E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka Botërore ndërpret projektin 11 mln $

Ndërtimi i tregjeve për zonat rurale është realizuar me abuzime dhe pa një projekt, duke kthyer pas 1.2 mln USD


KLSH- zbulon shkeljet në Ministrinë e Bujqësisë, dëmi kap shifrën e afërsisht 6 milionë lekëve


TIRANE- Banka Botërore ndërpret financimin e një projekti të Ministrisë së Bujqësisë për zhvillimin e tregjeve, pas abuzimeve të vërejtura në mënyrën e realizimit të projektit.


Një fond prej 11 milionë dollarësh i Bankës Botërore, për financimin e ndërtimit të tregjeve që synonte rritjen e të ardhurave rurale, është ndërprerë në mes, për shkak të abuzimeve të vërejtura gjatë realizimit të projektit dhe paaftësisë së punonjësve të administratës që është marrë me këtë projekt. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Zyra e Zbatimit të Projekteve në Ministrinë e Bujqësisë, ka pasur një sërë shkeljesh në realizimin konkret të projektit në fjalë.


Kështu emërimi i personave të paaftë për të realizuar projekte të tilla, është një nga abuzimet e vërejtura nga KLSH-ja për rastin konkret. Po kështu, kjo zyrë nuk ka hartuar edhe një plan të nevojshëm për mënyrën e realizimit të financimit të kërkuar nga donatori.


Nëpërmjet fondit në fjalë, ishte parashikuar ndërtimi i 6 tregjeve të ndryshme, por nga ky planifikim, janë realizuar vetëm dy. Pavarësisht këtij fakti edhe këto dy tregje të ngritura nuk funksionojnë ose funksionojnë në mënyrë të pjesshme, duke bërë që projekti të konsiderohet i dështuar.


Për këtë shkak, Banka Botërore ka ndërprerë disbursimin e pjesës së mbetur të fondeve. Sipas KLSH-së tregu i Beratit, është edhe më problematiku, pasi ai nuk është vënë në funksionim asnjë ditë duke rrezikuar në këtë mënyrë edhe shkatërrimin për shkak të mosmirëmbajtjes nga amortizimi.


Një tjetër shkelje që është vërejtur prej kontrollorëve të KLSH-së është edhe ajo e dokumentacionit të projektit. Ky i fundit është hedhur në arkivën e Ministrisë së Bujqësisë i paarkivuar dhe invetarizuar duke shkelur procedurat përkatëse.


Abuzime me prokurimet


Ndërkaq, shkelje dhe abuzime specialistët e Kontrollit të Lartë të Shtetit, kanë zbuluar edhe në procedurat e prokurimeve, ku dëmi mësohet se kap një shifër prej afërsisht 6 milionë lekësh.

Kjo pasi gjatë procedurave të tenderimit janë skualifikuar subjektet që kanë ofruar një kosto më të ulët të punimeve që duhej të kryheshin duke shpallur fitues një subjekt që kishte kishte ofruar realizimin me një kosto më të lartë.


Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka paralajmëruar se do të rekomandojë masa disiplinore për shkaktarët e dështimit të këtij projekti, nëpërmjet mospërfshirjes së tyre në piramidën e administratës shtetërore.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›