Tërhiqet PD, shtyhet ndryshimi i rregullores
Shumica qeverisëse ka hequr nga kalendari miratimin e amendamenteve për heqjen e votës së fshehtë
Shqyrtimi i tre dekreteve të Topit për Gjykatën e Lartë do bëhet jashtë afateve që përcakton rregullorja
Mazhoranca tërhiqet nga heqja e votimit të fshehtë nëpërmjet ndryshimit të njëanshëm të Rregullores së Kuvendit. Ndërsa në kalendarin e punimeve trejavore ishte përfshirë që amendamentet e paraqitura nga disa deputetë demokrat për ndryshimin e rregullores të kalonin për votim në seancën e djeshme, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ndërsa kryetarja e Kuvendit nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyen, veçse ka komunikuar vendimin e shtyrjes.
Megjithatë, burime pranë Kuvendit kanë bërë të ditur se shtyrja e miratimit të ndryshimeve në këtë dokument lidhet pikërisht me situatën politike në vend dhe reagimin e faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike.
Kështu, mësohet se për të mos agravuar më tej situatën, por edhe për të dhënë mesazhin se janë pro bashkëpunimit me opozitën, drejtuesit e mazhorancës kanë vendosur që të mos nxitohen dhe të kalojnë për javën tjetër diskutimin dhe miratimin e dy amendamenteve, me anë të të cilave parashikohet votimi i hapur për dekretet e presidentit, si dhe shqyrtimi i tyre në një afat kohor tetëjavor në komision.
Gjatë këtyre ditëve opozita dhe mazhoranca janë përfshirë në një debat të ashpër lidhur me këto ndryshime, pasi, sipas të majtëve, heqja e votimit të fshehtë i jep fund demokracisë parlamentare dhe parlamentarizmit në të tërësi, ndërsa të djathtët e kanë quajtur këtë stadin më të lartë të transparencës.
or shtyrja e miratimit të këtyre ndryshimeve për javën e ardhshme ka bërë që procesi i miratimit të dekreteve të kreut të shtetit për 3 anëtarët e Gjykatës së Lartë që janë depozituar në Kuvend të dalë jashtë kornizës ligjore.
Kjo, pasi të hënën skadon afati tre javor që Komisioni i Ligjeve, sipas rregullores aktuale, ka në dispozicion për të shqyrtuar dhe miratuar raportin e 3 dekreteve të kreut të shtetit për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Kështu neni 111, pika 6, i Rregullores aktuale të Kuvendit përcakton se "në rastet kur në Kushtetutë parashikohet dhënia e pëlqimit nga Kuvendi (për dekretet), Kryetari i Kuvendit ia kalon kërkesën Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i cili e shqyrton atë dhe harton raportin përkatës brenda tre javëve".
Duke pasur parasysh se dekretet e kreut të shtetit janë marrë në dorëzim nga Komisioni i Ligjeve, pikërisht të martën e datës 1 qershor, i bie që afati trejavor brenda së cilit ky komision duhet të përfundonte këtë proces të përfundojë të hënën e datës 21 të këtij muaji.
Ndërkohë që ky komision ka përcaktuar në kalendarin e vet të punimeve që seancat dëgjimore t'i fillojë të hënën me kandidaturën e Medi Bicit dhe për t'i vazhduar më pas të martën dhe të mërkurën me dy kandidaturat e tjera dhe vetëm pasi të zhvillojë këtë procedurë do duhet të kalojë në procesin e hartimit të raportit që do t'i dërgohet seancës për miratim.
Faktikisht, mazhoranca në momentin që përcaktoi këtë kalendar të zhvillimit të seancave dëgjimore kishte parasysh pikërisht afatet e reja që do të vendoste Rregullorja që pritej të ndryshohej dje.
Megjithatë, kjo gjë nuk pritet të sjellë asnjë efekt juridik mbi tri kandidaturat, pasi Rregullorja aktuale tek përcakton afatin trejavor të shqyrtimit të dekreteve nuk përcakton asnjë pasojë se çfarë ndodh në rast se ky afat nuk respektohet. Kështu, të njëjtat burime kanë bërë të ditur se pavarësisht shkeljes së Rregullores, dekretet do të vijojnë të mbeten në fuqi dhe Kuvendi do të vijojë më pas shqyrtimin e tyre.
Kjo, sipas tyre, bëhet detyruese nga interpretimi që Gjykata Kushtetuese i ka bërë në një vendim të sajën të mëparshëm lidhur me dekretet e kreut të shtetit për emërimet e ministrave, ku ajo ka vendosur që votimi i tyre duhet të bëhet nga Kuvendi edhe pasi kalon ky afat. Kuvendi duhet të shprehë pëlqimin e vet për tre emërimet që presidenti Bamir Topi dekretoi pak javë më parë, dhe më konkretisht për Medi Bicin, Sokol Çomon dhe Vehxhi Muçmata.