E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen pengmarrësit e gruas në Vlorë

 

Trazhgim Sokolaj

“I tmerrshmi” i Vlorës Fotaq Zaharia duket se nuk i ka mbyllur punët me drejtësinë edhe pas dënimit të parë me 23 vjet burg. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimin dhe dërgoi në gjykatë një tjetër dosje me të akuzuar 49-vjeçarin e njohur për dhjetëra krime në Vlorë. Në dosjen penale e cila është përfunduar së hetuari këto ditë, akuzohet për grabitje me armë ndaj shtetasve Sokol e Marjana Janku si dhe rrëmbim dhe mbajtje peng të gruas së personit të grabitur. Sipas prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 17 qershor 2001, kur Fotaq (Foto) Zaharia bashkë me të dënuarin Ermir Habili dhe Armando Begën e Haxhi Hoxhën, janë larguar nga dhomat e paraburgimit të Vlorës, ku mbaheshin në “arrest në burg” pasi dyshohej se kishin kryer disa vepra penale. Pas daljes nga paraburgimi, Fotaq Zaharia dhe Ermir Habili, janë strehuar tek Fevri Dalipaj, banues në fshatin Bishan, Vlorë. Ata ishin njohur me strehuesin e tyre gjatë kohës së qëndrimit bashkë me të në burg. Pak ditë pas ikjes nga paraburgimi, Fevri Dalipaj i ka rekomanduar Fotaq Zaharisë të grabiste banesën e Sokol Jankut pasi aty mund të gjente para. Më parë Zaharia i kishte kërkuar mikut të tij të burgut t’i sugjeronte ndonjë banesë për ta grabitur ku mund të gjente para. “Pasi janë njohur me vendndodhjen e shtëpisë, të nesërmen Fotaq Zaharia dhe Ermir Habili, kanë organizuar vjedhjen e banesës së Sokol Jankut. Më 19 nëntor 2001, në orët e mesnatës, dy personat, të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në banesën e Sokol Jakut nëpërmjet shkallëve të katit. Ata i kanë drejtuar armët pronarit të shtëpisë Sokol Jaku dhe gruas së tij Marjana. Grabitësit kanë kontrolluar shtëpinë në kërkim të parave dhe pasi nuk kanë gjetur sasinë e pretenduar, kanë marrë peng Marjana Jankun duke e hipur në automjetin tip Fuoristradë me targa VL 1133B, në pronësi të bashkëshortit të saj Sokol Janku. Fotaq Zaharia i ka kërkuar Sokol Jankut 5 milionë lekë në këmbim të lirimit të gruas, e cila mbahej peng nga Habili në makinë, ndërsa Zaharia e ndiqte me një biçikletë. I shoqi i gruas së marrë peng njoftoi policinë, e cila ndaloi makinën me gruan e rrëmbyer dhe arrestoi Ermir Habilin, por Fotaq Zaharia arriti t’i shpëtojë arrestimit. Bashkëpunëtori i tij fillimisht nuk ka rrëfyer se Zaharia ishte autor në këtë ngjarje dhe për këtë shkak është dënuar me 25 vjet burg nga Gjykata e Vlorës. Dosja penale e grabitjes dhe pengmarrjes ka mbërritur “pa autor” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku pas një rihetimi të plotë autori i ngjarjes është identifikuar plotësisht, ndërsa në përfundim të hetimeve u dërgua me dy akuza të rënda në Gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›