Ndarja nga jeta e artistes Mimika Luca, mesazhe ngushëllimi nga politika dhe arti

Një “re trishtimi” ka shpërndarë në botën e artit e publikun shqiptar ndarja nga jeta e aktores së mirënjohur, Mimika Luca. Kanë qenë të shumta reagimet, teksa politikanë e artisë i kanë dhënë asaj lamtumirën me mesazhe të ndjera.
Kreu i shtetit, Barjram Begaj, shkruan në një postim në Facebook se trashëgimia artistike e Lucës është një pasuri për publikun shqiptar.
“U prehtë në paqe Mimika Luca! Trashëgimia artistike e Mimika Lucës është një pasuri që publiku shqiptar e ka çmuar dhe do të vazhdojë ta çmojë përgjithmonë”, shkruan Presidenti Begaj.
Teksa ka publikuar një foto të aktores në krah të bashkëshortit të saj, Ndrek Luca, kryeministri Edi Rama i ka dhënë asaj lamtumirën.
“Lamtumirë e dashur Mimika, tanimë je përqafuar me Ndrekën dhe kjo do ta bëjë Gjergjin më të fortë shpresoj”, shkruan kryeministri.
Mesazhe ngushëllimi ka shprehur edhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla. Përmes një postimi në rrjete sociale, Nikolla shkruan se aktorja e madhe e skenës dhe ekranit shqiptar do tu mungojë të gjithëve.
“Sa trishtim! Mimika Luca, aktorja e madhe e skenës dhe ekranit shqiptar, u nda nga jeta! Mimika do të na mungojë të gjithëve, sepse imazhi paqësor dhe rolet e saj janë bërë pjesë e jetës së disa brezave. Ngushëllime familjes! Pushofsh në paqe, Mimika”, shkruan Nikolla.
Artisti Mevlan Shanaj, njëkohësisht mik i artistes së madhe shqiptare, Mimika Luca, ka reaguar me një mesash të ndjerë për ndarjen nga jeta të artistes. Në një postim në Facebook, Luca ka ndarë një foto sëbashku ku bashkangjitur shkruan se mikesha e tij ka qenë ndër aktoret që me personalitetin e saj rriti emrin e femrës.
“Ike Mimi, ike pa u bërë e moshuar! Ja këtu jemi para disa muajësh! Edhe më pas në dlindje na zbukurove mbrëmjen me hirin tënd gjithë mirësi, elegancë si balerina e përjetshme e Ndrekës! Mimi, ke qenë ndër aktoret që rrite emrin e femrës me personalitetin tënd edhe si shkrimtare! Kjo ikje ishte hapi yt i vetëm i gabuar në jetë! Krenar për miqësinë tonë! Lamtumirë Mimika Luca!”, shkruan Shanaj.
Aktorja e shquar e skenës shqiptare, Mimika Luca, ka ndërruar jetë mesditën e kësaj të marte, në moshën 85-vjeçare. Pasioni i saj për artin nisi qysh në moshë të vogël, por ajo nuk ishte vetëm një aktore e talentuar. Mimika Luca shquhet edhe për talentin që ajo gëzonte për baletin. Ajo ka interpretuar si balerinë së skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, nga viti 1951-1962, koha kur artistja edhe spikati në këtë drejtim.
Pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, një aktor i jashtëzakonshëm, i cili numëron me dhjetra role në interpretimin e karaktereve dhe figurave artistike, Mimika iu përkushtua me dashuri artit dramatik dhe pati sukses në interpretimet e saj. Më pas, në vitin 1962, ajo u pranua si aktore në institucionin që njihej si Teatri Popullor dikur, e Teatri Kombëtar sot.
Gjatë karrierës së saj 15-vjeçare si aktore Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 role, ku ndër to do të veçonim Luçia te “Borgjezi fisnik”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”. Por një ka rolet që i dha një sukses të padiskutueshëm me interpretimin e saj, ishte ai në dramën “Drita”, vepër e shkruar nga vetë aktorja.
Mimika Luca interpretoi gjithashtu edhe në shumë filma artistik, si “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Taulanti kërkon një motër”, e shumë të tjerë. Në vitin 1977, ajo emërohet edhe pedagoge në “Institutin e Lartë të Arteve” dega e Dramës.
/rtsh.al/