E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet prokuroria

Nuk i kemi sekuestruar pronat, por kemi kërkuar verifikimin e tyre

TIRANË - Prokuroria e Tiranës tërhiqet nga pronat e Erion Isufit, ish-administrator i bizneseve të serbo-boshnjakut Damir Fazliç, i cili po hetohet për pastrim të produkteve të veprës penale. Deklarata u bë nga një prej prokurorëve të çështjes “Fazliç”, i cili në seancën e djeshme gjyqësore për heqjen e masës së sekuestros, deklaroi se asetet që rezultojnë në emër të Erion Isufit nuk janë sekuestruar, por është urdhëruar verifikimi i tyre, duke rrëzuar kështu pretendimet e ish-administratorit të firmave të Fazliçit. Gjatë seancës së djeshme të procesit, ku po shqyrtohet kërkesa e Isufit për heqjen e masës së sekuestros të vendosur nga Prokuroria e Tiranës, përfaqësuesi i tij ligjor tha para gjykatës se një kërkesë e tillë është e paligjshme. Deklaratat e avokatit janë shoqëruar me debate të ashpra mes tij dhe prokurorit, pa lënë mënjanë as gjyqtarin e çështjes, të cilit i është dashur të ndërhyjë disa herë për vendosjen e qetësisë në sallë. Pretendimet e avokatit që përfaqëson ligjërisht Erion Isufin në këtë çështje gjyqësore kanë të bëjnë me heqjen e masës së sekuestros për bizneset dhe llogaritë bankare që janë në emër të kunatit të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. Por, nga ana tjetër, prokuroria thotë se dy firmat e bllokuara ku Isufi ishte aksioner, u verifikuan dhe u liruan menjëherë pas përfundimit të procedurave hetimore. Për rastin konkret organi i akuzës arsyeton se në kuadër të hetimit të çështjes me objekt “pastrimin e produkteve të veprës penale”, po verifikohen dhe llogaritë bankare të Erion Isufit, pasi prej disa vitesh ka qenë administrator i Damir Fazliçit. Sipas prokurorisë, nuk bëhet fjalë për sekuestrim pasurie, por për verifikimin e llogarive bankare, pasi ka dyshime për transferta parash nga llogaritë e serbo-boshnjakut, tek ato të ish-administratorit të tij. Menjëherë pas përfundimit të verifikimit, asetet e Isufit do të funksionojnë normalisht, në rast se nuk dalin të implikuar me ato të Fazliçit. Për të gjitha veprimet e akuzës në lidhje me verifikimin e pronave dhe aseteve të Erion Isufit në raport edhe me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës, prokuroria pritet të konkludojë me shkrim në një seancë të veçantë. Menjëherë pas publikimit të dokumenteve që hidhnin dyshime mbi aktivitetin e Damir Fazliçit në Shqipëri, Erion Isufi, ish-administratori i pronave të serbo-boshnjakut, pranoi se kishte qenë i punësuar te këto kompani, por ato nuk kishin ushtruar asnjëherë aktivitet tregtar. Pas denoncimit publik, prokuroria nisi kryesisht hetimet, duke sekuestruar pronat e Fazliçit dhe firmat e Erion Isufit, për shkak të dyshimeve se mes tyre mund të kishte shkëmbim kapitali. Për këtë çështje, Isufi kërkoi në gjykatë heqjen e masës së sekuestros, në një kohë kur kjo masë u hoq nga vetë prokuroria, pasi u verifikuan. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›