Shërbimet e punësimit, të informatizuara
“Informatizimi i shërbimeve të punësimit do të sjellë afrimin në kohë reale të kërkesës dhe ofertës në tregun e punës”, kjo ka qenë deklarata e ministrit të Punës, Spiro Ksera, në panairin e punës organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Sipas ministrit të Punës, gjithë këto vite panairet kanë kontribuar në drejtim të punësimit dhe ripunësimit të shumë të rinjve, si dhe kanë shërbyer si ura lidhëse ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve. Në politikat aktive të Ministrisë së Punës, një rëndësi mjaft e madhe do t’i jepet fuqisë së re punëtore. Duke përfituar nga prania e konsiderueshme e punëdhënësve në këtë aktivitet, Ksera i ftoi ata të rrisin bashkëpunimin me zyrat e punësimit për të përfituar nga shërbimet që ofrohen në to dhe njëkohësisht për të kontribuar edhe në punësimin e punëkërkuesve të papunë.
“Panairet e punës janë aktivitete shumë të rëndësishme dhe mund t’i konsiderojmë si ‘bursa të punës’, në të cilat bëhet përputhja e kërkesës dhe ofertës për vendet e reja të punës. Nëpërmjet tyre u krijohet mundësia e integrimit në tregun e punës mjaft punëkërkuesve të papunë, si dhe punëdhënësve të plotësojnë vendet e lira të punës me personel të kualifikuar”, sqaroi Ksera.