Flamur Shehu dekorohet me Urdhrin Mjeshtër i Madh
Kompozitori i njohur Flamur Shehu, është nderuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi me Urdhrin Mjeshtër i Madh me motivacionin: Për kontribut te shquar në fushën e muzikës e të këngës së lehtë shqiptare; në studimin e promovimin e folklorit si dhe në organizimin e drejtimin e institucioneve kombëtare kulturore të vendit.
Tashmë funksionar në Ministrinë e Kulturës, Flamur Shehu ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet më në zë të këngës shqiptare ne Festivalet e Këngës dhe Koncertet e Pranverës, si fitues i shumë çmimeve, për muzikën dhe ritmet kushtuar vendit të tij. Emri i tij është njehsuar me këngën e lehtë shqiptare, me zërat tanë më të mirë, që prezantuan kontributin e tij në lëmin e muzikës, në plot 500 këngë të krijuara në 40 vite karrierë. Kompozitori Flamur Shehu, cilësohet si një nga kompozitorët tanë më të mirë dhe më të suksesshëm, së bashku me kompozitorët, Agim Prodani, Pjetër Gaci, Kujtim Laro e Agim Krajka. Pak kohë më parë ai publikoi edhe albumin muzikor Një jetë nga jeta ime, një përmbledhje me këngët më të mira.