Ultimatumi i KQZ-se: Brenda 30 majit, drejtuesit vendore te dorëzojne listat perfundimtare te zgjedhesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka drejtuar dje një apel drejtuesve të njësive vendore, që brenda datës 30 maj të dorëzojnë sipas ligjit listën përfundimtare të zgjedhësve që do të votojnë më 28 qershor. Ky apel është bërë nga vetë Kryetarit i KQZ-së, Arben Ristani, i cili është shprehur se po shkelet në mënyrë flagrante Kodit Zgjedhor nga mjaft drejtues të pushtetit vendor, duke mos dorëzuar brenda afateve listën përfundimtare të zgjedhësve. Duke e cilësuar këtë qëndrim si papërgjegjshmëri të drejtuesve të pushtetit vendor, Ristani konstatoi se “mos dorëzimi i listave përfundimtare të zgjedhësve nga drejtuesit e pushtetit vendor, po rrezikon procesin zgjedhor”. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani theksoi se “mospërmbushja e detyrimit ligjor të dorëzimit brenda afateve të listës përfundimtare të zgjedhësve, përcaktimi i Qendrave të Votimit, numërimit dhe vendndodhja e tyre, shkakton vonesa të rrezikshme në përgatitjen e bazës logjistike apo dhe materialeve të tjera zgjedhore”. Kryetarit Ristani, tha se “këto detyrime të paplotësuara nga autoritetet vendore po mbajnë të bllokuar edhe prodhimin e fletëve të votimit”.
Duke vërejtur këto mangësi, dhe moszbatim i vazhdueshëm i kuadrit ligjor, në emër të KQZ-së, kryetari Ristani u bëri apel të gjithë drejtuesve vendorë që brenda 30 majit, të përmbushin menjëherë këto detyrime. Kreu i KQZ-së paralajmëron se në rast të mos zbatimit të afatit të fundit të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor, “ata do të përballen jo vetëm me masa administrative, sikundër ndëshkimi i mëparshëm administrativ me 50 mijë lekë ndaj 77 drejtuesve vendorë, por do të shikohet me vëmendje nëse këto veprime përbëjnë edhe abuzim me detyrën”. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon intensivisht punën, edhe jashtë orareve të përcaktuara, në kuadër të përgatitjeve për infrastrukturën e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit.
...