Milo e Gjinushi: ODIHR është vegël e Berishës
Tiranë- Zemërimi i partive të vogla shpërthen tashmë jo ndaj dy partive të mëdha, por ndaj diplomatëve të zyrës së ODIHR-it në Tiranë, të cilët monitorojnë hartimin e reformës zgjedhore.
Pasi është pezulluar ideja e numërimit elektronik të votave, me kërkesë të ODIHR, dhe kur komisionit parlamentar i ka skaduar afati ligjor, pasi mori njëherë shtyrje nga parlamenti, reforma zgjedhore është sërish në ngërç.
Por më shumë në ngrëç duket strategjia e partive të vogla për të ndërhyrë në sistemin zgjedhor dhe për të patur më shumë shanse të futen në parlament. Në këto kushte, Skendër Gjinushi dhe Pasakl Milo u takuan sot paradite me kreun e PS-së Edi Rama, dhe sapo dolën nga selia rozë nuk u përmbajtën në deklaratat e tyre kundër ODIHR-it.
Paskal Milo ka shprehur habinë dhe shqetësimin si është e mundur që ODIHR, del kundra numërimit elektronik të votave duke minuar kështu jo vetëm punën e komisionit të reformës zgjedhore por edhe procesin e zgjedhjeve në 2013-tën. Sipas zotit Milo, Shqipëria nuk mund të kthehet në një vend-laborator për të eksperimentuar projektet pilot të ODIHR, në një kohë kur zgjedhjet shqiptare kanë një emërues të përbashkët, që është vjedhja e votës.
E ndërsa kryeministri Berisha nga mbledhja e grupit parlamentar të PD tha se ODIHR është një gardian i zgjedhjeve, kreu PSD Skëndet Gjinushi akuzoi këtë organizatë se është vënë në shërbim të kryeministrit dhe maxhorancës. Sipas Gjinushit, zyra e ODIHR-it në Tiranë është duke vepruar ndryshe nga politikat e zyrës qëndrore, duke u vënë kështu në shërbim dhe duke bërë lojërat politike të Sali Berishës.