E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albpetrol i ka shitur ARMO-s naftë pa kontratë

Drejtuesit e Albpetrol nuk kanë shfrytëzuar kushtet e kontratës për të vjelur detyrimet nga blerësit

KLSH: Përgjatë muajve nëntor 2008-prill 2009 nuk ka ekzistuar asnjë kontratë shitjeje midis dy kompanive

TIRANË- Abuzimet në kompaninë shtetërore të naftës Albpetrol për sa i përket marrëdhënieve të saj më ARMO-n kanë vazhduar edhe pas privatizimit të kësaj të fundit. Nëse më parë nafta bruto apo gazi natyror shiteshin qoftë edhe pa u shlyer detyrimet por të paktën ishte lidhur një kontratë dhe dihej se sa ishte borxhi që blerësit kishin ndaj Albpetrolit pas muajit nëntor 2008, të paktën për sa i përket ARMO-s shitja ka vazhduar pa kontratë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton se përgjatë muajve nëntor 2008-prill 2009, Albpetrol i ka shitur kompanisë ARMO naftë bruto apo gaz natyror pa lidhur asnjë kontratë duke lënë hapësira për abuzime. Kjo sipas KLSH-së ka ndodhur pasi në muajin nëntor të vitit të shkuar, kompania ARMO nuk ka pranuar çmimin me të cilin Albpetrol ia ka faturuar asaj naftën dhe gazin natyror. Për shkak të kësaj marrëdhënie raportohet se arkës së Albpetrolit rrjedhimisht edhe buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm financiar rreth 75 milionë lekë. " Konstatojmë se për periudhën 27.11.2008-30.04.2009 shitjet e naftës bruto, gazit natyror kompanisë AMRA Oil (ARMO) janë bërë pa kontratë duke lenë hapësira për keqmenaxhim në shitjet e mallrave pasi në muajin nëntor 2008 kompania AMRA nuk ka pranuar çmimin e faturimit", - citohet në raportin e KLSH-së në të cilin gjithashtu theksohet se përgjegjësit e kësaj situate janë drejtuesit e kompanisë Albpetrol si Departamentet e Prodhimit dhe të Financës të cilët kanë pranuar që t'ia shesin naftën ARMO-s pa kontratë paraprake.

Në fund të një kontrolli që zgjati dy muaj në zyrat e Albpetrolit, KLSH ka zbulur një serë shkeljesh të cilat në vlerë monetare kapin vlerën e disa miliardë lekëve duke u bërë shkak për rëndimin e gjëndjes finaciare të kompanisë aq sa të mos mundej të paguante pagat e punonjësve. Shkeljet janë shtrirë në disa sektorë. Kështu, për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve financiare që ARMO i kishte Albpetrolit buxhetit arkës së kësaj të fundit i është shkaktuar një dëm rreth 2.5 miliardë lekë. Po ashtu vetëm për shkak të vonesave në shlyerjen e detyrimeve financiare nga operatorët e tjerë ndaj Albpetrolit, arkës së këtij të fundit i është shkaktuar një dëm prej disa milionë lekësh.

Por krahas mosshlyerjes së detyrimeve financiare apo vonesave, KLSH raporton se shkak për gjendjen e rënduar financiare të Albpetrolit është bërë edhe neglizhenca e drejtuesve të tij për t'i kërkuar kompanisë debitorë kryerjen e pagesave. Gjëndja paraqitet edhe më e rënduar duke parë që në kontratate shitjeve Albpetrol ka qënë i favorizuar por kjo nuk është shrytëzuar nga drejtuesit për të detyruar blerësit që të shlyenin faturat.

Në një pike të kontratës së lidhur midis Albpetrolit dhe ARMO-s në harkun kohor maj 2007 dhjetor 2008 përkufizohej se nëse kjo e fundit nuk përmbushte detyrimet financiare ndaj palës tjetër duhej të përballej me sanksione deri në shlyerjen e plotë të tyre.

Kështu, për çdo vonesë në shlyerje, pas afatit 15 ditë nga marrja e produktit, blerësi duhet t'i paguante shitësit një përqindje të caktuar të vlerës totale të kontratës. Sipas KLSH, megjithëse kishin në anën tyre këtë pikë të kontratës e cila ishte detyruese ndaj palës blerëse, drejtuesit e Albpetrolit janë treguar neglizhentë në shfrytëzimin e saj për të përmirësuar arkën e kompanisë.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›