E Diel, 1 Nëntor 2026

Teodor Laço: Para 10 vitesh, Kadare donte të bëhej president

TIRANE - Një nga shkrimtarët më të njohur dhe politikanët kryesorë të së djathtës shqiptare përgjatë 20 viteve pluralizëm, por tashmë i tërhequr nga politika, z. Teodor Laço përfshihet në debatin për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Ish-kreu i PBDL-së, ish-deputet dhe ministër i Kulturës, në këtë intervistë për "Gazeta Shqiptare" nuk e fsheh preferencën për emrin e Neritan Cekës si president i ri, ndërsa nuk fsheh faktin se më pranë kësaj karrigeje është znj. Jozefina Topalli. Kjo, sipas tij, për faktin se Topalli ka mbështetjen e mazhorancës. Teodor Laço ka bindjen e plotë se mazhoranca nuk mund ta zgjedhë presidentin e ri pa votat e aleatëve. Për z. Laço do të ishte e vështirë zgjedhja e një presidenti jashtë politikës, ndërsa tregon se 10 vite më parë i kishte propozuar shkrimtarit të njohur Ismail Kadare që të bëhej president i vendit. Laço zbardh bisedën në "Rogner" para 10 vitesh me z. Kadare dhe se si ai donte ta propozonin partitë e mëdha.
Z. Laço, si e konsideroni debatin për presidentin e ri të vendit?
Duhet pranuar se është vetëm fillimi. Aktualisht shohim që kanë dalë në pah disa kandidatura, por patjetër që do të ketë emra të tjerë konkurrentë për postin e kreut të lartë të shtetit.
Nga emrat që qarkullojnë aktualisht, kë shikoni si më të mundshmin?
Procesi ende nuk ka nisur zyrtarisht, gjithsesi mendoj se gara do të jetë e fortë.
Për shembull, e shikoni Fatos Nanon një kandidaturë favorite?
Jo, nuk e shikoj të tillë. Madje nuk do të më pëlqente që të ishte Nano president, shtuar këtu faktin që nuk ka mbështetjen politike. Duket qartë që i mungon, si nga PD-ja ashtu dhe nga vetë partia e tij.
Po kandidatura e znj. Jozefina Topalli?
Kandidatura e znj. Topalli është më e mundshmja dhe më duket më favoritja. Ajo është një politikane e njohur e së djathtës. Topalli gëzon mbështetjen e mazhorancës, ndaj është më e mundshmja deri tani. Megjithatë, unë do të konsideroja kandidaturën e z. Neritan Ceka për postin e presidentit të vendit.
Pse duhet të zgjidhet z. Ceka president?
Ka parametra të dukshme për postin e kreut të lartë të shtetit, plus që vjen nga partitë e vogla dhe jo partitë kryesore në vend. Do të ishte figurë ekuilibruese në momentet e duhura. Mund të marrë mbështetjen e partive të mëdha. Z. Ceka është një folës mjaft i mirë i gjuhëve të huaja. Presidenti i vendit duhet të jetë dhe i paraqitshëm nga të gjitha anët, jo vetëm nga ajo fizike, por edhe se si ai mundet të përmbushë detyrën që i ka përcaktuar Kushtetuta. Presidenti është një figurë analitike, megjithatë debati që po bëhet tani, bëhet si provë për mazhorancën, për të parë nëse i ka apo jo votat për të zgjedhur kreun e ri të shtetit, ose për ta futur në krizë.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Është e qartë, është në provë mazhoranca nëse do të mundet ta zgjedhë presidentin e ri.
Ju dyshoni se mazhoranca nuk i ka votat?
Mendoj se i ka dhe se do ta zgjedhë ajo presidentin e ri të vendit.
Duket se aleatët e PD-së, sidomos LSI, po bëjnë presion ndaj z.Berisha në rastin e zgjedhjes së Presidentit; kështu është në të vërtetë?
Unë besoj se deklaratat e z.Meta dhe z.Luan Rama kanë qenë publike dhe të qarta, që do të respektojnë marrëveshjen me PD-në për zgjedhjen e kreut të shtetit. Përderisa kanë folur drejtuesit e partive besoj se janë burra dhe e mbajnë fjalën.
Pra, pa aleatët PD-ja nuk mund ta zgjedhë presidentin e ri?
Partia Demokratike e ka të pamundur ta zgjedhë presidentin pa aleatët sepse nuk i ka votat. Bashkë me ta, ajo ka të drejtën kushtetuese që ta zgjedhë atë.
Partitë e vogla sipas Kushtetutës bëhen pjesë e zgjedhjes së kreut të shtetit. A do të bëjë propozimet e saj Partia Bashkimi Liberal Demokrat, të cilën ju e keni drejtuar vite me radhë?
Jo, nuk besoj që PBLD do të bëjë ndonjë propozim konkret.
Kreu i PBDL-së, z.Arian Starova është deklaruar për një kandidaturë femër për presidente, duke nënkuptuar znj.Topalli...
E thashë më lart, që znj. Topalli është më e mundshmja për presidente, pasi ka mbështetjen e mazhorancës. Nga të gjithë emrat e përmendur deri tani, ajo është më pranë të bërit presidente.
Do të ishte zgjidhja më e mirë një president jashtë politikës?
Është shumë e vështirë që të arrihet presidenti jashtë radhëve të politikës, por nëse do të gjendej do të ishte mirë. Si në rastin e zgjedhjes së Alfred Moisiut, por duket se "bathët" janë të vona për këtë lloj zgjedhjeje.
Keni qenë ju që e propozuat emrin e gjeneral Alfred Moisiut, por a jeni penduar për zgjedhjen që bëtë?
Jo, nuk jam penduar aspak, pasi zgjedhja ishte më e mira për kushtet në të cilat ndodhej politika në atë periudhë.
Edhe pavarësisht aku-zave që bëri PD-ja ndaj Moisiut president?
Pavarësisht këtyre akuzave, pavarësisht kontestimeve të PD-së më vonë, nuk kam penduar. Pastaj, unë kam një libër që pritet të dalë për botim, ku po shkruaj për ngjarjet politike nga viti 1997-2005, dhe në bazë të analizave më rezulton se z.Moisiu në të shumtën e rasteve ka mbajtur qëndrime të drejta, ka zbatuar detyrën që parashikonte Kushtetuta dhe nuk është nënshtruar përballë presioneve politike.
Po presidencën Topi si e konsideroni?
Z.Topi ishte një nga drejtuesit e lartë të PD-së, e cila vetë e zgjodhi dhe më pasi i rezultoi se nuk është bërë garant i Kushtetutës. Ndaj, nuk mund të flas apo të bëj një krahasim me presidencën Moisiu, pasi Topin e propozoi PD-ja, pjesë e së cilës ishte vetë z.Topi.
Nëse ju propozojnë ju që të bëheni president, do ta pranoni?
Mos qoftë e thënë. Tani jam shumë larg kësaj. Nuk jam më aktiv në politikë. Tashmë kam ovokacion librat. Megjithatë politikën e ndjek çdo ditë, por pa preferuar që të jem pjesë aktive e saj.
Po kandidaturën e shkrimtarit Ismail Kadare, si e shikoni?
Para shumë vitesh, në një bisedë në ambientet e "Rogner"-it, i kam propozuar z.Kadare që të bëhej president por atëherë ngjante si një shaka. Vetë Kadare m'u përgjigj: "Si mund të kandidoj pa më propozuar të mëdhenjtë e politikës?".
Pra, ka qenë dëshira e tij që të kandidonte për president?
Kjo bisedë është bërë para shumë vitesh dhe më vonë z.Kadare është propozuar disa herë për t'u bërë president, por mesa di unë ka refuzuar. Kur nuk pranoi para 10 vitesh nuk besoj se do të pranojë tani, pavarësisht se do të ishte kandidatura më e vlerësuar.
Do të ishte një alternativë, që t'i lihej opozitës zgjedhja e presidentit të vendit, qoftë dhe për një balancim të pushteteve?
Nuk jam kundër për të gjetur një president nga opo-zita, por përderisa mazho-ranca i ka votat për ta zgje-dhur, atëherë pse mos ta zgjedhë e djathta. Është e drejta e saj kushtetuese që ta zgjedhë, sepse i ka votat në Kuvend. Gjithsesi, duket se do të jetë një proces i gjatë, i cili mendoj se nuk do të marrë zgjidhje që në raundet e para.
Është e mundur që në momentet e fundit të shohim kandidaturën e z.Berisha për president?
Nuk besoj që z.Berisha do të donte të bëhej president. Ai e ka deklaruar vetë, që nuk do të kandidojë për këtë post dhe jam i bindur se ai zakonisht u përmbahet fjalëve të thëna. Berisha nuk i ndryshon ato që thotë, kështu që nuk e shoh president në të ardhmen.
Po për sa i përket partisë së re "Fryma e Re Demokratike", kryesimin e së cilës pritet ta marrë z.Bamir Topi, besoni se do të shndërrohet ashtu siç është deklaruar në një forcë të rëndësishme në politikën shqiptare?
Aspak, referuar historisë së pluralizmit politik në Shqipëri. Rastet kanë qenë të shumta, kur janë krijuar parti të reja dhe në fund janë shkrirë si kripa në shi. Kemi plot raste kur individë të njohur të politikës janë shkëputur nga partitë dhe kanë krijuar fraksione, por me kalimin e kohës janë kthyer tek partia mëmë. Rasti konkret është ai i PAD-së apo i partisë së Genc Pollos, i cili pasi krijoi partinë e tij mbajti qëndrime të drejta dhe që ishin krejt ndryshe nga ato të opozitës së atëhershme. Por sot është kthyer në Partinë Demokratike. Apo ish-drejtuesit e PAD-së që prej vitesh janë rikthyer në PD. Pra, duke iu referuar këtyre rasteve, kam bindjen e plotë se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me partinë e re të z.Topi. Kjo, për faktin se është vështirë të krijosh një alternativë të re, ndaj jam mosbesues ndaj krijimit të këtyre partive të reja.
Ju thatë pak më lart, se tashmë po merreni me botimin e ngjarjeve politike nga viti 2007 deri në vitin 2005, por pse pikërisht tani vendosët të shkruani në "Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar" për vitin e vështirë të '97-ës?
Po shkruaj për atë vit, sepse për ato që kishin ndodhur në atë vit, - vit 'të zi' do ta quaja, - mua më duhej një kohë e mjaftueshme reflektimi. Mbi shumë ngjarje të errëta, dramatike, tragjike, koha do të përhapte mjegullnajën që i rrethonte; shumë protagonistë të tyre do të vendoseshin më drejt. Kjo quhet drejtësi e kohës së çliruar nga pasionet, armiqësitë dhe anësitë politike.
…Dhe kur do të dalë libri në treg?
Sapo të bëj disa saktësime me shtypin e kohës. Sepse kujtimet sado të mundohesh, do kenë firo, edhe pse unë jam një nga ata fanatikët e ditarëve dhe ditarët janë shumë të rëndësishëm.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›