Teoria e kaosit dhe fenomene si gjakmarrja apo korrupsioni
“Teoria e Kaosit” - njihet tashmë si shkenca që studion rrëmujën, kompleksitetin, veprimin a sjelljen e ripërsëritur në mënyrë të çrregullt e të paparashikuar. Ajo njihet ndryshe, edhe si shkenca e trazirës. Por mbi të gjitha, Teoria e Kaosit është cilësuar si revolucioni i tretë më i madh shkencor i kohës sonë, pas Teorive të Relativitetit dhe Fizikës Quantike.
Për shkencat shoqërore, fundi i shekullit të XX dhe fillimi i shek.XXI, përbëjnë periudhën me zhvillime ndoshta nga më të paparashikueshmet në histori. Për shembull, në vitet ’90, ndërsa bota kishte hyrë në periudhën e integrimeve, në shumë pjesë të saj morën hov lëvizje separatiste; federata thuajse 100 vjeçare, si Bashkimi Sovjetik e Jugosllavia, Çekosllovakia u shpërbënë, përmbysje sistemesh ndodhën; trazira, luftëra dhe në fund, krijimi i shteteve të reja si Timori Lindor e Kosova.
Në vitin 1981, në Prishtinë, një grup të rinjsh studentë u hodhën në demonstratë duke arritur të zgjojnë ndërgjegjen e mbarë popullatës. Ata u bënë gjithashtu forca fillestare për zhvillime të tjera të njëpasnjëshme në mbarë Jugosllavinë, deri në shpërbërjen e saj. Kështu ndodhi edhe me rënien e komunizmit në Evropën Lindore. Një grevë punëtorësh në Gdansk, krijoi forcën fillestare që nevojitej për të përgatitur stuhinë në mbarë Evropën Lindore.
Ndoshta, përmes Teorisë së Kaosit, shkencëtarët një ditë do të arrijnë të shpjegojnë fenomene të tilla, si gjakmarrja e korrupsioni, apo përse shpesh 2 vende, megjithëse me sisteme të ngjashme qeverisëse, apo dy njerëz me të njëjtat aftësi e në kushte të barabarta, njëri arrin të bëhet i suksesshëm e tjetri jo.
A është fati i tyre rastësi a probabilitet? Sepse pas udhëtimit të përbashkët, ata mbërrijnë atje ku rruga degëzohet dhe pas kësaj, çdo gjë varet nga zgjedhja që secili bën, ashtu siç shkruan Frosti: "Dy rrugë ndaheshin në pyll, e unë - Unë mora atë më pak të shkelur… - Dhe kjo ndryshoi gjithçka".