E Diel, 1 Nëntor 2026

KE akordon 60 milionë euro për një vit projektesh të qeverisë shqiptare

Ministrja Bregu dhe Ambasadori Lohan nënshkruajnë marrëveshjen e dytë financiare të Para-Anëtarësimit në BE (IPA 2008)
 
TIRANE - Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu dhe Ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan nënshkruan dje grandin e dytë alokuar vendit tonë në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit IPA, si dhe marrëveshjen e financimit për projektin prej 3.120 milionë euro për rigjallërimin dhe rikthimin e normalitetit në fshatin e Gërdecit
Duke informuar për këtë marrëveshje, Ambasadori Lohan vuri në dukje se “projekti synon rikthimin e normalitetit në fshatin e Gërdecit, i cili u shkatërrua vitin e kaluar nga shpërthimi në njësinë e çmontimit të armëve”.
“Fushat kryesore të ndërhyrjes do të jenë infrastruktura, arsimi, furnizimi me ujë dhe mjedisi. Për sa i përket infrastrukturës do të rindërtohen plotësisht rruga kryesore dhe rrugët e brendshme të fshatit Marqinet 1 dhe lagjes Llanaj. Gjithashtu do të ndërtohet një shkollë e re e cila do të përfshijë një fushë sporti dhe një palestër”, tha ambasadori Lohan.
Gjithashtu, sipas tij do të përmirësohet ndjeshëm furnizimi me ujë i fshatit, si dhe do të rindërtohen sistemet e kanalizimeve të ujërave të zeza në këtë zonë.
Ambasadori Lohan vuri në dukje se aktivitetet e këtij projekti janë hartuar në mënyrë të tillë që të jenë të ndjeshme ndaj mjedisit, ndaj dhe kontrolli i ndotjes dhe monitorimi i mjedisit në zonat e prekura nga shpërthimi do të jenë pjesë e rëndësishme e projektit. 
Ndërkohë, në kuadrin e Programit IPA 2008, vendit tonë i jepet një grand me një shumë totale prej 60.917 milion euro, 10 milion me tepër se IPA 2007.
Mbështetja financiare për 24 projektet e programit do të konsistojë në mbështetje për përmbushjen e kërkesave politike dhe atyre social-ekonomike, mbështetje në rritjen e aftësisë për të përballuar detyrimet e anëtarësimit, si dhe mbështetje për pjesëmarrjen në Programet Komunitare. Më konkretisht 19 milionë euro nga buxheti total, do të mbështesë kryesisht reformën aktuale të administratës publike, nëpërmjet mbështetjes për Departamentin e Administratës Publike, si dhe me qëllim përmirësimin e kapaciteteve administrative të Shqipërisë, do t’u jepet asistencë për menaxhimin e procesit të zbatimit të MSA-së strukturave të koordinimit të përgjithshëm, si Ministrisë së Integrimit Evropian, Këshillit të Ministrave dhe Ministrive të Linjës. Rreth 22 milion euro prej buxhetit total i dedikohet vazhdimit të mbështetjes për reformat strukturore në vend, nëpërmjet aktiviteteve për zhvillimin rajonal, si dhe mbështetjes për përmirësimin e menaxhimit dhe kushteve e rrugëve sekondare dhe lokale, për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Arsimin, duke i kushtuar vëmendje të veçantë në forcimin e shkollave të Formimit Profesional.
IPA 2008 kontribuon edhe për harmonizimin e procedurave doganore me standardet e BE-së si dhe do të mbështetet sistemi gjyqësor nëpërmjet ndërtimit të një qendre paraburgimi në Shkodër. Asistenca e mëtejshme do të mbështesë masat antikorrupsion dhe forcimin e menaxhimit financiar publik, veçanërisht të sistemit të Thesarit dhe Prokurimit publik
24 milion euro, shkojnë për përmirësimin e aftësive të kapaciteteve administrative dhe respektimin e kërkesave të MSA-së në lidhje me të drejtën e autorit, metrologjinë, konkurrencën, ndihmën mjekësore dhe aviacionin civil. Nën këtë kriter, IPA do të mbështesë gjithashtu edhe krijimin e një strategjie të zhvillimit rural dhe të strukturave përkatëse, sistemin e monitorimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes (peshkimi), edhe në fushën e transportit: rrugët interurbane transurbane dhe porti i Shëngjinit.
Në lidhje me pjesëmarrjen në Programet Komunitare CIP, FP7 dhe Evropa për Qytetarët, Shqipëria do të mbështetet me rreth 1.2 milion euro nga buxheti total i Programit IPA 2008.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›