E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet drafti, si dështuan negociatat

Zbardhen prapaskenat që çuan në dështimin e negociatave për arritjen e një marrëveshje midis PD dhe PS


Çfarë përmban drafti? Si u realizuan negociatat? Për çfarë u ra dakord dhe pse s'u arrit marrëveshja?


TIRANË - Zbardhen prapaskenat që çuan në dështimin e negociatave për arritjen e një marrëveshje midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Paraditen e djeshme, ishte kryetari i grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, i cili gjatë fjalës së tij të mbajtur në parlament, bëri të ditur se dy raunde negociatash nuk përfunduan me sukses, për shkak të tërheqjes së Partisë Demokratike.


Duke marrë shtysë nga kjo deklaratë e numrit dy të selisë rozë, gazeta "Shekulli" arriti të zbardhë detajet e negociatave midis dy forcave më të mëdha politike në vend, të zhvilluara jashtë vendit.


Gjithçka nisi me ftesën e dërguar nga kryetari i Grupit të Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul, dhe kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Europianë në Parlamentin Europian, Martin Schultz, për dy liderët Rama-Berisha.


Pas zhvillimit të raundit të parë të bisedimeve, ku nuk solli asnjë rezultat, ndërkombëtarët e pranishëm në takimin e zhvilluar në Strasburg, në restorant "Crocodile", u informuan mbi qëndrimet që mbajnë liderët politikë shqiptarë.


Pas takimit, komisioneri Fule bëri të ditur se ka dy javë afat për zgjidhjen e situatës politike, por nga ana tjetër, kreu i mazhorancës, Sali Berisha, e mohoi një gjë të tillë.


Negociatat


Sigurisht, situata nga ndërkombëtarët nuk u la me kaq. Kështu që, kryetarët e grupit të PPE dhe PSE, Joseph Daul dhe Martin Schultz, ndërmorën sërish iniciativa për arritjen e një konsensusi midis PD-PS. Me ftesë të tyre, ekspertë nga të ndyja partitë e mëdha politike iu drejtuan sërish Strasburgut për të bërë të mundur negocimin e një marrëveshjeve.


Në tavolinën e bisedimeve e organizuar disa ditë pas takimit të dy liderëve në po të njëjtin qytet, ishin të pranishëm Oerd Bylykbashi, si përfaqësues i PD dhe nga PS, deputeti Arben Ahmetaj. Mësohet se në raundin e parë të bisedimeve, palët kanë diskutuar mundësitë për zgjidhjen e kompromisit.


PD-PS kanë paraqitur opsionet e tyre për zgjidhjen e situatës politike. Palët në kërkimin e zgjidhjes, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e dy grupimeve të Parlamentit Europian, në negocimin e tavolinës së ekspertëve u dukën shumë pranë një zgjidhje.


Opsioni i cili, sipas burimeve, u duk i pranueshëm nga të dyja palët ishte që të hapeshin kutitë e materialeve zgjedhore dhe ndërsa hetoheshin ato, çështja e kutive të fletëve të votimit t'i drejtohej Gjykatës Kushtetuese.


Më tej, u ra dakord parimisht që Gjykata Kushtetuese të kërkojë mendimin e Komisionit të Venecias dhe më pas vendimi që do të marrë Kushtetuesja do të pranohet nga Partia Socialiste.


Madje socialistët u shprehën se nuk kishin preferenca se kush e dërgonte çështjen në Komisionin e Venecias, mjafton që ky komision ta shqyrtonte. Ky draft-marrëveshje, i shumëpërfolur ditët e fundit në jetën politike shqiptare, u duk se do të ishte zgjidhja e krizës politike.


Pas përfundimit të negociatave, palët iu drejtuan Shqipërisë për të njoftuar krerët e partive të tyre mbi atë që u arrit në këtë takim.


Dështimi


Ndërsa dukej se situata do të merrte zgjidhje, gjërat nuk shkuan pikërisht siç ishte rënë dakord në takimin e parë midis ekspertëve të PD-PS. Pak ditë më vonë, kryetari i Grupit të Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, Joseph Daul dhe kryetar i Grupit të Partisë së Socialistëve Europianë në Parlamentin Europian, Martin Schultz, ftuan sërish ekspertët për të dhënë "OK" përfundimtar mbi draftin për zgjidhjen e krizës politike.


Ndërsa dy ekspertët iu drejtuan sërish raundit të dytë të negociatave jashtë vendit, gjërat kishin ndryshuar. Mësohet se raundi i dytë i bisedimeve solli tërheqjen e Partisë Demokratike nga ajo çfarë u la paraprakisht për arritjen e një marrëveshjeje. Pakti final i ofruar për kompromis për të dyja palët nuk u pranua nga Partia Demokratike.


Në takimin e dytë, përfaqësuesi i PD tha se për hapjen e kutive duhet të zbatohet neni 176 pika 8 i Kodit Zgjedhor. Sipas këtij neni, nëse kutitë e materialeve do të hapen, kutitë e fletëve të votimit do të digjen.


Kjo zgjidhje e ofruar nga demokratët, e cila është paraqitur prej kohësh edhe nga vetë kryeministri Berisha, nuk u pranua nga socialistët. Edhe vetë ndërkombëtarët nuk ishin dakord për djegien e fletëve të votimit.


Në këtë mënyrë, palët nuk ranë dakord për miratimin e draftit përfundimtar, duke sjellë detyrimisht në këtë mënyrë dështimin e konsensusit për zgjidhjen e krizës politike.


Dy ditë më parë ishte sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PS, Arta Dade, e cila theksoi se "socialistët janë shprehur prej më se një muaji që janë dakord me draftin, i cili ka qenë edhe në duart e politikës, por duhet që Kryeministri Berisha të japë "OK" për të". Ajo shpjegoi se drafti i propozuar nga ndërkombëtarët ka qenë edhe në duart e ekspertëve respektiv, të cilët janë takuar disa herë dhe që përfaqësojnë PS dhe PD.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›