E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt përfundimit shpërndarja e kartave të identitetit - paniku po çon Edvinin tek bojkoti

Ish-komunistët tregohen gjithmonë përsëritës, edhe kur predikojnë politikën e re. Ministria e Brendshme ka njoftuar dje se kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike 450 mijë shtetas, çka tregon se priten të aplikojnë më pak se 100 mijë. Suksesi ka detyruar opozitën kafkëthyese të flasë për bojkot, si e vetmja mënyrë që do ta mbajë atë në politikë e do ta mbrojë nga hetimi i organeve të drejtësisë

Ministria e Brendshme i është përgjigjur dje pozitivisht kërkesës së dy ditëve më parë të Partisë Socialiste përmes një letre zyrtare lidhur me ecurinë e deritanishme 

të procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me kartat e reja te identiteti si dhe me listën e qytetarëve që nuk zotërojnë pasaporta. Në përgjigjen e kthyer dje Ministria e Brendshme nënvizon faktin se deri më datën 26 maj kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike 1 milionë e 100 mijë shtetas, ku rreth 450 mijë prej tyre i takojnë grupit të qytetarëve pa pasaportë. Nga disa testime të bëra në terren rezulton se 160 mijë deri në 260 mijë shtetas nga grupi i personave që nuk zotërojnë pasaportë, janë jashtë Shqipërisë, fakt të cilin e kanë pranuar edhe përfaqësues të Partisë Socialiste. “Ministria e Brendshme i ka dërguar Partisë Socialiste së bashku me letrën, listën emërore të të gjithë votuesve pa pasaportë që nuk kanë aplikuar ende për letërnjoftime elektronike. Ministria e Brendshme i ka kërkuar Partisë Socialiste të respektojë Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale gjatë përdorimit të këtyre informacioneve. Ministria e Brendshme ka garantuar se bazuar në kapacitetet reale që ndodhen në terren, ekzistojnë mundësitë e plota që çdo qytetar të ketë një dokument identiteti për të votuar në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. 

Ankesat e Kastriot Islamit

Por sërish kjo përgjigje nuk i ka pëlqyer lidershipit socialist me arsyetimin se, “përgjigjja e ministrisë nuk ka firmën e ministrit Bujar Nishani, dhe si e tillë është konsideruar abuzive duke mos përmbushur kërkesat e PS, për vënien në dispozicion të tre listave”. Sekretari për Çështje Zgjedhore në PS, Kastriot Islami i cili në dy ditë doli tri herë para mediave, vetëm në daljen e tij të fundit kuptoi se lista e dërguar nga ministria nuk ishte ajo që ai kishte ëndërruar dhe kishte kërkuar nga Partia Socialiste, duke theksuar edhe njëherë se PS kërkon të ketë në dorë brenda datës 31 maj, listën e votuesve që kanë aplikuar dhe ata që janë pajisur me letërnjoftimin elektronik. Ndërkaq ai i bëri thirrje qeverisë të heqë dorë nga abuzimet dhe të bëjë transparencën për ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me kartën e identitetit në mënyrë që asnjë qytetar të mos privohet nga e drejta për të votuar në 28 qershor. Zyrtari socialist tha se do të pritet datat 31 maj për të parë reagimin e qeverisë ndaj kërkesave të PS dhe më pas do të jepet një opsion përfundimtar i partisë më të madhe opozitare në lidhje me hyrjen ose jo në zgjedhje. 

Sqarimet e Ministrisë së Brendshme

Pas ankesave të përsëritura të Kastriot Islamit, për mosvënien në dispozicion të listës së personave të pajisur me pasaporta elektronike, Ministria e Brendshme, ka ripërsëritur dje sqarimin e saj të datës 19 maj 2009, për një kërkesë të njëjtë të PS-ës të bërë në 11 maj 2009. 

“Ministria e Brendshme, ju drejtua institucionit të Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, si autoritet përgjegjës, që mbikëqyr dhe monitoron në përputhje me ligjin, mbrojtjen e të dhënave personale, duke respektuar e garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Në vijim të përgjigjes së Komisionerit, theksohet se Ministria e Brendshme kryen përpunimin e të dhënave, me cilësinë e kontrolluesit, në përputhje me nenet 5 dhe 6 të ligjit nr. 9887, datë 10. 03.2008 ‘Për mbrojtjen e të dhënave personale’ që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale dhe me kriteret ligjore të përpunimit. Ajo duhet të zbatojë rigorozisht kërkesat e nenit 27/3, ‘Masat për sigurinë e të dhënave personale’ ku thuhet, ‘Të dhënat e dokumentuara nuk përdoren për qëllime të tjera, që nuk janë në përputhje me qëllimin e grumbullimit. Ndalohet njohja ose çdo përpunim i të dhënave të regjistruara në dosje për një qëllim të ndryshëm nga e drejta për të hedhur të dhëna’”, sqaroi sërish dje Ministria e Brendshme.

Në vijim të këtij sqarimi, Ministria e Brendshme ka ripërsëritur arsyen për mosvënien në dispozicion të PS-ës të listës së personave të pajisur me pasaporta elektronike.

“Në këndvështrimin e mësipërm, gjykojmë se informacioni i kërkuar nga Ju, ka të bëjë me të dhëna personale për persona fizikë, të cilët janë identifikuar ose të identifikueshëm dhe sit ë tilla, mbrohen me ligj. Ministria e Brendshme si institucion shtetëror mund të shkëmbejë të dhëna statistikore apo shkencore, vetëm duke ruajtur privatësinë dhe siguruar të dhënat personale të subjekteve të të dhënave”, përfundon sqarimi i Ministrisë së Brendshme.

LIGJ 

Nr. 9887, datë 10. 03.2008

“Për mbrojtjen e të dhënave personale”

Kreu II

Përpunimi i të dhënave personale

Neni 5

Mbrojtja e të dhënave personale

1. Mbrojtja e të dhënave personale bazohet:

a) në përpunimin në mënyrë të ndershme, të drejtë dhe të ligjshme;

b) në grumbullimin për qëllime specifike, të përcaktuara qartë, e legjitime dhe në përpunimin në përputhje me këto qëllime;

c) të dhënat duhet të jenë të mjaftueshme, të lidhen me qëllimin e përpunimit dhe të mos e tejkalojnë këtë qëllim;

ç) në saktësinë nga ana faktike dhe, kur është e nevojshme, përditësimin e kryerjen e çdo veprimi për të siguruar që të dhënat e pasakta e të parregullta të fshihen apo të ndryshohen;

d) në mbajtjen në atë formë, që të lejojë identifikimin e subjekteve të të dhënave për një kohë, por jo më tepër sesa është e nevojshme për qëllimin, për të cilin ato janë grumbulluar ose përpunuar më tej.

2. Kontrolluesi është përgjegjës për zbatimin e këtyre kërkesave në të gjitha përpunimet automatike ose me mjete të tjera të të dhënave.

Neni 6

Kriteret ligjore për përpunimin

1. Të dhënat personale përpunohen vetëm:

a) nëse subjekti i të dhënave personale ka dhënë pëlqimin;

b) për hartimin dhe përmbushjen e kontratave, në të cilat subjekti i të dhënave personale është palë;

c) për të mbrojtur interesat jetikë të subjektit të të dhënave; 

ç) për përmbushjen e një detyrimi ligjor të kontrolluesit;

d) për kryerjen e një detyre ligjore me interes publik ose ushtrimin e një kompetence të kontrolluesit ose të një pale të tretë, së cilës i janë përhapur të dhënat;

dh) për ndjekjen e interesave legjitimë të kontrolluesit ose të një pale të tretë, së cilës i janë përhapur të dhënat, përveç kur këta interesa mbizotërojnë mbi interesat për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive themelore të subjektit të të dhënave.

2. Përpunimi i të dhënave personale, të përcaktuara në kuadër të veprimtarive të parandalimit dhe ndjekjes penale, për kryerjen e një vepre penale kundër rendit publik dhe të veprave të tjera në fushën e të drejtës penale, si dhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, kryhet nga autoritetet zyrtare të përcaktuara në ligj.

Kreu VII

Siguria e të dhënave personale

Neni 27

Masat për sigurinë e të dhënave personale

3. Të dhënat e dokumentuara nuk përdoren për qëllime të tjera, që nuk janë në përputhje me qëllimin e grumbullimit. Ndalohet njohja ose çdo përpunim i të dhënave të regjistruara në dosje për një qëllim të ndryshëm nga e drejta për të hedhur të dhëna. Përjashtohet nga ky rregull rasti kur të dhënat përdoren për parandalimin ose ndjekjen e një vepre penale.

Letra e djeshme e Ministrisë së Brendshme drejtuar PS-ës

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

MINISTRIA E BRENDSHME     

ZËVENDËSMINISTRI

Nr. 3998/1 Prot.                                                                              Tiranë, më 27. 05. 2009

Drejtuar: Zotit Kastriot Islami

Partia Socialiste e Shqipërisë

Për dijeni: Prezencës së OSBE-së në Tiranë

Shkëlqesisë së Tij, Zotit Robert Bosch, Ambasador

ODHIR, Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Shqipëri

Shkëlqesisë së Saj, Zonjës Audrey Glover, Ambasador

Zoti Islami,

Pasi u njohëm me letrën tuaj të datës 26 Maj 2009, si dhe në vijim të të gjitha informacioneve zyrtare që ju kemi dërguar në datat; 1 Shkurt 2009, 20 Mars 2009, 1 Prill 2009, 7 Prill 2009, 15 Prill 2009, 30 Prill 2009, 5 Maj 2009 dhe 19 Maj 2009 ju informojmë se procesi i pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik po ecën me ritme shumë të mira.

Ky proces është i shtrirë në të gjitha zyrat e Gjendjes Civile, të të gjitha komunave dhe bashkive të vendit.

Deri në datën 26 Maj 2009 kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 1 100 173 (një milion e njëqind mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre) shtetas, nga të cilët 979 763 (nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre) janë hedhur në sistemin e kontrollit të dokumenteve, prej të cilëve 404 956 (katërqind e katër mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e gjashtë) janë identifikuar se i përkasin grupit të qytetarëve që janë pa pasaportë.

Duke pasur parasysh shumën e përgjithshme 1 100 173 (një milion e njëqind mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre) të personave që kanë aplikuar, do të thotë se totali i përgjithshëm i personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri në datën 26 Maj 2009 është rreth 450 000 (katërqind e pesëdhjetë mijë).

Gjithsesi ne besojmë thellë se një numër i konsiderueshëm i atyre që rezulton të mos e kenë një pasaportë udhëtimi, të jenë jashtë Shqipërisë si pasojë e emigracionit të paligjshëm të ndodhur prej më shumë se 15 vitesh.

Disa testime provojnë se ky numër luhatet nga 160 000 deri në 260 000.

Për më tepër në korrespondencën e Partisë Socialiste drejtuar grupit negociator për çështjen e kartave, ju citoni se prisni që nga grupi i qytetarëve pa pasaportë të paraqiten për aplikim jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë)  të tillë. Shifër të cilën e kanë konfirmuar edhe diplomatë të huaj pas takimeve me ju.

Besojmë se në këtë përcaktim Kryetari juaj nuk ka nënkuptuar diçka tjetër përveçse mungesës në Shqipëri të rreth 260 000 personave nga ky grup. 

Ju sigurojmë gjithashtu se në të gjithë vendin janë funksionale,  kapacitetet e plota për pajisjen e të gjithë votuesve pa pasaportë që të aplikojnë dhe të pajisen me letërnjoftimin elektronik. Kështu, këto kapacitete ofrojnë mundësi për aplikimin e rreth 500 000 (pesëqind mijë) shtetasve deri më datën 14 Qershor 2009. Sistemi ka treguar se është i aftë të pranojë deri në 20 000 (njëzetë mijë) aplikime në ditë.

Ju sigurojmë gjithashtu se asnjë shtetas që nuk ka pasaportë dhe që është paraqitur pranë zyrave të aplikimit nuk ka mbetur pa aplikuar.

Sipas kërkesave tuaja specifike në letrën e sipërpërmendur po ju informojmë se;

Bashkëlidhur po ju dërgojmë listën emërore, sipas njësive  vendore, të votuesve pa pasaportë që kanë mbetur ende pa aplikuar për letërnjoftimin elektronik.

Në lidhje me listën e votuesve që e kanë marrë letërnjoftimin, ju sqarojmë se për shkak të procedurës që kërkon ky proces dhe kërkesës suaj të paparashikuar , do t’jua vëmë në dispozicion sapo ta kemi nga koncensionari. 

Në lidhje me listën e votuesve me pasaportë, referojuni përgjigjes sonë që ju kemi dërguar më datë 19 Maj 2009, Nr. 3612/3 Prot.

Me këtë rast, ju shprehim shqetësimin tonë në lidhje me përdorimin e jashtëligjshëm nga ana juaj të të dhënave personale të shtetasve që ne ju kemi dërguar deri tani. Kemi konstatuar se ju këto të dhëna i keni shpërndarë tek persona të pa autorizuar dhe duke i përdorur publikisht, çka dhunon kështu mbrojtjen e të dhënave dhe legjislacionin përkatës. Për këtë, kërkojmë nga ju respektimin e përcaktimit ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale.

Duke mbetur të hapur për çdo informacion,

Sinqerisht,

Ferdinand PONI

Zëvendësministër

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›