Berisha - drejtuesve të Sigurisë: Dështuat me Gërdecin!
Një ditë pas reagimit të SHBA-së, Berisha mbledh për herë të parë Komitetin e Politikave të Sigurisë
TIRANË- Edhe pse tragjedia e Gërdecit solli 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur, shtëpi të shkatërruara e biznese në falimentim, kryeministri Sali Berisha nuk e mblodhi asnjëherë Komitetin e Politikave të Sigurisë. Deklarata e Ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, ka “shkundur” strukturat e larta të shtetit, aq sa dje, për herë të parë në një tryezë pikërisht për Gërdecin, kryeministri Berisha të thërriste edhe kryeprokuroren Ina Rama, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, shefin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, si dhe disa ministra të kabinetit qeveritar, anëtarë të këtij komiteti. Kryeministri Berisha e ka thënë hapur dje se strukturat e sigurisë së vendit dështuan me Gërdecin, duke paralajmëruar jo vetëm reformim, por edhe ndryshim të ligjeve që lidhen kryesisht me veprimtarinë e SHISH-it. “Unë, dhe në rastin e Gërdecit e kam theksuar se, në qoftë se dështuat në një rast, dhe shumë të hidhur, është jashtëzakonisht e papranueshme që të nxihet puna e këtyre institucioneve në tërësi”,- u është drejtuar dje Berisha, anëtarëve të komitetit, duke shtuar se nga kjo duhen nxjerrë edhe mësime. Berisha theksoi se, Shërbimit Inteligjent duhet t’i shtohen edhe dy ose tre kompetenca më tepër lidhur me informacionin që konstaton. Ai ka kërkuar gjithashtu që të përgatitet një marrëveshje, ku të ketë një bashkërendim të punës mes Shërbimit Informativ, Shërbimit të Ushtrisë dhe atij të Policisë. Kryeministri ka kërkuar që të ridimensionohen Shërbimet Inteligjente të Doganave dhe Tatimeve, pasi deri më tani, kanë qenë inekzistente. Duke iu referuar modelit të disa vendeve të tjera, Kryeministri deklaroi se pranë Këshillit të Ministrave do të krijohet edhe një departament që do të koordinojnë punën e të gjithë agjencive që merren me problemin e sigurisë, ku përfshihen SHISH, Garda e Republikës, Policia, Tatimet, Doganat, Shërbimi i Ushtrisë, Policia Ushtarake dhe Inspektorate të tjera.