Shiroka: Kosova ndali prodhimin për të marrë energjinë nga KESH-i
Ministri i Energjitikës takon homologen kosovare, Justina Shiroka Pula
Prifti: Pala kosovare, ndihmë të vlefshme në situatë të vështirë
Korporata Elektroenergjitike e Kosovës ka ndalur prodhimin e energjisë nga termocentralet e saj për të thithur energjinë e tepërt që prodhohej në Shqipëri, si shkak i prurjeve të shumta si pasojë e motit. Një fakt i tillë është pranuar nga ministrja e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, znj. Justina Shiroka Pula, pasi ajo zhvilloi një takim me homologun shqiptar, Dritan Prifti. “Jemi këtu për solidarizuar me ju, me ministrinë, me popullin shqiptar dhe për t’ju ofruar një përkrahje morale, shpirtërore, financiare dhe profesionale. Me ministrin kemi pasur një marrëveshje dhe besoj se kjo marrëveshje do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kemi të bëjmë me shumë projekte në zhvillim dhe projekte të cilat planifikojmë të zhvillohen e që janë madhore dhe strategjike për një periudhë më të gjatë. Në kuadër të këtyre marrëveshjeve, ekzistojnë edhe marrëveshje bilaterale dhe të sektorit të energjisë midis dy korporatave shumë të rëndësishme, KEK-ut dhe KESH-it, të cilat në këtë situatë shumë emergjente dhe të vështirë i janë gjendur njëra-tjetrës me ndihmën e pakufi”, - deklaroi ministrja kosovare. Nga ana e tij, ministri Prifti vlerësoi vizitën e ministres kosovare si dhe mbështetjen e dhënë nga dikasteri i saj dhe qeveria e Kosovës për përballimin e situatës. “Unë e kam falënderuar zonjën Pula për mbështetjen që na kanë dhënë, sidomos gjatë muajve të fundit, sepse Kosova është dashur të ndalonte prodhimin në një TEC të saj për të pranuar prodhimin nga Shqipëria në kushtet kur ne kishim teprica ujërash dhe duhet të prodhonim në maksimum”, - deklaroi ministri Prifti. Prifti tha se kjo gatishmëri e Kosovës, e ndërmarrjeve atje për të ndihmuar sistemin tonë energjitik dhe ndërmarrjet tona energjitike në këtë periudhë nga ne është vlerësuar shumë, sepse ka qenë vërtet një ndihmë e madhe, kur ne mesatarisht çdo ditë i është dhënë Kosovës rreth 6 milionë kilovat/orë energji, prodhim i cili ka qenë i nevojshëm për t’u bërë në mënyrë që të shkarkonim ujërat e tepërta në tre hidrocentralet tona në kaskadën e Drinit. Më pas, ai ka bërë të ditur se është diskutuar për projektet e reja të lidhjes së transmetimi midis Kosovës dhe Shqipërisë, pra për linjën e re 400 kilovolt e cila tashmë është e financuar nga qeveria gjermane, si dhe për një projekt shumë të rëndësishëm të qeverisë së Kosovës për hidrocentralin e ri të Zhurit dhe për mundësitë se si ne mund ta mbështesim këtë projekt, por pa dëmtuar disa pjesë të investimeve që bëhen në zonën shqiptare të kufirit.