E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembet pallati i tragjedisë

Banorët: Nuk na lanë kohë të merrnim orenditë që kishin shpëtuar nga shkatërrimi

GJIROKASTËR - Banorët e pallatit që u shemb të dielën në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër nuk janë lejuar të futen në banesat e tyre, gjysmë të shkatërruara, për të marrë të paktën ato para që gjendeshin në sirtarë, veshjet e trupit, apo qoftë edhe ndonjë kujtim familjar, si fotografi etj. Në të vërtetë, ata nuk kanë qenë dakord që pallati të rrëzohej kaq shpejt, duke mos iu dhënë atyre mundësinë për të shpëtuar ato gjëra të pakta që mund të kishin ngelur nën rrënoja. “Më vjen keq që nuk na lanë 4-5 ditë kohë për të nxjerrë nga rrënojat ato gjëra që mund të ishin mes tullave dhe betonit”, thotë Sokrat Papadhopulli, një banor i pallatit. Falë profesionit të tij si gazetar, në mjediset në apartamentin e tij kishte edhe një arkiv të pasur, bibliotekë etj. “Gjithçka tani ngeli nën rrënoja, pasi nuk na dhanë mundësinë t’i largonim”, thotë Papallopulli, madje shton se nuk arritën të shpëtonin as edhe një foto të njerëzve të tyre të afërt. Ndërkohë, disa banorë të tjerë thonë se nën tulla dhe beton mund të ndodheshin edhe vlera të mëdha monetare që banorët i mbanin në shtëpi. “Kushedi sa lekë tani kanë ikur dëm mes gërmadhave, pasi nuk mundëm t’i hiqnim ato pak kursime që kishim në shtëpi”, thotë një tjetër banor i pallatit.

Mesditën e së mërkurës ka nisur shembja e kontrolluar e gërmadhave të ngelura në këmbë pas shembjes së pallatit pesëkatësh në lagjen “11 Janari” në qytetin e Gjirokastrës. Rreth orës 15:00, ekspertë të ardhur nga regjimenti i infrastrukturës në Tiranë, me një mjet tip ekskavator kanë nisur shembjen e kontrolluar të pjesëve të ngelura në këmbë pas shembjes së pallatit të dielën, ngjarje ku u regjistruan tri viktima dhe dhjetëra banorë të traumatizuar. “Pas konsultimeve me ekspertë të ardhur nga regjimenti i infrastrukturës Tiranë dhe për të shmangur dëmet e tjera të mundshme, panikun dhe pasigurinë tek banorët, u vendos që rrëzimi i objektit të mos bëhet me lëndë plasëse, por me mjete të rënda”, tha prefekti Spiro Ksera. “Në respekt të viktimave të kësaj ngjarjeje, - vijon ai, - pritëm përcjelljen e tyre për në banesën e fundit dhe përfundimin e studimit gjeologjik nga ekspertë të ardhur nga Instituti i Gjeologjisë dhe Gjeofizikës në lidhje me elementet gjeologjikë të zonës, për të vazhduar më pas punën me shembjen e objektit”. Pas shembjes së të dy krahëve të pallatit, rrënojat e ngelura ishin kthyer në rrezik serioz për jetën e banorëve që jetojnë në këtë zonë të qytetit. Për shkak të rrezikut të çarjeve të zonës, këtij operacioni i ka paraprirë një studim i bërë nga specialistë gjeologë. “Ne shkuam në vendngjarje, pamë nga afër objektin dhe u vendos që shkatërrimi i tij të bëhet me mjete të rënda”, thotë specialisti Metli Devolli. Sipas tij, kjo mënyrë shkatërrimi e pjesës së ngelur të pallatit eliminon panikun dhe pasigurinë tek banorët. “Nëpërmjet rrëzimit të gërmadhave të pallatit, në këtë mënyrë është më i thjeshtë edhe zbatimi i rregullave të sigurimit teknik”, thonë specialistët. Ekskavatori me një krah rreth 18 metra të gjatë ka nisur fillimisht shkatërrimin e pjesëve të ngelura në zonën veriore të pallati të dikurshëm. Operacioni është mbikëqyrur nga afër edhe nga efektivët e policisë, ata zjarrfikës, madje edhe nga një staf mjekësh dhe infermierësh. “Është hera e parë që në qytetin e Gjirokastrës ndodh shembja e një godine kaq të lartë në një zonë të banuar”, thotë shefi i repartit zjarrfikës, Lefter Qirici. Për të shmangur çdo ngjarje të paparashikuar gjatë operacionit për rrëzimin e pallatit, në gatishmëri do të vazhdojnë të jenë edhe efektivat e policisë, ato zjarrfikës, stafi mjekësor etj. Specialistë të gjeologjisë dhe të ndërtimit thanë se leja e ndërtimit për pallatin që u shemb është e pajustifikueshme, pasi godina ngrihet në një kodër me tokë të rrëshqitshme dhe për më tepër nuk u zbatuan kushtet teknike të ndërtimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›