Sfida e PDK’së
Hashim Thaçi nuk do ta ketë lehtë kur të bëjë përzgjedhjen e emrave për kabinetin e ri qeveritar.
Kriteret që i ka shpallur Ambasadori i SHBA’ve në Prishtinë, Christopher Dell, për Qeverinë e re mund t’i sjellin telashe Thaçit brenda partisë. Por, Dell nuk ka lënë asnjë dilemë duke thënë se të gjithë zyrtarët që janë dënuar ndonjë herë nga ndonjë gjykatë, që kanë aktakuzë ose që kanë përjetuar ndonjë aksion të EULEX’it, si bastisje ose marrje në pyetje, nuk duhet të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme.
Të tillë në PDK ka mjaft, sikurse edhe në partitë tjera.
Rasti i Fatmir Limajt, që është njeriu i dytë për nga votat në PDK dhe që është edhe nën hetime të EULEX’it, mund t’i shkaktojë më së shumti kokëçarje Thaçit dhe PDK’së.
Sipas kritereve të Ambasadorit Dell, Limaj që ka udhëhequr deri më tani Ministrinë e Transportit, nuk do duhet të ishte pjesë e Qeverisë së re.
Porosi të ngjashme ka çuar edhe Shefi i ICO’së, Pieter Feith.
Por, a do të mundet Thaçi ta lërë Limajn jashtë Qeverisë?
Zyrtarë të PDK’së nuk i kanë hapur telefonat të shtunën.
Sipas analistëve, “receta” e Dellit do të zbatohet kur të krijohet Qeveria.
Analisti Baton Haxhiu vlerëson se askush nuk do të provojë t’i kontestojë ose t’u rezistojë kushteve të Dellit.
“Nuk mendoj se do të ketë kurrfarë rezistence në këtë drejtim. Këto janë kritere që i kanë vendosur BE dhe SHBA”, ka thënë Haxhiu të shtunën për Express.
“Kriteri i parë është që Qeveria e cila pritet të miratohet - ose ta zbusim pak këtë - të jetë e njohur nga SHBA’të dhe BE. Kriteri i dytë është që të mos ketë Qeveri nën hetime pra asnjëri prej anëtarëve të Qeverisë mos të jetë nën hetime as mos të jetë i dënuar. Kriteri i tretë është që të ketë Qeveri kredibile, profesionale dhe funksionale në raport me zhvillimin ekonomik dhe në raport me integrimet europiane, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë”, ka thënë Haxhiu.
Një kusht tjetër, sipas Haxhiut, është mandati i Qeverisë së ardhshme.
“Kriteri i katërt është që qeveria duhet të zgjasë më së paku 3 vjet për shkak të zhvillimit ekonomik dhe për shkak të dialogut me Serbinë që mund të zgjasë deri në 2 vjet dhe për shkak të privatizimit të kapaciteteve të rëndësishme”.
Haxhiu nuk pret probleme as kur është fjala për Fatmir Limajn.
“z. Limaj është politikan i vetëdijshëm për shkak se kur bashkësia ndërkombëtare ka vendosur kritere të tilla, do të jetë ai që do të tërhiqet nga një Qeveri e tillë, derisa të sqarohet në tërësi rasti i tij”, ka vlerësuar Haxhiu.
Aktualisht brenda PDK’së duket se ka telashe të mëdha për shkak të përplasjeve rreth procesit zgjedhor dhe manipulimit me vota, në të cilin janë përfshirë shumë kandidatë të kësaj partie.
Lënia e Limajt anash mund të acarojë raportet edhe më tej në këtë parti.
“Në politikë vendimet e rëndësishme gjithmonë kanë dhimbje, dikush mund të dalë humbës e dikush fitues”, vlerëson Haxhiu.
Ky analist është i sigurt se kabineti qeverisës i ardhshëm do të jetë sipas kërkesës ndërkombëtare “me duar të pastra”.
“Për momentin bashkësia ndërkombëtare nuk dëshiron që të ballafaqohet me opinionin politik europian dhe ndërkombëtar me njerëz që janë nën hetime ose janë dënuar dhe të arsyetohet para opinionit politik të vet për këto personalitete”, thotë Haxhiu.
“Nuk do të thosha që ata që nuk do të jenë në qeveri nuk janë të pastër. Unë po them që kriteret, të cilat janë vendosur për momentin, eliminojnë disa kandidatë. Koha do të tregojë se kush është i pastër dhe kujt realisht do t’i plotësohet akuza apo aktakuza apo hetimi. Kjo do të qartësohet”, ka shtuar ai.
Analisti Shkëlzen Maliqi, po ashtu, konsideron se partitë politike do t’i marrinë parasysh kriteret e Dell’it.
“Nuk mund t’i anashkalojmë fuqitë e mëdha ose sugjerimet e tyre për shkak se Kosovës ende i duhet ndihma në këto procese të rëndësishme siç janë njohjet dhe dialogu me Serbinë”, ka thënë ai.
Maliqi parashikon pak rezistencë.
“Do të ketë ndoshta pak rezistencë ose probleme brenda partive, por besoj se në fund të ditës do të krijohet qeveria dhe megjithatë do të kemi një qeveri vërtet me duar të pastra, siç po thonë ata, me njerëz që nuk dyshohen ose nuk kanë qenë të dënuar”.
Sipas Maliqit, kjo çështje mund të jetë objekt i negociatave.
“Nuk është aq e lehtë, është një çështje që besoj se do të negociohet. Thaçi do të donte që nëse Limaj nuk do të jetë në Qeveri, të ketë argumentet pse sepse vetëm hetimet nuk mjaftojnë. Nga ana tjetër, diplomatët thonë se ai duhet ta marrë përgjegjësinë nëse është shef dhe duhet t’i kryejë disa punë. Nuk është lehtë, por kjo çështje duhet të spastrohet. Limaj ka akuza verbale, nuk ka asnjë provë, është një gjë që do duhej ta tregonin prokurorët e EULEX’it se a ka vërtet prova për atë që thuhet”, vlerëson Maliqi.
Sido që të jetë, Maliqi konsideron se në Qeveri do duhej të ishin njerëz me duar të pastra, pavarësisht problemeve që mund të shfaqen.
“Problemi kryesor për Thaçin do të jetë Limaj për faktin që ai ka përkrahje te elektorati si figurë e spikatur e UÇK’së dhe e zhvillimeve të pasluftës. Por, në fund të fundit, Kosova duhet të jetë mbi të gjitha dhe nuk duhet të varet prej individëve as prej Hashim Thaçit e as prej Fatmir Limajt. Mirëpo, kështu ka qenë rezultati i zgjedhjeve dhe duhet të gjendet një kompromis për këtë”, ka vlerësuar Maliqi.