Tërheqja, Topalli: Mediut do ti hiqet imuniteti
Një ditës pas deklaratës së Ambasadorit amerikan Topalli deklaron se Mediut do t’i hiqet imuniteti
TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tërhiqet nga qëndrimi i saj për imunitetin e Fatmir Mediut. Një ditë pas deklaratës së Ambasadorit amerikan, Xhon Uidhers, Kryetarja e Kuvendit, në një deklarim për mediat, ka bërë publike dy fakte,
të cilat nuk i përmendi në asnjë pjesë të qëndrimit të saj gjatë debatit të krijuar në Kuvend pak ditë më parë, pikërisht për çështjen Mediu. Topalli deklaroi dje se, për Fatmir Mediun, Këshilli po harton një raport dhe se imuniteti i këtij të fundit, do të hiqet. Megjithatë, përpos tërheqjes së saj të dukshme lidhur me imunitetin, Topalli nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket dokumenteve shtesë që duhet të sjellë organi i akuzës, të kërkuara përmes një letre zyrtare. Kryetarja e Kuvendit ka theksuar se institucionet duhet të respektojnë Parlamentin, ashtu si Parlamenti respekton institucionet e tjera, në të gjithë pavarësinë e tyre. Topalli ka sjellë gjithashtu në vëmendje edhe shqyrtimin e draftit për kufizimin e imunitetit, duke shtuar se ky proces duhet të prekë jo vetëm deputetët, por edhe gjyqtarët dhe prokurorët. “Hetimi duhet të jetë i paanshëm dhe i gjithanshëm, i bazuar në fakte dhe në prova. Parlamenti është i vendosur për të hequr imunitetin. Kjo është përsëritur disa herë dhe do të ndodhë shumë shpejt. Këshilli i Rregullores ka filluar punën për raportin. Unë mendoj që, ndërkohë që hartohet raporti, do të vijnë edhe dokumentet shtesë që deputetët, anëtarë të Këshillit, kanë kërkuar. Është shumë e rëndësishme që të shkohet në thelbin e çështjes dhe besoj se, çështja më e rëndësishme për Parlamentin në këtë rast është të kalojmë ligjin për kufizimin e imunitetit për të gjithë deputetët. Do hiqet imuniteti i zotit Mediu, pavarësisht se si do të jetë raporti, ka ardhur dosja tjetër për deputetin Paturri, ndoshta është në rrugë një tjetër dosje. Pra, unë mendoj se duhet t’i shkojmë problemit në rrënjë”,- tha dje Topalli. E pyetur nga përfaqësues të medias se kur do të kalojë për votim imuniteti i Mediut, një kërkesë kjo e vazhdueshme nga ana e opozitës, ajo u përgjigj: “Unë besoj se do të kalojë shumë shpejt. Do të hiqet imuniteti, pavarësisht nga ajo që do të ketë raporti, gjë të cilën unë nuk e di, sepse anëtarët e këtij Këshilli sapo kanë filluar punën për të përgatitur këtë raport”.