Festivali i Gjirokastrës, në ditën e trashëgimisë
Festivalit Folklorik Ndërkombëtar" do të organizohet gjatë muajit shtator 2009 në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Këtë datë e ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, në një konferencë të djeshme për shtyp. Ai e cilësoi këtë aktivitet si një veprimtari shumë të rëndësishme të trashëgimisë shpirtërore kombëtare edhe për faktin që po zhvillohet në Kalanë dhe Qendrën Historike të qytetit muze të Gjirokastrës, pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s. "Organizimi i Festivalit Folklorik Kombëtar ‘Gjirokastër 2009‘, ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe propagandimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë shpirtërore, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, të kostumeve popullore, veglave muzikore, riteve, traditave, zejeve etj., të krijuara prej shekujsh nga populli", tha ministri Pango. Festivali që organizohet njëherë në 5 vjet parashikohet të zhvillohet në ceremoninë e hapjes paraditen e datës 24 shtator dhe përfundon përkatësisht me ndarjen e çmimeve fituese më 29 shtator në Kalanë e Gjirokastrës, në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. MTKRS vendosi që grupet përfaqësuese të përbëhen nga 60 artistë, nga 50 që ka qenë në festivalet e tjera dhe koha e konkurrimit për secilin prej tyre të jetë 30 minuta, nga 20 që ka qenë më parë. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike, në bashkëpunim edhe me specialistët e Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, kanë si detyrë të ndjekin nga afër të gjitha përgatitjet që do të bëhen për këtë veprimtari të rëndësishme kombëtare.