numri i kopjeve të printuara, numri i protokollit, lënda dhe mbi të gjitha adresa e marrësit. Materiali nuk është i klasifikuar, të paktën kështu rezulton në dokumentet e siguruara nga “MAPO”.
Për këto komunikata u fol shumë sidomos në ditët e para të mbas shpërthimit. Ato ishin shenja, gjurma dhe prova se çfarë po ndodhte në “linjën” Depo ushtarake-Gërdec. Si të tilla, ato ishin gjithashtu dhe prova se askush nga marrësit e tyre nuk mund të thoshte se nuk ishte së paku në dijeni se çfarë po ndodhte me municionet e rënda në proces demontimi. Vetë kryeministri Berisha ka mohuar prerë të këtë marrë në dorë qoftë dhe një kopje të këtyre raporteve. Nëse kjo gjë do të rezultonte e vërtetë, duhet që vetë kryeministri të “hetojë” në Këshillin e Ministrave se cila ishte dora që merrte zarfin në ngjyrë kafe dhe me vulë dylli dhe nuk ia vinte mbi tryezë bashkë me dokumentet e tjera. Në muajin prill, i akuzuar drejtpërdrejt në emisionin televiziv të gazetarit Andi Bushati për ekzistencën e këtyre dokumenteve, kryeministri ka reaguar shumë ashpër duke pretenduar pikërisht mosdijeninë e tij e madje edhe duke sulmuar mjaft rëndë vetë gazetarin.
Një detaj më shumë
Të gjitha shifrat e ofruara nga “MAPO” janë një detaj më shumë në morinë e materialeve që pak nga pak kanë krijuar, të paktën në shtyp, idenë e asaj çfarë po ndodhte në Gërdec para shpërthimit dhe se cili ishte mekanizmi që hodhi në erë 26 fatkëqij, banorë të zonës, gra e fëmijë, si dhe punëtorë të fabrikës. Këto shifra tregojnë për më shumë, makutërinë e pabesueshme për “tunxhin” e predhave, që vërshuan në Gërdec në tri ditët e fundit përpara tragjedisë, si kurrë më parë, kur kamionët e ushtrisë, transportonin në autokolonë “vdekjen” e tyre. Një vdekje, që së paku ngjan e paralajmëruar nga këto shifra tronditëse.