E Shtunë, 31 Tetor 2026

A janë shqiptarët të virtytshëm?

Nga Ergys Mertiri

Gjithkujt, në momente të caktuara, i ka ndodhur të pyesë veten, apo të diskutojë me miq, nëse shqiptarët janë apo jo një popull i virtytshëm. Natyrisht, pyetje të tilla mund të ngrenë debate pa fund dhe pa arritur ndoshta kurrë të bihet në një mendje. Që prej Rilindjes, kjo ka qenë një pyetje e trajtuar gjerësisht në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe tërthorazi në tërë publicistikën e kohës, deri në kohën e komunizmit, ku debati mbyllet, e para sepse gjërat “i dinte” partia, dhe e dyta sepse populli nuk mund të ishte kurrë i keq, aq më tepër kur aty gjallonin edhe rrënjët e vetë partisë. Nëse i hedh një shikim shkrimeve e mendimtarëve të këtij vendi, të paktën që nga Lidhja e Prizrenit, do të vëresh gjykime mjaft kontradiktore në lidhje me këtë temë. Madje gjykime kontradiktore të tilla mund t’i gjesh edhe brenda të njëjtit njeri. Kujtojmë p.sh. Mid’hat Frashërin, i cili tek “Shqiptarët” ngre vërtetë një monument madhështor për kombin shqiptar, për virtytet e tij, për vlerat, tiparet, shpirtin e tij, ndërkohë që, nëse lexon “Plagët tona”, të krijohet një tablo krejt tjetër. Një gjë të tillë e ndeshim edhe tek Fishta, Konica dhe shumë të tjerë, kudo ku njerëzit idealistë të këtij vendi janë orvatur të nxjerrin ndonjë vlerësim moral për të. Ndofta më mirë këtë ndjesi kontradiktore dramatike e ka perifrazuar Eqrem Vlora, nga një diplomat francez, mik i shqiptarëve duke u shprehur: “Shpirti shqiptar është një përzierje poshtërsie dhe fisnikërie”.

Natyrisht, nuk mund t’i japim këtu zgjidhje një pyetje të tillë, ndonëse, nuk mund të mos krijojmë respekt për historinë e këtij vendi, për vlerat që ai ka dëshmuar përtej problemeve të shumta, gjë që ka sjellë edhe mbijetesën e tij përballë vështirësish të jashtëzakonshme. Megjithatë, nuk do të ndalemi këtu. Ajo që vlen të theksohet është se kjo pyetje, edhe ashtu, e destinuar të mbetet pa përgjigje, ose me një pafundësi përgjigjesh (gjë që është thuajse e njëjta gjë), ia vlen të ngrihet në çdo kohë, ashtu siç kanë bërë historikisht dhe sistematikisht njerëzit e mençur të këtij vendi. Ia vlen të ngrihet sepse, ashtu siç ndodh me çdo njeri, çdo komb, çdo shoqëri e ka të nevojshme të dalë herë pas here përpara pasqyrës dhe ta rrahë paq vetveten. Në këtë mënyrë, mund të thuhet se nuk e di nëse kanë pasur të drejtë apo jo njerëzit e ditur të këtij vendi kur e kanë lëvduar apo sharë atë. Ajo që mund të themi me siguri është se, sido që të jenë shprehur, ata kanë bërë mirë, pasi shoqëria ka pasur nevojë për qortimet apo vlerësimet e tyre. Por ajo që të bën të mos ndjehesh mirë, është fakti që, një pjesë e madhe e problemeve të evidentuara prej tyre janë ende edhe sot mjaft aktuale dhe duket se nuk ka ndryshuar thuajse asgjë për mirë. Madje mund të thuhet se shumë probleme janë përkeqësuar, ndërkohë që edhe janë krijuar një mori problemesh të reja. Natyrisht, sprovat që ka kaluar kombi shqiptar gjatë odisesë së tij shtetformuese, mbi të gjitha 50 vjetët e komunizmit, janë shumë për të kërkuar një realitet më të mirë. Por gjithsesi, ajo që duket më negative është fakti që sot ka humbur ndjeshmëria e duhur ndaj problemeve të tilla. Vlerat, virtyti, morali, sot janë kthyer në tema pa interes, të cilat janë në plan të dytë në debatin publik, në krahasim me probleme të politikës, biznesit, orientimit kulturor (që gjithashtu lidhet me politikën), etj. Morali, vlerat shoqërore, zënë një vend gjithnjë e më të vogël në hapësirën publike në Shqipëri. Tema të tilla janë gjithmonë e më të papranishme në faqet e gazetave, në debatet televizive, në projektet e shoqatave apo edhe programet e partive politike. Jo vetëm kaq, por duket se shqiptarët, po rendin turravrap drejt disa pikëpamjeve të reja mbi etikën, të cilat edhe në vendet më liberale të botës janë të diskutueshme, duke i kthyer jo rrallë pikëpamje të tilla në, burime reference arbitrare për vlerat shoqërore aktuale. Ndaj dhe shpesh diskursi etik në Shqipëri, paraqet më tepër një angazhim antimoralist sesa një përpjekje për të prodhuar një alternativë të mendimit etik. Shkretëtira shqiptare e mendimit etik, të ofron jo vetëm shterpësinë e saj, por edhe shtimin e problematikës, banalitetin e nivelit të të gjykuarit, si edhe mungesën e interesit ndaj kësaj fushe të rëndësishme të mendimit dhe veprimit shoqëror. Në këtë mjedis, kjo panoramë nuk ta kursen as humorin e as tragjizmin me absurditetet që ofron.

Jemi mësuar tashmë të shohim, sidomos në mediat vizive, një nivel mediokër të trajtimit të temave të tilla. Jo më shumë se disa ditë më parë, në një prej televizioneve më të rëndësishëm të vendit, flitej mes të tjerash për nderin dhe për moralin shoqëror. Logjikisht, do të mund të prisnim që, në mos Fishtat, Konicët apo Vlorajt e sotëm në miniaturë, të shihnim të paktën studiues të filozofisë apo shkencave sociale, të cilët të mund të ofronin ndonjë gjykim më të peshuar për këto çështje. Por ajo ndodh në Shqipëri, ashtu si edhe në rastin konkret është diçka krejt tjetër. Konkretisht tema të tilla bëhen objekt diskutimi prej gjithkujt që është parë disi më shpesh në media, pavarësisht nëse ka apo jo mendim për këto gjëra. Konkretisht, paneli në fjalë përbëhej nga: një pedagog biologjie anonim i cili, nuk dihet, a prej faktit që i ka fort me qejf muhabetet me seks, apo thjesht për faktin se është ca më tepër i emancipuar se të tjerët, por tashmë ka fituar tagrin për të qenë protagonist në çdo temë të tillë; një aktiviste OJQ-sh, që të vetmen teori sociologjike mbi studimet gjinore që ka mësuar e konsideron si të vetmen që ekziston; një gocë e re, që prezantohej si pedagoge psikologjie, por që nuk krijoji ndonjë lidhje midis temës dhe fushës së saj; ndërsa kusuri mbushej nga një prezantuese televizive, një gazetar sportiv, një këngëtar, një balerinë dhe një kafazier, të cilët gjithsesi, ishin njerëzit më të kthjellët dhe më të rehatuar me statusin e tyre në atë mes.

Natyrisht, asgjë të re nuk ka këtu. Emisione të tilla duken si fotokopje të cilat ritransmetohen herë pas here në Shqipëri për të mbushur hapësirat televizive. Problemi qëndron tek shoqëria dhe vëmendja që ajo ka ndaj vlerave të saj. Pa dashur të hyjmë në thellësi për të parë sesi ky diskurs përkthehet në problematikën sociale që karakterizon shoqërinë shqiptare, ajo që dëshmohet, qoftë edhe nga ky shembull i thjeshtë është, rëndësia që i japim moralit. Nga mënyra e diskutimit, si dhe niveli i pjesëmarrjes, kuptojmë se tema të tilla janë në plan të dytë apo të tretë për producentët televizivë si edhe për vetë audiencën shqiptare. Këto tema nuk shfaqin interes në mënyrë serioze, por ato mund të zhvillohen në tryeza lights, me tone më tepër argëtuese, mes opinionesh të rastësishme.

E gjithë kjo dëshmon për vendin që zë morali në shoqërinë shqiptare. Ai është kthyer sot në një fjalë të padenjë për t’u qasur në tryezat elitare. Për të mendojnë vetëm showman-ët, adoleshentët, punonjësit e thjeshtë socialë, të cilët duhet t’u mësojnë njerëzve se si të emancipohen apo sesi mund ta sfidojnë opinionin shoqëror. Pak rëndësi ka se ekzistojnë disa shkenca që merren me studimin e tyre, dhe pak rëndësi ka, se çfarë efektesh rrjedhin nga gjykimet amatore të ofruara ndaj një publiku të gjerë. Në fund të fundit, e gjithë kjo na vlen si dëshmi, për të kuptuar transformimin që shoqëria shqiptare ka pësuar gjatë 50 vjetëve të skalitjes së njeriut të ri, si dhe gjatë 20 vjetëve të erozionit që solli liria postkomuniste për të. Ajo që mbetet në thelb të këtyre 70 vjetëve të marra së bashku, është çaktivizimi i ndërgjegjes shoqërore, gjë që na bën që ta ndërtojmë jetën tonë në pavetëdije të plotë. Prej këtej, rrjedh i gjithë tragjizmi i realitetit tonë të përditshëm, i mbushur me një mijë e një probleme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›