Tentuan të kalojnë 125 mijë euro në Portin e Durrësit/ Vihen në pranga dy drejtuesit e autobusit, si i kishin fshehur paratë poshtë sediljeje

Policia ka vendosur në pranga 2 drejtues të autobusit të linjës Bari-Durrës pasi janë kapur me një shumë prej 125 mijë eurosh të padeklaruara. Pas informacioneve të marra përmes inteligjencës informative, policia ka mundur të finalizojë operacionin e koduar “Linja”, duke vendosur në pranga 53 vjeçarin me iniciale D.M dhe 31 vjeçarin J.O.
“Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare dhe në inteligjencën informative të siguruar nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Durrës, në hyrje, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, autobusi i linjës Durrës-Bari-Durrës, që drejtohej nga shtetasit D. M., 53 vjeç, banues në Vlorë dhe J. O., 31 vjeç, banues në Fier”, shkruhet në njoftimin e Policisë.
Automjetit të dy personave i është kryer kontroll, ku poshtë 2 sediljeve janë gjetur të ngjitura me natriban 67 460 euro, ndërsa shtetasit D. M. iu gjetën 9 500 euro, ndërsa shtetasit J. O. iu gjetën 48 090 euro.
“Gjatë kontrollit në autobus, poshtë 2 sediljeve, u gjetën të ngjitura me natriban 67 460 euro. Gjatë kontrollit fizik, shtetasit D. M. iu gjetën 9 500 euro, ndërsa shtetasit J. O. iu gjetën 48 090 euro. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithsej 125 050 euro. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit D. M. dhe J. O., për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës”, përfundon në njoftimin e saj, policia.
/rtsh.al/