Mjekët, thirrje për mbikëqyrje: Banorët rrezikohen nga sëmundjet
Situata pas përmbytjeve në Shkodër do të jetë shumë e vështirë, do të ketë nevojë për ekspertizë të vazhdueshme mjekësore. Maksim Çela, mjek radiolog në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është shprehur i shqetësuar për sëmundjet që u kanosen banorëve të zonave të përmbytura. Çela u bëri thirrje specialistëve të shëndetësisë për mbajtjen nën mbikëqyrje të gjendjes shëndetësore, pasi sipas Çelës banorët rrezikohen nga sëmundje gastrointensinale dhe respiratore.
Mjekët
Të mbledhur dje në një takim të organizuar nga QSUT-ja dhe Fakulteti i Mjekësisë, dy krerët e këtyre institucioneve, Ilir Dashi dhe Alfred Priftanji, u kanë bërë apel bluzave të bardha për të dhënë ndihmë financiare për të dëmtuarit nga përmbytjet në zonën e Shkodrës. Mjekët janë shprehur të gatshëm për dhënien e kontributit financiar, por ajo që i shqetëson më shumë ata, është shëndeti i banorëve. Madje, doktor Çela është shprehur se ka kontribuar financiarisht një javë më parë dhe ajo që duhet bërë në këto momente, është kontrolli i situatës nga afër. “Gjithsecili nga ne si mjekë të vihemi në gatishmëri për të punuar për një periudhë të caktuar kohe në zonën e Shkodrës. Unë jam më se i predispozuar që të shkoj e të punoj një javë pa asnjë lloj shpërblimi. Këtë e konsideroj ndihmë profesionale, pasi këtyre banorëve u rrezikohet prekja nga sëmundje gastrointensinale dhe respiratore”, - tha Maksim Çela, mjek radiolog në QSUT.
Ndihma
Dashi dhe Priftanji u kanë kërkuar shefave të shërbimeve të QSUT-së që të hartojnë listat me emrat e punonjësve të pavijoneve të tyre që duan të ndihmojnë financiarisht të dëmtuarit. “Këto lista do të vijnë në Drejtorinë e QSUT-së dhe pjesa që mjekët dhe infermierët do duan të japin në formë ndihme, do t’u mbahet nga pagesa mujore”, - tha Dashi.
Gjithashtu, shuma përkatëse e ofruar me vullnet të lirë sipas dëshirës dhe mundësisë të gjithsecilit prej mjekëve të QSUT do të mbahet nga paga e tyre mujore. Ndërkohë, drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bëri të ditur po sot se për të përballuar çdo situatë emergjence shëndetësore nga gjendja e krijuar nga përmbytjet në veri të vendit, është mbajtur gjatë gjithë kësaj kohe, “Regjimi i gatishmërisë”, njësoj si ditët e fundit të muajit dhjetor për shkak te gripit te derrit dhe incidenteve te mund te krijoheshin për shkak te festave.
QSUT në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ka hartuar një plan masash për përballimin e çdo lloj emergjence të mundur, që mund të krijohet në zonat e përmbytura, për të dërguar atje personel mjekësor, në rast nevoje. Në varësi të situatave, personeli mjekësor që është në gjendje gatishmërie këto ditë, përbëhet nga mjekë të përgjithshëm, mjekë kirurgë, reanimatorë, mjekë infeksionistë, infermierë etj.