Tenton të vrasë babain e ish- të dashurës, arrestohet
Atentati në Paskuqan, pas ndarjes së autorit të krimit, me vajzën e të dëmtuarit
TIRANË- Parandalohet një vrasje në periferi të kryeqytetit, pak minuta para se ajo të ndodhte, duke sjellë dhe arrestimin e personit që tentoi të vriste babain e ish- të dashurës. Rruzhdi Pupla, 25 vjeç, ka tentuar të vrasë me armën pistoletë tip "Zastava", babain e ish- të dashurës së tij Hamit Izvira, me banim në Tiranë.
Lajmi për arrestimin e të riut është konfirmuar nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, ku thuhet se motivi kryesor i ngjarjes dyshohet të ketë qenë ndarja nga e dashura e të dyshuarit për tentativë vrasjeje. Po sipas të njëjtave burime, mësohet se babai i ish- të dashurës së të arrestuarit nuk ka qenë dakord që të vazhdonte lidhja midis vajzës së tij dhe këtij të fundit.
Pikërisht ky qëndrim i 50- vjeçarit, ka irrituar të riun nga Mati, i cili kishte vendosur të qëllonte ndaj këtij të fundit me pistoletë. Ndërkohë, në momentet e arrestimit, autorit që dyshohet të kishte menduar të realizonte vrasjen i është sekuestruar dhe arma pistoletë tip "zaztava" dhe dy fishekë, me të cilët i arrestuari dyshohet se do të kryente krimin.
Të sinjalizuar për veprimet e 25- vjeçarit nga fshati Shëlli i Matit, policia ka parandaluar vrasjen dhe ka arrestuar në flagrancë Rruzhdi Puplën, i akuzuar për veprën penale të " vrasjes me paramendim" e mbetur në tentativë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, arrestimi i Puplës është kryer të mërkurën rreth orës 12 00 në Paskuqan, nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit dhe efektivave të Komisariatit të Policisë nr. 5, pas një operacioni policor të koduar "Tujani".
Për të parandaluar vrasjen është dashur dhe ndihma e forcave të Komisariatit të Policisë së Burrelit, ku pas informacioneve të marrë dhe pas njohjes së policisë me konfliktin është bërë i mundur arrestimi i i 25- vjeçarit, i cili është emigrant në Greqi prej kohësh. Ndërkohë pasi është dërguar në ambientet e policisë, nën cilësinë e të arrestuarit, ku ka rrëfyer planin e tij për të vrarë babain e ish- të dashurës, por që nuk mundi ta realizonte nga ndërhyrja e policisë.
Lidhur me ngjarjen mësohet se dosja hetimore në ngarkim të Rruzhdi Puplës do t'i kaloje Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme për veprat penale të "vrasjes me paramendim", e mbetur në tentativë dhe "armëmbajtjes pa leje".