Dilema e PD, Materazzi apo Bogdani?
Është e diel. Po shohim ndeshjet. Politika e vjetër, përfaqësuar nga Maldini, i cili ka luajtur ndeshjen e parë që në kohën kur Enveri ka qenë gjallë dhe Nexhmia përjetonte lulëzimin e saj seksual, në kohën kur Sala ka qenë ende student dhe hante musaka, herë të shoqëruar me djathë të bardhë nga qyteti N., dhe herë të pashoqëruar nga ky djathë me origjinë fisnike. Në atë kohë ende nuk kishte lindur Klodian Burri, por kishte lindur Krishti i ri. Nga dishepujt e Krishtit të ri, vetëm Juda Iskarioti, që ende nuk kishte filluar të vidhte, kishte lindur. Çfarë duam të themi me këtë???
Koha e Luftës së Ftohtë midis shkollave të mendimit, asaj tropojane dhe asaj nga Skrapari, një përplasje galaktikëformuese që nuk do të kishte rënë aspak në sy, nëse dy ditë më parë nuk do të kishte ardhur në botë Gert Bogdani, i njohur nga publiku i gjerë si kushëri i dytë i futbollistit të Kievos, dhe kunat potencial i fituesit të “Big Brother”. Atë ditë që lindi Gerti, ishte pranverë, dhe si në çdo pranverë, bashkë me çeljen e luleve duhet të ndodhte një fatkeqësi. Në Poloni pati demonstrata kundër kësaj lindjeje, por ne nuk e morëm vesh asnjëherë, sepse kishim dalë nga Traktati i Varshavës. Dishepulli i shokut E., Sulo Gradeci, i lumtur deklaroi: “Enveri po lë pas Salën, unë lë pas Gerti. Bo.
Milani shënon gol me Ronaldinhon, duke na zhgënjyer të gjithëve. Si papritur vjen lajmi që Gerti Bo ka qenë nxënës i dalluar në shkollë të mesme, edhe pse babi vet punonte në qeverinë ‘Nano’. Thashetheme qarkullojnë që Gerti Bo. ka lexuar shumë, mirëpo pyetja që lind, është: Sa ka thithur? Sa ka nxënë në kokë nga ato libra që ka lexuar…? Derisa, sipas tij, shkollat duhen ndërtuar nga një organizatë joqeveritare e jo nga shteti, i bie që lëndën e administrimit publik ta ketë marrë si valediktorian në universitetin e tij me famë botërore. Rasti i Gertit na bën të gjithëve të vëmë në dyshim aftësitë e sistemit shkollor.
Çështja tjetër që shtrohet, pas lojës së shpifur të Ibrahimoviçit, është tepër ekzistenciale. Po sikur Gerti Bo të kishte ndjekur traditën e familjes së tij fisnike dhe të hapte një ëmbëltore tradicionale tironse, dhe të shiste torta te rruga Kavajës? Kush do recitonte poemat epike të Z.Km.S.B. ? Do të kishte një vakuum institucional në qeveri, një defekt që PD, duke patur parasysh resurset që ka, zor se do ta kulmonte. Ka vdekur dhe Naim Frashëri, se po të kishte jetuar dyqind vjet, padyshim që Sala do e kishte marrë në PD dhe do e kishte kandiduar në Frashër.
Pyetja tjetër është: Si ka mundësi që një pinjoll i një familjeje të majtë militon në radhët e PD? Mos vallë ka korruptuar të papërlyerin kryeministër? Thonë që Berisha korruptohet vetëm me stilin e kohës së Enverit, nuk pranon pará, por vetëm ushqime bio, dhe torta të mbështjella me letër celofani. Dhe padyshim që do të jetë ngopur me ballakume e pastashuta të prodhuara në punishtet e familjes që ka patur konflikt korruptiv edhe me të famshmin ministër të zgrapjes, Memushin.
Vetë Gerti e pranon që po të kishte duruar dhe pak, ndoshta ballakumet e tij epshndjellëse mund t’i kishte ngrënë Edi Rama, krah të cilit Gerti Bo do të ngjante më mirë, si çun trendy, simpatik dhe i politikës së re që është.
Adriano është apsaq, megjithëse askush nuk e pranon. Te revista “Çelësi”, Sali Berisha ka nxjerrë lajmërim për një tjetër zëdhënës, i zhgënjyer nga stonimi i recitimit të Gertit. Thuhet që Sala është në negociata me Erion Bogdanin, i cili ka kërkuar një vit kohë, sa të rrëzojë nga kategoria edhe Kievon, siç ka rrëzuar çdo ekip ku ka luajtur… Sipas burimeve brenda PD dhe Kastriot Myftarajt, thuhet që arsyeja kryesore e zëvendësimit është fakti që Erion Bogdani është më simpatik, dhe më burrëror se kushëriri i tij Gerti Bo., i cili ka marrë disa nuanca rozë që në fëmijërinë e tij, kur debatonte dhe trajnohej nga programet kontroversiale të Sorosit.
Afiniteti i Gerti Bo. me “Big Brother” është i dyshimtë. Thuhet që ai është kolona e pestë dhe formon trekëndësh pushteti midis Sabatino Sumçes (gazetar nga Skrapari) Olsit dhe Noçes. Burdisso mori karton të kuq, të debatueshëm, por e mori. Si gjithmonë ngjyra e kuqe është ters, edhe për skuadrën Internazionale që luan kundër Berlusconit dhe administratorit të tij të mërzitshëm, si çdo administrator në botë. Stivi na ka qeras me Tekila, po me shumë tekila, sepse është me Milanin. Na kujtohet kënga e Çiljetës. Ndodh një ngjarje e çuditshme. Materazzi merr karton të kuq dhe... në stol. Mos vallë ka kujtuar që është orator i madh, si puna e Gerti Bo….
Editorial Note
Kemi vendosur që shkrimet me gallate t’i shkruajmë gjithnjë se bashku, që t’ia hedhim fajin njëri-tjetrit.