E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi si përparësi politike

"PASQYRA"

Konferenca për arsimin e PS, që u zhvillua ditët e fundit në Durrës, përbën ngjarjen për të cilën do të flitet gjatë për vlerat dhe risinë që i ofroi shoqërisë shqiptare.

Në kontekstin e metodologjisë shkencore të qasjes ndaj zgjidhjeve, prurjet e kumtuesve (jo pak, por mbi 35) sendërtuan një pikturë të madhe të gjendjes së arsimit shqiptar, duke u ofruar pjesëmarrësve (dhe jo vetëm) mundësinë të perceptojnë gjendjen reale të arsimit shqiptar. Të dhënat për trendin e zhvillimit, për performancën ose efektivitetin e sistemit, në të gjithë nivelet dhe llojet e tij, mundësuan analizën elegante të problemeve, çka orientoi formulimin e zgjidhje alternative programore afatshkurtra dhe afatgjata. Referimi i liderit socialist mund të konsiderohet pa më të voglën mëdyshje si "pasqyra" që mblodhi gjatë 1 viti jo vetëm informacionin, ndjeshmëritë popullore dhe pakënaqësinë, por dhe nevojat dhe trendin zhvillues, dhe i përpunoi ato, duke i shndërruar në teza dhe aksion të mirëfilltë politik. Konferenca plotësoi boshllëkun që ka krijuar mungesa e vlerësimeve profesionale, që duhet të raportohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës çdo vit në parlament në formën e "Raportit për cilësinë e arritjeve në sektorin e arsimit", ose nga vlerësues të pavarur, që për fat të keq Shqipërisë i kanë munguar prej vitesh.

Në kontekstin e kulturës politike shqiptare, ka argumente serioze që provojnë se konferenca përbën risi me vlera. Jo vetëm se për herë të parë në historinë 18 vjeçare të shtetit demokratik shqiptar një subjekt politik në opozitë trajton profesionalisht dhe në kohën e duhur një nga kolonat e programit të tij, por, dhe mbi të gjitha, për koherencën dhe bazimin filozofik të kësaj kolone.

KONFERENCA SI RISI

E tillë konsiderohet ngjarja nëse zhvillohet për herë të parë dhe ofron elementë të rinj të formës ose përmbajtjes. Konferenca për arsimin e PS i ofroi këto aspektet.

Në jetën e çdo partie politike opozitare serioze, programi qeverisës është produkt i kërkimit, debatit dhe konkurrimit të alternativave, që parashtrohen në forma dhe momente të ndryshme. Program i përpunuar, i këshilluar me specialistët dhe grupet e interesit fiton përparësinë se ofron fushë pamje të gjerë mbi problemet, strategjitë dhe mjetet e nevojshme për zgjidhjen e tyre.

Historia e zhvillimit tonë politik, për kushte dhe arsye që tashmë njihen, nuk na ofron ndonjë rast, kur partitë, edhe pse kanë kërkuar pushtetin t‘i kenë paraprirë aksionit politik me programe të qarta. Kur them kështu, tejkaloj vitet ‘92 dhe ‘97 dhe i referohem fushatës së fundit. Partisë Demokratike iu desh diku një vit, diku 2 apo dhe më shumë, për t‘u orientuar në vorbull qeverisëse. Në arsim, u shpenzua më shumë se 1 vit që të inicioheshin reforma të tilla si ajo e Altertekstit. Humbja e kohës zëvendësoi maturinë profesionale me zellin (!?) partiak, çka bëri që MASh të ndërmerrte reforma, për të cilat sot na prezantohen jo pak argumente që provojnë në mënyrë shteruese inefektivitetin e tyre. Madje pranohet nga vetë Qeveria: "Me këtë vit shkollor mbyllet reforma e kurrikulës e arsimit bazë, e cila është përvijuar vite më parë. Me gjithë përmirësimet e kryera, gjykimi i përgjithshëm është se nuk u arrit dot të kapet momenti për të krijuar një kurrikul me karakteristika të dukshme bashkëkohore. (Fragment nga Raporti i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës në Konferencën e IV- për rishikimin e reformës së projektit ‘‘Cilësi dhe Barazi në Arsim" Maj, 2008).

KOHERENCA

Në konferencë u argumentua gjerësisht natyra kontradiktore dhe e paorientuar e trendit reformues të arsimit. Përshtatja ose kopjimi mekanik i modeleve, i kthyer në modë viteve që shkuan, duket harroi se përvojat e mira mund të shërbejnë vetëm si shembuj të mrekullueshëm frymëzimin, por jo si modele që mund të kopjohen tekstualisht. "Në bashkëpunim me trupat pedagogjike dhe me prindërit - sintetizoi Rama - ne do t‘i japim fund traditës 17 vjeçare të eksperimentimeve në kurriz të fëmijëve tanë, të kopjimit të një copëze sistem nga një model dhe të një copëze tjetër nga një model tjetër; të strategjive të vjetra që hidhen ne kosh pa u zbatuar e të të rejave që shkruhen pa lexuar të vjetrat, të pseudoreformave pa bosht që na hallakatin çdo vit, dhe të interesave partiake pa kufi që shkatërrojnë cilësinë e shkollimit".

NGA XHON DJUI TE GORDON BRAWN

Transformimet më të mëdha shoqërore ndodhën në shekujt XV-XVIII, koha kur fillon urbanizimi dhe zhvillimi ekonomik i shoqërive evropiane, çka solli më pas dhe industrializimin dhe ngritjen e SHBA-së në fund të shekullit XIX, si superfuqi ekonomike. Fillimi i shekullit XX mprehu ekstremalisht kundërshtitë ndërmjet nevojave të zhvillimit dhe nivelit të burimeve njerëzore. Në këtë kohë, i famshmi John Dewey (Xhon Djui), mendimtari më me ndikim lidhur me zhvillimin e filozofisë arsimore në shek. XX, mendimet dhe idetë e të cilit ndikuan Shtetet e Bashkuara dhe mbarë botën, formuloi synimet e arsimit në kontekstin e shoqërisë demokratike dhe orientoi zgjidhjen e problemit kyç të kohës: Si mposhten varfëria dhe papunësia nëpërmjet sistemit arsimor, që pasqyron kohën e re ekonomike dhe nevojat e individit, shoqërisë dhe tregut të punës? "Nëpërmjet arsimit - u përgjigj Djui - pasi ky i fundit është metoda fondamentale e progresit dhe reformimit social". "Unë besoj - shtoi ai - se funksioni i komunitetit për të edukuar është funksioni moral më i epërm i tij. Me anën e ligjit dhe të ndëshkimit, me anën e agjitimit shoqëror dhe diskutimit, shoqëria mund të rregullojë dhe formojë veten kuturu dhe rastësisht. Por nëpërmjet arsimit shoqëria mund të formulojë qëllimet e saj, mund të organizojë mjete dhe burimet e saj dhe të modelojë me qartësi dhe ekonomi në atë drejtim që dëshiron të ecë (The School Journal, Volumi LIV, Nr. 3, January 16, 1897, fq. 77-80). Politika e re socialiste duket se e gjen këtë ide si fondament të besimit të saj tek arsimi. Ndërkaq, kjo politikë konsideron dhe idenë brilante të kryeministrit britanik Gordon Brawn-it, sipas të cilit arsimi është investimi më eficent. "Arsimi - theksoi në Konferencë Rama - është fuqia më e madhe çliruese e energjive të njeriut dhe forca më e jashtëzakonshme e progresit social, garanci e pakonkurrueshme për mirëqenien kombëtare. Është koha që t‘i drejtohemi kësaj force të madhe për të shpëtuar Shqipërinë nga varfëria, papunësia, injoranca, korrupsioni, dhuna". Dhe më tej: "Për të realizuar këtë ndryshim ne do të ndryshojmë, në radhë të parë, natyrën e qeverisjes së punëve të arsimit, duke punuar qysh të nesërmen e fitores së zgjedhjeve për një koalicion të fuqishëm me trupat pedagogjike dhe me prindërit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›