E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, marrëveshje për koalicion të përbashkët me PSV ’91 e Petro Koçit

Meta-Koçi, apel socialistëve të braktisin Ramën e politikës së vjetër për një koalicion të ri të së majtës

Marrëveshja e nënshkruar dje përbëhet nga 3 pika kryesore në të cilat të dyja forcat politike angazhohen që të garojnë në një koalicion të përbashkët, me një program të përbashkët, por në lista të veçanta për secilin subjekt politik

TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim ka zgjeruar zgjeron koalicionin e saj të zgjedhjeve të 28 qershorit, duke nënshkruar një marrëveshjeje bashkëpunimi me Partinë Socialiste të Vërtetë ’91 të drejtuar Petro Koçi. Kreu i LSI, Ilir Meta, e cilësoi aktin e djeshëm si një garanci me tepër për fitoren e koalicionit që ai drejton në zgjedhjet e ardhshme.
“Kjo Marrëveshje është një garanci shumë e rëndësishme për fitoren tonë më 28 qershor, sepse jo vetëm kasta e Sali Berishës do të marrë fund me votën e shqiptarëve, por nuk do të ketë as rotacion kaste. Qeverisja do t’i kthehet njerëzve, do ti kthehet qytetarëve dhe do  t’i shërbejë atyre për t’i dhënë zgjidhje problemeve më të rëndësishme dhe më jetike, në luftën kundër varfërisë”, deklaroi Meta.
Ndërkaq kreu i PSV 91 Koçi apeloi ndaj gjithë socialistëve që ti bashkohen këtij koalicioni kundër asaj që ai e etiketoi si “qeverisje të kontrollueshme” nga dy forcat e mëdha politike.
“Ne nga kjo tribunë bashkëpunimi i bëjmë thirrje të gjithë të majtëve, të gjithë socialistëve të vërtetë kudo që të jenë, që në 28 Qershor t’u drejtohen pa ngurrim kutive të votimit, për të fituar zgjedhjet, sepse zgjedhjet do t’i fitojë ai bllok politik i cili, tërheq në procesin e votimit më shumë mbështetës se sa blloku tjetër”, tha Koçi.
Marrëveshja e nënshkruar dje përbëhet nga 3 pika kryesore në të cilat të dyja forcat politike angazhohen që të garojnë në një koalicion të përbashkët, me një program të përbashkët, por në lista të veçanta për secilin subjekt politik. Ky dokument parashikon edhe që bashkëpunimi do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit në rast fitoreje.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›