Tërhiqet Kreshnik Spahiu, i hapet rruga emërimit të 10 gjyqtarëve magjistratë
KLD-ja voton unanimisht kundër bllokimit 6-mujor të emërimit të magjistratëve
TIRANE – Tërhiqet Kreshnik Spahiu, nga “kokëfortësia” e tij për të mbajtur peng gjyqtarët e sapodiplomuar magjistratë, për vende vakante gjyqtarësh në disa gjykata të vendit. Përballë kundërshtimit prej rreth gjashtë muajsh të zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dje ky institucion, në mbledhjen e tij të radhës, të kryesuar nga Presidenti Bamit Topi, njëkohësisht edhe Kryetari i KLD-ës, në përputhje me ligjin, ka votuar me unanimitet propozimin e Ministrit të Drejtësisë për shpalljen e 11 vendeve vakante në gjykata me qëllim emërimin e magjistratëve të sapodiplomuar nga Shkolla e Magjistraturës, të profilit gjyqtar në zbatim të ligjit “Për Shkollën e Magjistraturës”.
Në mbledhjen djeshme të KLD-ës, Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, në përmbushje të detyrimit ligjor që buron nga neni 20 i Ligjit nr. 8136 “Për Shkollën e Magjistraturës”, propozoi për herë të dytë brenda dy muajve vende vakante për të sapodiplomuarit në Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2007-2008, propozim që miratua në unanimitet nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas propozimit të Ministrit të Drejtësisë, vendet vakante janë: Krujë (2), Kavajë (2), Fier (2), Korçë (2), Lushnjë (1), Vlorë (1), Gjirokastër (1).
Votimi i këtij propozimi i hap rrugë emërimit të magjistratëve në Gjykata.
Në mbledhjen e djeshme KLD-ja hoqi dorë nga vendimi i saj Nr. 216/3, i datës 28. 09. 2007 për ta shpallur gjykatën e Kavajës dhe të Krujës, “gjykatë karriere” duke i hapur rrugë emërimit në te magjistratëve të sapodilomur të cilët presin që prej tetorit të vitit të shuar emërimin në detyre.
Vendet e lira, do t’u komunikohen 10 kandidatëve për gjyqtarë nga Shkolla e Magjistraturës, dhe preferencat e tyre mbi këto vende vakante, do të merren në konsideratë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, përpara sesa propozimet konkrete për çdo kandidat, t’i paraqiten Presidentit të Republikës për emërimin e tyre përfundimtar.
“Kjo Shkollë është risia më e bukur e sistemit ligjor dhe ka sjellë njerëz të aftë, me integritet dhe frymë të re në këtë sistem”, u shpreh Ministri Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, në mbledhjen e djeshme.
Emërimi i 10 gjyqtarëve magjistratë, të sapo diplomuar, është bllokuar prej rreth gjashtë muajsh nga Kreshnik Spahiu, zëvendëskryetari i KLD-ës.
Pavarësisht se emërimi i tyre duhej të ishte bërë që në muajin shtator-tetor 2008, 10 magjistratët ende nuk kanë marrë emërimin përfundimtar.
Në mbledhjen e KLD-së, zhvilluar ditët e fundit të vitit të kaluar, konkretisht më 24. 12. 2008, Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, në përputhje me detyrimin e tij ligjor dhe si organi i vetëm që ka të drejtën ekskluzive të propozojë vendet vakante për gjyqtarë në KLD, propozoi 11 vende vakante për emërimin përfundimtar të 10 studentëve që kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës.
Para se të propozoheshin këto vende vakante në KLD, ministri i Drejtësisë organizoi një takim me studentët për t’u dhënë atyre mundësinë të shpreheshin në lidhje me preferencat e tyre dhe më pas ministri propozoi këto vende vakante në varësi të organikave që ai dispononte.
Kjo ishte një procedurë që nuk ishte bërë asnjë vit dhe ishte diçka shumë pozitive, pasi është kusht i çdo procesi të rregullt ligjor, që para se të marrësh një vendim për dikë, duhet t`i japësh atij mundësinë të shprehet dhe të dëgjohet për opsionet e tij. Ministri i Drejtësisë si një ish-magjistrat e respektoi me rigorozitet këtë parim të rëndësishëm të sistemit demokratik.
Por në këtë mbledhje të datës 24. 12. 2009, KLD-ja nën diktatin e Spahiut, i rrëzoi vendet vakante për emërimin përfundimtar të studentëve të magjistraturës, të propozuara nga Ministri i Drejtësisë me arsyetimin se Ministri i Drejtësisë kishte shkelur procedurën, pasi paraprakisht duhej të kishte bërë riorganizimin e gjykatave në rang Republike, ku të përcaktohej numri i përgjithshëm i gjyqtarëve për çdo gjykatë. Absurditeti i këtij vendimi ishte se edhe pse sipas KLD të 10 vendet ishin nxjerrë nga Ministri në shkelje të procedurës, për 6 vende kishin qenë dakord ti kalonin dhe konkretisht: 2 në Korçë, 2 në Fier, 1 në Lushnjë dhe 1 në Shkodër, kurse për 4 vendet e tjera të propozuara nga Ministri, nuk kishin qenë dakord.
11 vende vakante pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, në dispozicion të 10 magjistratëve kandidatë për gjyqtarë
2 (dy) vende pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Korçë
2 (dy) vende pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Kavajë
2 (dy) vende pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Fier
2 (dy) vende pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Krujë
1 (një) vend pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Lushnjë
1 (një) vend pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Shkodër
1 (një) vend pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Gjirokastër