Vendimi, ja si do paguhen ish-pronarët
Qeveria miratoi dje vendimin për mënyrën e ndarjes së parave, por për shkak të procedurave, lekët ndahen vetëm në muajin Shtator
TIRANË- Tej limiteve kohore të përcaktuara në ligj, qeveria ka miratuar më në fund, dje, vendimin për procedurat e shpërndarjes së fondit të kompensimit të pronarëve në të holla për vitin 2008. Pikërisht në këtë fillim muaji, kohë kur ajo kishte premtuar se do të kompensonte në të holla ish-pronarët, qeveria nxjerr vendimin për procedurat që do të ndiqen. Në rast se do t’i referohemi eksperiencës së ndarjes së parave vitin e kaluar, pas miratimit të vendimit nga ana e qeverisë, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do t’i duhen rreth 3 muaj që të përcaktojë listën e pronarëve dhe të ndjekë procedurat, duke bërë që kësaj here ish-pronarët të kompensohen vetëm nga muaji Shtator. Kjo në fakt nuk do të ndodhte, në rast se qeveria do të merrte seriozisht kompensimin e ish-pronarëve në afatet e kërkuara (brenda 6-mujorit të parë të vitit). Ish-Drejtori i AKKP-së, Besnik Maho e depozitoi projektvendimin që në muajin shkurt, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Por ky draft, ashtu si edhe shumë të tjera, u “arkivua” në sirtarin e ministrit Alibeaj për më shumë se dy muaj, ç’ka nuk mund të justifikohet as me ndryshimin e përmbajtjes, pasi vendimi i miratuar dje, nuk i heq asnjë presje projektit të dërguar pak muaj më parë nga AKKP.
Dokumentet
Sipas vendimit të miratuar dje nga qeveria, subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është e njohur e gjitha për kompensim dhe që nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, kompensohen, sipas radhës kronologjike, të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij, sipas viteve. Kompensimi do të bëhet vetëm për 200 (dyqind) m2 të sipërfaqes së caktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Subjektet që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë pranë Zyrës së AKKP-së në qendër, dokumentacionin si vijon; a) Kërkesën për kompensim financiar, sipas formularit; deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, sipas Vendimit përkatës së Këshillit të Ministrave dhe kushtet e tjera që lidhen me kriteret, sipas një tjetër formulari që i bashkëlidhet këtij vendimi; vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës, së bashku me plan-vendosjen përkatëse; Dëshminë e Trashëgimisë; Prokurën e Posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm do të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të subjektit të shpronësuar; fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit (letërnjoftim, pasaportë) ose certifikatën e lindjes së personit që ka prokurën e përfaqësimit; Mandatpagesën.
Detyrat
Më pas do të jetë zyra e AKKP-së në qendër, në bashkëpunim me zyrat rajonale, e cila shqyrton dokumentacionin e subjekteve që kërkojnë kompensim. Në vendim janë përcaktuar edhe detyrat e zyrave rajonale të kthimit dhe kompensimit të pronave. Më pas, Zyra e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qendër shqyrton dokumentacionin e Zyrave Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe kryen të gjitha procedurat e mëtejshme nga përgatitja e vlerësimit ligjor të kompensimit e deri tek kryerja e veprimeve me Thesarin dhe bankën, për kalimin e fondit të kompensimit në të holla në emër të subjektit të shpronësuar. Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon 30 ditë.
Afati
Procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe vazhdon 30 ditë.
Ish-pronarët, dokumentacioni që duhet të paraqesin
Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë, pranë zyrës së AKKP-së në qendër, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Kërkesën për kompensim financiar, sipas formularit; deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim, sipas Vendimit përkatës së Këshillit të Ministrave dhe kushtet e tjera që lidhen me kriteret, sipas një tjetër formulari që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b)Vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ose të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës, së bashku me plan-vendosjen përkatëse;
c) Dëshminë e Trashëgimisë;
d) Prokurën e Posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm do të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të subjektit të shpronësuar;
e) Fotokopjen e noterizuar e dokumentit të identifikimit (letërnjoftim, pasaportë) ose certifikatën e lindjes së personit që ka prokurën e përfaqësimit;
f) Mandatpagesën.
Vendimi
Afatet e tërheqjes së formularëve
TIRANË- 5 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të djeshëm të qeverisë
për procedurat e shpërndarjes së fondit të kompensimit të pronarëve në të holla për vitin 2008, do të fillojë edhe procesi i regjistrimit/pranimit të kërkesave për kompensim, dhe do të zgjasë plot 30 ditë. Në vendimin e djeshëm, të miratuar nga qeveria, thuhet se i gjithë procesi i trajtimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuara duhet të kryhet në përputhje me këtë vendim dhe me afatin ligjor të përcaktuar në ligjin “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. Vendimi saktëson se paraqitja e të dhënave të rreme ose fshehja e tyre nga subjektet e shpronësuara, në zbatim të këtij vendimi, sjell përjashtimin e menjëhershëm të këtyre subjekteve nga procedura e kompensimit financiar dhe i ngarkon ata me përgjegjësi penale, sipas ligjit. Kështu, ish- pronarët do të tërheqin formularin përkatës vetëm pas 5 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit, ç’ka do të jetë një sforcim i madh në fakt për këta të fundit, pasi botimi i vendimit në Fletoren Zyrtare ligjërisht nuk ka afat dhe se ish-pronarët do të jenë të detyruar që të pyesin nga sot pranë zyrave rajonale të Agjencisë së Kthimit të Kompensimit të Pronave, se kur do të hyjë në fuqi, për të paraqitur më pas edhe dokumentacionin e nevojshëm, pas plotësimit të dy formularëve që do t’u vihet në dispozicion pikërisht nga këto zyra.