E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton të vetëvritet pas grindjes në familje

Tiranë- Një shtetas ka mbetur i plagosur pas një tentative për vetëvrasje. Haki Boba, 42 vjeç, banues në rrugën "Ferit Xhajko", pranë Unazës, në gjendje të dehur dhe pas një konflikti që ka patur me bashkëshorten e tij ka tentuar që t'i japë fund jetës në banesë.

Pas konfliktit, motivet e të cilit nuk dihen, ka marrë një thikë buke dhe është mbyllur në banjën e shtëpisë me qëllim vetëvrasjen. Në gjendje të dehur ky shtetas, ka arritur që të plagoset duke shkaktuar me thikë disa të çara në trup.

Boba është gjetur i plagosur nga bashkëshortja e tij në gjendje të rëndë shëndetësore, e cila ka lajmëruar policinë sapo e ka parë bashkëshortin e saj të plagosur.

I plagosuri është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak nga familjarët e tij, ku pas marrjes së mjekimit gjendja e tij është përmirësuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e kryeqytetit ka nisur hetimet, duke marrë dëshmitë e familjarëve për të zbardhur ngjarjen. Nuk dihet akoma se cili ka qenë motivi i sherrit në familje dhe për pasojë i vetëplagosjes së 42- vjeçarit.

----------------------------------------------------------------------

Klandestinët, "refuzojnë" kalimin në Shqipëri


TIRANE- Kalimi i paligjshëm i kufirit, mbetet problem për Shqipërinë në drejtim të Greqisë, ndërsa është eliminuar tërësisht kalimi i klandestinëve në drejtim të Italisë. Një konstatim i tillë është bërë gjatë një takimi rajonal të zhvilluar nga Ministria e Brendshme italiane, në lidhje me problemet që ajo ka pasur me klandestinët e mbërritur nga Libia dhe nga Afrika Veriore.

Për këtë shkak, Italia organizoi konferencën Ndërmesdhetare mbi Emigracionin dhe Sigurine e Kufijve. Në këtë konferencë morën pjesë Drejtuesit e Policisë Kufitare të të gjitha vendeve mesdhetare si dhe disa vende të Afrikës dhe Azisë.

Ministri i Brendshëm Italian, z. Roberto Maroni foli rreth fenomenit te migracionit ilegal në drejtim të Italisë dhe si rrugë zgjidhje të këtij fenomeni përmendi rastin e Shqipërise, pasi aktualish ky emigracion është në kuotat zero.

Përfaqësuesi grek, pohoi se nga Shqipëria mbetet problem kalimi i klandestinëve me shtetësi shqiptare ndërsa ka rënie në nivelet zero, sipas tij kalimi i klandestinëve afrikanë apo aziatikë nga vendi ynë drejt fqinjit jugor.

Sipas referuesit grek, pjesa më e madhe e tyre kalonin nga Turqia në drejtim të Greqisë, ndërsa referues të tjerë pohuan se kontrabandimi i njerëzve kalonte nga nga Kosova, Maqedonia dhe Serbia.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›