E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Ndërlikimet fiskale dhe kreditë, shqetësimi më i madh në ekonomi

Nga Fitim Zekthi

Banka e Shqipërisë tha me shqetësim në raportin e saj të fundit se presionet për përkeqësim të nivelit të inflacionit janë të mëdha dhe kanë të bëjnë kryesisht me situatën energjitike, ndërlikime fiskale dhe rritje të përshpejtuar të kreditimit. Banka tha se kriza globale financiare do të ketë efektin e saj edhe në ekonominë shqiptare, nëse ajo do të vazhdojë të thellohet. Banka përdori termin ‘ndërlikime fiskale’ për të thënë se fuqia taksapaguese e biznesit nuk është e mirë dhe se të ardhurat mund të mos jenë më si në muajt e shkuar. Mbledhja e të ardhurave është një shqetësim që e ka ngritur edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit, ku thuhej se potenciali taksapagues në Shqipëri nuk mund t’i përgjigjet kërkesave të planeve të qeverisë. Kjo do ta dobësonte pozitën e biznesit dhe do të ulte investimet e tij. Në lidhje me situatën energjitike vendi ynë ende është në krizë, pasi burimet vendase nuk mundin të japin më shumë sesa 60% të asaj që nevojitet dhe importi nuk është gjithnjë i sigurt, përpos që është shumë i shtrenjtë. Termocentrali i Vlorës nuk mund të prodhojë ende energji, madje as për dy vitet që vijnë. Çmimet e energjisë elektrike do të rriten sërish në një kohë të dytë. Banka tha se kredia për ekonominë është rritur ndjeshëm, megjithëse ajo ende, krahasuar me vendet e tjera në rajon, është e ulët. Banka i trembet faktit që shumë prej kredive të dhëna mund të shfaqen si të këqija në një kohë të caktuar dhe të vënë në vështirësi sistemin bankar. Shqetësimi më i madh në lidhje me kreditë është fakti që ato në 58 për qind të tyre janë kredi për likuiditete dhe kjo do të thotë se mundësia që ato të shfaqin probleme janë më të shumta. Veç kësaj kjo tregon edhe se ekonomia, ndonëse rrit ritmet e kredimarrjes, nuk i çon ato për investime. Ekonomia ende, sipas Bankës së Shqipërisë, është e etur për likuiditet dhe prirja ndaj kredisë me këtë destinacion është rritëse. Në lidhje me normën e inflacionit Banka tha se periudha 8-mujore janar-gusht 2008, është karakterizuar nga luhatje të ndjeshme të normës vjetore të inflacionit, i cili regjistroi mesatarisht 3,8 për qind. Që prej gushtit 2007 dhe deri në muajin qershor 2008, janë evidentuar zhvillime negative në këtë drejtim, duke mundësuar një normë inflacioni mbi nivelin e sipërm të zonës së tolerancës prej 4 për qind. Banka tha se rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregun botëror, ecuria e prodhimit bujqësor në vitin 2007 dhe rritja e çmimit të energjisë në muajin mars ’08, përbëjnë disa nga shkaqet kryesore që shpjegojnë rritjen në këtë periudhë, presioni i të cilave është ende më shumë se asnjëherë i pranishëm. Një përkeqësim i krizës botërore do ta rriste edhe më këtë presion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›