Dyert e Evropës nisin të mbyllen, ndërsa Shqipëria vjen për të trokitur
Radha e vendeve që po trokasin në dyert e Bashkimit Evropian do të zgjatet akoma më shumë sot, kur Shqipëria të paraqesë formalisht aplikimin për anëtarësim. Por perspektiva e bashkimit me grupimin e fortë prej 27 shtetesh, si rrallë ndonjëherë është bërë më komplekse, për shkak se disa nga shtetet më të mëdha i kanë kthyer qartësisht shpinën zgjerimit.
Angela Merkel, kancelarja gjermane dhe presidenti francez Sarkozy, kanë paralajmëruar se pa Traktatin e Lisbonës nuk do të ketë pranime të tjera pas Kroacisë, e cila është tjetra në radhë.
Traktati synon të racionalizojë dhe të riorganizojë punët e Bashkimit Evropian për të menaxhuar vendet e hyra në vitin 2004 dhe 2007, që e rritën numrin e anëtarëve nga 15 në 27.
Irlandezët e hodhën poshtë traktatin gjatë një referendumi vitin që shkoi dhe pritet të votojnë sërish kundër në vjeshtë.
Por po bëhet e qartë se traktati nuk do e rivendosë sërish në rrugë procesin e zgjerimit.
Kroacia ishte planifikuar që të anëtarësohej gjatë vitit që vjen, por progresi i saj është penguar, kryesisht nga një përplasje me Slloveninë, të vetmin vend ish-jugosllav të anëtarësuar gjer më tani.
Një konferencë për të zgjidhur përplasjen për territoret ujore u thirr javën që shkoi dhe diplomatët po përpiqen çmendurisht të thyejnë këtë ngërç. Data për anëtarësimin e Kroacisë mund të shtyhet në vitin 2011.
Franca dhe Gjermania janë në favor të anëtarësimit të Kroacisë, por pas kundërshtimeve të tyre për zgjerim të mëtejshëm qëndron shqetësimi për mundësinë e pranimit të vendeve të tjera të varfra dhe jofunksionale.
Ka gjithashtu një frikë themelore në Paris dhe në Berlin se pranimi i Turqisë - që mban statusin e kandidatit formal që nga viti 1987 - do të ishte një hap shumë i madh.
Turqia do të bëhej anëtari më i madh pak vite pas anëtarësimit dhe do kishte më shumë eurodeputetë se Gjermania, duke ndryshuar kështu dinamikën e bllokut.
Por, edhe nëse është ashtu siç ka thënë zoti Sarkozy se Evropa ka “kufij natyralë”- çka përfshin Ballkanin dhe përjashton Turqinë - eksperienca me anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në vitin 2007 ka bërë që shumë vende të jenë dyshuese ndaj zgjerimit të mëtejshëm.
Është gjerësisht e pranueshme se procesi i anëtarësimit ka dështuar në nxitimin për të lidhur Bukureshtin dhe Sofjen me Perëndimin.
Nuk ka mjaftueshëm qëndrueshmëri në reformat e brendshme për të siguruar shumat e stërmëdha të parave nga BE, që janë planifikuar për t’u derdhur në dy vendet ish-komuniste për projekte të mëdha infrastrukturore dhe për modernizim. Nuk kalon asnjë muaj i vetëm pa një debat për korrupsionin.
Kjo ka sjellë te një studim më i detajuar i kandidatëve aktualë - Kroacisë, Maqedonisë dhe Turqisë - dhe kandidatëve potencialë - Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia.
Islandës do i jepet një shans më i madh dhe rruga do jetë e lehtë, në rast se ajo vendos të aplikojë pas fitores pro-evropiane në zgjedhjet e fundit, por ky është një rast i veçantë për shkak të strukturës së zhvilluar dhe popullatës së vogël prej 320 mijë banorësh.
Përgjithësisht, kandidatët potencialë janë shumë larg përmbushjes së kritereve dhe pritshmërisë së BE për transparencë, sundim të ligjit dhe reforma.
Qëndrimet kundër zgjerimit kanë alarmuar shtete të tilla si Britania dhe Suedia, që janë të përkushtuara për zgjerim të madh, si dhe vëzhguesit e tillë si Banka Botërore.
Robert Zoellick, president i BB, paralajmëroi se perspektiva e anëtarësimit në BE ishte motori kryesor që përshpejton reformat në disa vende në këtë periudhë problemesh financiare.
Duke folur për Serbinë, ai tha: “Mënyra për t’i mbajtur atë na kursin paqësor dhe të zhvillimit, është që t’u thuhet se ata janë në rrugën drejt Evropës. Kjo është e vërtetë për të tjera vende të Ballkanit.”
Ai shtoi se, nëse nuk do iu ofrohet këtyre vendeve mundësia për anëtarësim, rajoni do të hynte në një kurs shumë të rrezikshëm.
Por francezët dhe gjermanët janë aq të shqetësuar për impaktin e zgjerimeve të mëtejshme te votuesit skeptikë në një periudhë krize financiare në shtëpi, sa nuk duan të ndihmojnë as kandidaturën e të voglit Mal të Zi (popullsia 680.000).
Hapi i ardhshëm në proces - marrja në shqyrtim e aplikimit zyrtar të Malit të Zi nga Komisioni Evropian - u përcaktua më në fund javën e kaluar, pas disa muajsh bllokimi. Për të krijuar sa më shumë distancë të ishte e mundur mes tij, Parisit dhe Berlinit, vendimi u mor, çuditërisht, mes çështjeve të tjera gjatë takimit të ministrave për industrinë e peshkut.