E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim në Kakome, eksploziv kantierit të fshatit turistik

SARANDË/ Vënia e eksplozivit është realizuar vetëm pak orë para zhvillimit të seancës gjyqësore


SARANDË- Pak orë para zhvillimit të seancës gjyqësore në ngarkim të pesë personave që akuzohen për sulmin dhe dëmtimin e disa makinerive të firmës "Riviera" që po kryen punimet për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome, një shpërthim i fuqishëm ka tronditur kantierin e së njëjtës firmë.


Burimet zyrtare të policisë së Sarandës kanë bërë të ditur se shpërthimi ka ndodhur pas orës 01:30 të mëngjesit të së enjtes. Ekspertët që kanë shkuar në vendngjarje, kanë përcaktuar se masa eksplozive ka qenë vendosur vetëm 1,5 metra larg portës hyrëse për në kantierin e fshatit turistik, që është duke u ngritur nga firma "Riviera" në Gjirin e Kakomesë.


Ata kanë mundur të saktësojnë edhe llojin e sasinë e lëndës ekplozive, duke arritur në përfundimin se ka qenë rreth 100 gramë eksploziv, i tipit amonit malor. Ndërkaq, ky shpërthim nuk ka shkaktuar dëme të mëdha.


Pasoja e ardhur nga shpërthimi ka qenë shkulja nga vendi e portës së postbllokut kryesor të kantierit, të vendosur nga firma ndërtuese qysh në nisje të punimeve për rrethimin e sipërfaqes prej 70 ha, të destinuar për fshatin turistik që do të ngrihet në këtë territor.


Shpërthimi është dëgjuar dhe ndier i fuqishëm, duke tronditur personelin e administratës dhe specialistët që ishin duke fjetur në mjediset e qendrës administrative të firmës, në ndërtesën buzë detit.


Ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, paraprakisht prej uniformave blu dhe prokurorisë është interpretuar si formë presioni e elementëve të veçantë nga radhët e banorëve të Nivicës për të vështirësuar dhe rënduar klimën e punimeve që është duke kryer firma "Riviera", për ngritjen e fshatit turistik të Kakomesë, që vjen në kundërshtim me pretendimet e tyre për pronësinë mbi këtë territor.


Muaj më parë, banorët e Nivicës nuk lejuan makineritë e firmës ndërtuese që të fillonin punimet duke qëndruar ditën dhe natën në hyrje të fshatit. U desh ndërhyrja e policisë që të mund t'i largonte ata dhe të lejonte nisjen e punimeve. Një gjë e tillë ndodhi pothuajse një muaj pas protestës së banorëve. Çështja përfundoi në gjyq, teksa disa prej banroëve u akuzuan për sulmin si dhe dëmtimin e disa prej makinerive të firmës ndërtuese "Riviera".


Një proces i tillë gjyqësor pritej të zhvillohej vetëm disa orë pas shpërthimit të ndodhur. Një tjetër gjyq i humbur për banorët e Nivicës ishte ai në të cilin ata kërkuan të drejtën e pronës së tyre në fshatin Kakome, i vendosur nga qeveria për t'u shndërruar në një fshat turistik.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›