Bllokohet kompensimi i të përndjekurve politikë
Shoqatat e të përndjekurve kundër ministrit të Drejtësisë: Deri tani janë kompensuar vetëm 300 njerëz
TIRANË- Fushata e qeverisë me paratë e ish- të përndjekurve politikë ka mbetur në një pikë kyçe teksa vetë të dëmtuarit i janë kthyer kundra.
Edhe pse qeveria ka miratuar fondin shumën përkatëse sa do të marrë secili prej rreth një mijë të përndjekurve të parë, ata ende nuk kanë mundur që të marrin paratë.
Problem për këtë gjë, sipas tyre, është Ministria e Drejtësisë dhe njeriu që drejton këtë institucion, Enkelejd Alibeaj. Sipas shoqatës kombëtare të ish të- përndjekurve politikë, vetëm 300 persona kanë përfituar nga dëmshpërblimi financiar ndërkohë që pjesa tjetër nuk pritet në zyrat e dikasterit të drejtësisë.
"Unë i kërkoj kryeministrit të Shqipërisë të vërë dorë në këto institucione, te ministri i Drejtësisë që është merimanga e zezë, që po na thith gjakun ne të dënuarve politikë duke na hequr dënimin politik",- thotë Adem Allçi, kryetar i shoqatës kombëtare të të përndjekurve politike.
Këta të fundit i bëjnë ultimatum kryeministrit Berisha edhe për çështjen e zgjedhjeve.
Të përndjekurit kërkojnë që Berisha të përfshijë në listat e PD 20 kandidaturat e tyre, në të kundërt kërcënojnë për votë kundër në 28 qershor.
"I bëjmë me dije se duhet të fillojë menjëherë aktmarrëveshjen me ne për të fituar votat e të përndjekurve polikë dhe kulakëve, në zgjedhjet e ardhshme, bashkë me PD dhe forcat te tjera të djathta",- shprehet Besim Ndregjoni.
Të përndjekurit politikë i kërkuan qeverisë gjithashtu të riformulojë para zgjedhjeve ligjin e lustracionit.
Edhe pse ata janë shtresa e prekur nga krimet e komunizmit, sërish nuk janë dakord me ligjin e hartuar nga qeveria "Berisha". Sipas tyre, ky ligj ndëshkon xhelatët por jo urdhëruesit e tyre dhe ata që ishin në krye të institucioneve të dhunës.