E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skafisti, porosi nga Greqia për të trafikuar drogë

Prokuroria mbyll hetimin për skafistin e arrestuar me 300 kg marijuanë që vinte nga Lazarati me destinacion Igumenicën

Drejtuesi i skafit, u arrestua teksa ngarkoheshin 12 çanta me hashash, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij mundën të largoheshin me not

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë gjykatës përkatëse dosjen penale në ngarkim të "skafistit" sarandjot Ervis Preja, i akuzuar për "trafik të lëndëve narkotike" në bashkëpunim. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të akuzës dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku edhe është caktuar trupi gjykues i kryesuar nga Bardhyl Dhamo për shqyrtimin e çështjes.

Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga prokurorja Erviola Stoja, i pandehuri Preja ishte paguar me 1 mijë euro për të drejtuar skafin nga bregdeti i Igumenicës, deri në afërsi të Ksamilit në Shqipëri, ku do ngarkonte drogën dhe më pas të kthehej përsëri në Igumenicë me hashashin në bord.

"Nga hetimet disa mujore ka rezultuar se i pandehuri Ervis Preja ishte kontaktuar nga një shqiptar që jetonte në Igumenicë, ku i kishte kërkuar të drejtonte nga Greqia në Shqipëri, një skaf me një motor prej 250 kuajsh fuqi për të marrë një ngarkesë me hashash.

Mësohet se për këtë "punë" i riu sarandjot, do merrte 1 mijë euro kur do të dorëzonte mallin në bregdetin e Igumenicës përballë ishullit të Korfuzit. Me 26 prill të vitit të kaluar, rreth orës 21:00 të mbrëmjes, një mjet lundrimi është identifikuar nga radarët e rojeve bregdetare në afërsi të plazhit të Ksamilit për të cilin kanë njoftuar policinë e Komisariatit të Sarandës.

Policia është nisur për të kontrolluar zonën, dhe në afërsi të vendit të quajtur Pema e Thatë pranë Ksamilit është vërejtur mjeti lundrues i ankoruar në breg, në të cilin po ngarkoheshin disa çanta të zeza. Policia ka ndërhyrë në momentin që po ngarkohej në skaf çanta e 12- të, e mbushur me hashash.

Në këtë moment është arrestuar edhe Elvis Preja në flagrancë. Ndërsa, dy personat e tjerë që mendohet se janë shqiptarë dhe që po ndihmonin Prejen në ngarkimin e hashashit kanë mundur të largohen me not",-thuhet në dosje.

Për personat e tjerë të dyshuar si pjesë të këtij rrjeti është ndarë çështja për vazhdimin e hetimeve. Ndërkohë, nga hetimet e kryera ka rezultuar se hashashi i sekuestruar peshonte 300 kg dhe ishte sjellë nga fshati Lazarat i Gjirokastrës.

Pas arrestimit të Prejes, ky i fundit ka pranuar të rrëfehet duke treguar destinacionin e drogës dhe pagesën që do merrte, por pa treguar emrat e bashkëpunëtorëve të tij, të cilët e kishin punësuar kundrejt 1 mijë euro për dërgimin e 12 çantave hashash që mbanin brenda nga 25 kg drogë. Ndërkohë, skafi i sekuestruar rezulton se është në pronësi të një shtetasi grek nga Igumenica, për të cilin është dërguar letër-porosi në shtetin fqinjë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›