Shuhen shpresat për sigurinë e naftësjellësve
Ashpërsia e sulmit rus kundër Gjeorgjisë këtë fundjavë, dërgoi një sinjal të fortë se Moska është e vendosur të mos lëshojë kontrollin mbi rajonin e pasur me naftë të Kaspikut. Gjeorgjia ka shumë pak burime energjetike të vetat, por aty kalon një naftësjellës i rëndësishëm i ndërtuar nga kompanitë më të madhe botërore të naftës dhe që shërben për të nxjerrë në tregun ndërkombëtar naftën e Detit Kaspik. Hekurudhat e saj transportojnë gjithashtu një sasi të konsiderueshme nafte për në portet e Detit të Zi. I ashtuquajturi Korridori Lindje-Perëndim që kalon përmes Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë dhe përfundon në Turqi, u ndërtua me mbështetje të fortë politike nga SHBA dhe ka gërryer monopolin rus të eksporteve energjetike të njërit prej burimeve të pakta të botës që nuk po shfrytëzohen ende. I reklamuar si “naftësjellësi i paqes” gjatë viteve ’90, Naftësjellësi Baku-Tbilisi-Ceyhan hyri në punë më 2006 dhe është në gjendje të transportojë 1 milionë fuçi nafte në ditë, duke konkurruar me furnizimet ruse. Ndërkohë, një gazsjellësi paralel, lidh Kaukazin e Jugut me Turqinë dhe ka çliruar Azerbajxhanin dhe Gjeorgjinë nga varësia e gazit rus, ndërsa ka hapur një burim të ri energjie për tregjet europiane.
Gjithsesi, konflikti në Gjeorgji do të ulë sigurinë e naftësjellësve që sakaq qenë sulmuar më herët nga separatistët kurdë në pjesën turke, duke i hequr tregut botëror të naftës rreth 1% të furnizimeve për disa ditë. Gjithsesi, analistët thonë se Rusia nuk do ta ketë të lehtë të sulmojë infrastrukturën e naftës për shkak se nuk dëshiron të shkatërrojë marrëdhëniet me fqinjët e vet të Kaspikut. Kazakistani, që zotëron burime të bollshme nafte e gazi, sakaq ka nën kontroll portin e Batumit në Detin e Zi dhe po kërkon të investojë në hekurudhat gjeorgjiane. Azerbajxhani ka ndërtuar një terminal nafte në Kulevi, më në veri të bregdetit të Gjeorgjisë dhe po financon ndërtimin e një hekurudhe nga Tbilisi për në qytetin Kras të Turqisë, për të siguruar rrugë të reja eksporti për naftën e Kaspikut. Aeroplanët rusë bombarduan portin e kontejnerëve Poti në Detin e Zi, të shtunën, por nuk goditën portet e naftës. Ministria e Jashtme e Rusisë deklaroi se nuk ka plane për të bllokuar portet e naftës, por kontrollet e tankerave mund të vonojnë punën. Ndërkohë, konflikti në Gjeorgji duket se po vë seriozisht në dyshim planin e BE-së për ndërtimin e Gazsjellësit “NABUKO”, i cili duhet të përshkojë Turqinë dhe Ballkanin dhe që shihet se alternativa e vetme serioze ndaj varësisë ruse.