LSI-ja: Protesta hipokrite e koalicionit të lakuriqëve është për të qeshur
TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar menjëherë ndaj akuzave të hedhura nga kryetari socialist Rama dhe aleatet e tij porsa i përket tubimit paralel që kjo forcë politike do të organizojë në 15 mars por në një orar të ndryshëm për ngjarjen
e Gërdecit.
Nënkryetari i LSI, Dritan Prifti u shpreh dje se “koalicioni i lakuriqëve, koalicioni i partive të dushkut, koalicioni i të punësuarve në bashkinë e Tiranës, siç është familja Gjinushi, djali dhe gruaja e tij, do të bëjë një protestë hipokrite për të mos harruar Gërdecin”.
Sipas Prifti, kjo protestë e PS-së vjen në një kohë kur “ishte Edi Rama ai që i rrahu shpatullat Sali Berishës ditën e tragjedisë së Gërdecit dhe që nuk lejonte partinë e tij të kërkonte dorëheqjen e Sali Berishës për Gërdecin. Ishte Edi Rama dhe PS ata që nuk i dhanë firmat për Komisionin Hetimor parlamentar për Gërdecin. Pra realisht ky koalicion hipokritësh do të dalë në një protestë për të treguar hipokrizinë e vet dhe asnjë gjë më shumë. Njerëzit kanë për të qeshur me protestën lakuriqe të Edi Ramës”, përfundoi Prifti