Tepelenë, endacaku grabitës “luftë” me një familje
TEPELENE – Arrestohet nga policia autori i grabitjes me dhunë në një familje gjirokastrite. Arben Çeço, 39 vjeç, nga Tirana ka dashur të hynte forcërisht në banesën e shtetasit A.K., në lagjen nr.1 në Tepelenë, por është përballur me pronarin e shtëpisë. Ky i fundit ka denoncuar ngjarjen në polici, ndërsa dje forcat e rendit kanë vënë në pranga 39-vjeçarin nga Tirana. Tentativa e grabitjes ka ndodhur në orët e para të së dielës kur Çeço pasi ka prerë rrjetën mbrojtëse të dritares së dhomës së gjumit, ka hyrë në banesë. Të zotët e shtëpisë e kanë dëgjuar zhurmën dhe menjëherë janë përleshur me grabitësin. Duke parë se konflikti merrte trajta serioze, në ndihmë të pronarit të banesës kanë shkuar edhe komshinjtë, të cilët nga ana e tyre lajmëruan policinë. Në vendngjarje ka mbërritur grupi i gatshëm i Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe forcat e Stacionit të Policisë së Memaliajit. Ndërhyrja e tyre është kundërshtuar nga grabitësi i cili tentoi të largohej, por është ndaluar dhe shoqëruar forcërisht për në komisariatin e Policisë Tepelenë. «Përleshja nuk ka pasur të lënduar ndonëse konflikti gati 15 minuta», u shprehen të zotët e shtëpisë. Nga veprimet e para hetimore, por edhe nga informacionet e marra nga Komisariati i Policisë së Tiranës, hetuesit thanë se autori i tentativës së grabitjes ishte endacak. Disa ditë më parë mësohet se ai ka qenë pjesëmarrës në një konflikt fizik në një lokal në fshatin Grapsh të Dropullit të Poshtëm në Gjirokastër. Pas kësaj ngjarje, policia e shoqëroi 39-vjeçarin që u dënua me gjobë për prishje të qetësisë publike. Pas arrestimit për tentativën e grabitjes, policia tha se materialet hetimore për ngjarjen i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës me akuzat e dhunimit të banesës dhe kundërshtimit të punonjësve të policisë. p.n