Khajami, midis Nolit dhe Hafiz Ali Korçës
U mbajt dje në qytetin e Korçës, një simpozium shkencor kushtuar poetit të madh pers, Omar Kahjami dhe përkthyesve të tij në shqip Fan Noli dhe Hafiz Ali Korça. Nën titullin “Khajami midis Nolit dhe Hafiz Ali Korçës”, aktiviteti u organizua në kuadrin e Vitit Ndërkombëtar të Afrimit të Kulturave, shpallur nga UNESCO. Veprimtaria u çel nga akademiku Jorgo Bulo, ndërsa u mbajtën kumtesa nga Shahrouz Falahatpisheh: “Omar Khajami nga bota e dijes te bota e poezisë”; Elidon Gjika “Rubaira në Letërsinë Shqipe”; Rahim Ombashi “Khajami në një përkthim dhe një shqipërim: Nga Hafizi tek Noli”; Anton Papleka “Shkrirja e elementit estetik dhe atij filozofik në poezinë e Khajamit”; Gjergj Pendavinji: “Filozofia e Khajamit në Rubai”; Besa Vila: “çështja Khajami” në vështrimin e Hafiz Ali Korçës”; Ali Jashari “Një krahasim midis dy përkthimeve në pikëpamje të leksikut”; Jon Tushi “Një krahasim filologjik midis dy përkthimeve të Khajamit”; Jonela Spaho: “çështje të dallimit në vargëzim në dy përkthimet e rubairave”. Gjithashtu, mbajtën kumtesa edhe profesorët e Universitetit të Tiranës, prof. dr. Ymer çiraku dhe Adem Jakllari. Gjatë kësaj veprimtarie të organizuar nga universiteti “Fan Noli” dhe Bashkia e Korçës, përshëndetën ambasadori i iranian në Shqipëri Ali Amui, rektori i universitetit “Fan Noli”, prof. dr. Gjergj Mero, kryetari i bashkisë, Niko Peleshi, drejtori i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, Shahrouz Falahatpisheh, si dhe krerët e komuniteteve fetare të zonës.
#