E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha shpalos programin e PD-së : “Shqiperia, anetare e BE-se”

Kryeministri premton anëtarësim në Bashkimin Europian në 2013-n. Kreu i PD-së nuk përmend Ramën: “Ai është dorëzuar”

Eljona Ballhysa
Në një fjalim që zgjati më shumë se 1 orë e 30 minuta, kryetari i PD-së prezantoi në Kuvendin djeshëm Elektoral programin politik të kësaj partie me të cilin synon të fitojë një mandat të dytë qeverisës në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryeministri Berisha premtoi se brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës do të liberalizohen vizat për të gjithë shqiptarët, ndërsa në fund të mandatit, në vitin 2013, Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në BE. Gjatë fjalës së tij kryetari i PD-së vendosi të mos e zërë me gojë liderin e opozitës. Ai tha se Rama është dorëzuar nga gara dhe se sipas thënies shqiptare, “koka e prerë falet”, ndaj ai nuk do të përmendet nga PD-ja. Kryeministri bëri një bilanc të punës katërvjeçare të qeverisë, ndërsa premtoi vazhdimin e reformave të nisura dhe thellimin e tyre. Kuvendin e PD-së e përshëndetën krerët më të lartë të selisë blu. Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, sekretari i Përgjithshëm Bode, anëtarët Basha dhe Olldashi ngritën lart meritat e Berishës për reformat e ndërmarra gjatë katër viteve të kaluara, ndërsa i bënë thirrje atij që ta udhëheqë sërish PD-në drejt fitores më 28 qershor.
Premtimet
Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se vizioni i PD-së për katër vitet e ardhshme është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. “Vitet 2009-1213 do të jenë vitet e Shqipërisë së ndryshuar, e gatitur nuse për t’u bërë anëtarë e BE-së. Ne do të çelim negociatat e anëtarësimit. Dy do të jenë zotimet e këtij Kuvendi. E para lëvizja juaj e lirë, lëvizja e lirë e shqiptarëve brenda vitit të parë të mandatit të dytë. Dhe Shqipëria, gati në vitin 2013 për verdiktin final të 27 vendeve të BE-së”, - është zotuar Berisha. Ai premtoi se në katër vitet e ardhshme do të thellohet reforma në institucionet e pavarura, duke konsoliduar shtetin ligjor. “Ne do të konsolidojmë pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe ligjshmërinë e tyre. Do të konsolidojmë reformën në sistemin gjyqësor”, - është shprehur Berisha. Kreu i PD-së premtoi konsolidimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, veçanërisht të minoritetit, i cili, sipas tij, do të përfaqësohet në të gjitha hallkat e pushtetit. Berisha u zotua për garantimin dhe respektimin e lirisë së medias dhe thellimin e tolerancës fetare. Kryeministri Berisha vuri theksin në luftën kundër korrupsionit, duke bërë të ditur se katër vitet e ardhshme kjo luftë do të thellohet më tej dhe Shqipëria do të lërë pas vende anëtare të BE-së. “Qeveria me duar të pastra ishte premtimi ynë. Sot, pas katër vitesh, para të gjithë atyre që kanë memorien e katër viteve më parë ne vijmë të vetëdijshëm për rezultatet e vërteta të politikës së duarve të pastra. Shqipëria, ndër 20 vendet më të korruptuara të planetit, la mbrapa vitin që shkoi 95 vende të tilla. Shqipëria është shpallur në 10 më të mirat të botës për luftën kundër korrupsionit. Ju jap fjalën se nga ky stacion, nga këto rezultate, katër vitet që vijnë duart e pastra të Berishës do ta çojnë Shqipërinë drejt niveleve shumë të larta. Objektivi ynë: Shqipëria do të lërë mbrapa disa vende të BE-së për luftën kundër korrupsionit”, - është shprehur Berisha.
Ai premtoi se pas 28 qershorit qeveria që do të vijë do të jetë më e vogël se qeveria aktuale dhe se do të thellohet “dieta” e ministrave dhe deputetëve, të cilët nuk do të përfitojnë privilegje që paguhen nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë.
Kryetari i PD-së u shpreh se në qendër të programit të tij politik qëndron zhvillimi ekonomik i vendit dhe rritja e shpejtë ekonomike. Ai tha se gjatë katër viteve të ardhshme “do të thellohet më tej revolucioni fiskal, do të heqim TVSH-në për mallrat, në arsim dhe shëndetësi, do të heqim taksën e dividentin, do të zhvillojmë reformën e thellë të pensioneve dhe të sigurimeve shoqërore. Vendi me koston e prodhimit më të ulët në Europë. Diplomacia shqiptare do të shndërrohet në diplomaci ekonomike”, - është shprehur Berisha. Ai premtoi se prioritetet të qeverisë së ardhshme do të jenë arsimi dhe shëndetësia. Qeveria do të vendosë në buxhetin për arsimin 6% të prodhimit të brendshëm dhe në vitin 2013 ky sektor do të ketë 2 herë më shumë fonde se këtë vit, ndërsa do të vazhdojë rritja e pagave të arsimtarëve. Gjatë fjalës së tij Berisha u zotua se gjatë mandatit të dytë qeverisës do të punësojë 160 mijë qytetarë shqiptarë në 6 parqet industriale që do të ndërtohen në të gjithë vendin. Ai tha se qeveria do të shtojë buxhetin për kualifikimin e punonjësve dhe do të heqë taksat për investitorët. Një tjetër prioritet i qeverisë së PD-së do të jetë zhvillimi i infrastrukturës, kryesisht asaj rurale. Sipas Berishës, çdo komunë do të ketë rrugë të asfaltuara, ndërsa pensionet e fshatit do të barazohen me ato të qytetit. “Ne do ta kthejmë Shqipërinë në superfuqi energjetike. Në katër vitet që vijnë do të jepen për koncesion 400 hidrocentrale”, - është shprehur Berisha, ndërsa premtoi reformë të thellë në sektorin e shëndetësisë. Ai u shpreh se basti i qeverisë së ardhshme është pikërisht reforma e suksesshme në shëndetësi. Në përfundim të fjalës së tij Berisha premtoi zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronësisë si dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë.

Programi
Anëtarësim me të drejta të plota në BE në 2013-n
Liberalizim i vizave për shqiptarët më 2010-n
Reformë e thellë në institucionet e pavarura
Shqipëria do të lërë mbrapa disa vende të BE-së për luftën kundër korrupsionit
Thellim i revolucionit fiskal, heqja e TVSHh-së për mallrat në arsim dhe shëndetësi
Reformë e thellë e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore
Qeveria në “dietë” të rreptë, kabinet më i vogël ministrash
Zhvillimin e diplomacisë ekonomike
Rritjen deri në 6% të PBB-së të buxhetit për arsimin
Reformë e thellë në sistemin shëndetësor
Zgjidhje përfundimtare e çështjes së pronësisë
Dëmshpërblim për ish-të përndjekurit politikë
Zhvillimin e infrastrukturës rurale
Rritjen e punësimit

Sali Berisha, apologjia e vetvetes

Në përfundim të fjalës së tij, kryetari i PD-së bëri një apologji të figurës së tij, duke treguar për të gjithë hapat e ndërmarrë në jetë. “Unë jam Sali Berisha, jam mjek, kardiolog, studiues, pedagog universiteti. Karrierën nuk e kam nisur kurrë për pushtet dhe për politikë. Karrierën e kam nisur me një vendim timin. Vendim me të cilin doja të bëja atë që s’kisha bërë, doja që në emër të dinjitetit tim të përballesha me një regjim çnjerëzor që shpërfytyroi këtë vend dhe popull. I kam dashur shumë të sëmurët, studentët dhe kërkimin shkencor. Tek merresha me dhimbjet e zemrës unë arrita gradualisht të pushtohem nga mendimi. Dhe më pushtoi pasioni që kërkonte të tjera të vërteta. Pasioni që kërkonte të vërtetat e lirisë. Unë vendosa që të futem në politikë për të kërkuar dinjitetin e munguar. Unë përmbysa diktaturën më të egër në Europë dhe u bëra presidenti i vendit më të varfër”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka pranuar se piramidat ishin gabimi që ai e ka njohur. Ai tha se zhvillimin ekonomik që njohu vendi në vitet e para të demokracisë e shembën revoltat e komunistëve në ’97-n. Ai u shpreh se qëndroi i palëkundur në 8 vitet e opozitës, derisa në 2005-n arritën fitoren. Berisha theksoi se reformat janë qëllimi i tij madhor. “Sot, pas 20 vitesh në politikë, unë jap një fjalë nderi, që Sali Berisha nuk ndihet kryeministri i Shqipërisë, por qytetari i këtij vendi që dëgjon çdo dhimbje të qytetarëve të thjeshtë dhe do të qëndrojë pranë tyre gjersa të jetë në politikë”, - është zotuar Berisha.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›