E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, trafiku i njerëzve, 5 në pranga

OPERACIONI/ Policia arreston 5 persona për bashkëpunim në dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit

Të arrestuarit përfitonin 700 - 1000 euro për çdo person që arrinin ta çonin me mjetet e tyre në shtetin grek

BERAT - Pesë persona janë ndaluar nga policia, ndërsa akuzohen se janë pjesë e një grupi i cili në mënyrë të organizuar transportonte njerëz të ndryshëm për në shtetin grek. Arrestimi ka ndodhur një ditë më parë gjatë operacionit policor të koduar "Devolli", organizuar nga Sektori Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Beratit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, në përfundim të të cilit 5 persona u vunë në pranga dhe një tjetër u shpall në kërkim.

Burime zyrtare nga policia konfirmojnë se janë arrestuar shtetasit: Skënder Bejdo, 42 vjeç, nga fshati Gegë i rrethit Kuçovë, Ferdi Toska, 35 vjeç, banor në lagjen "11 Janari" në qytetin e Kuçovës, Tomorr Qevani, 44 vjeç, banor në fshatin Sheqëz të rrethit Berat, Fation Kapedani, 19 vjeç, banor në fshatin Lapardha të rrethit Berat dhe 57-vjeçarin Muharrem Muhaj, nga fshati Portëz i rrethit të Fierit, i cili ka qenë i dënuar një herë më parë për kanosje. I vetmi që ka mundur t'iu shpëtojë prangave të policisë ka qenë 36-vjeçari Asim Cepa nga Kuçova, i cili në momentin e aksionit final nuk ka qenë në banesë dhe ka mundur të largohet, ndërsa rezulton person i shpallur në kërkim.

Sipas informacioneve të siguruara në Drejtorinë e Policisë së Beratit, arrestimi i këtyre personave dhe shkatërrimi i këtij grupi kriminal, u mundësua pas një pune hetimore 1-mujore të strukturave të Sektorit Kundër Krimit të Organizuar, nën operacionin e koduar "Devolli". Gjithmonë sipas policisë, ky grup prej disa kohësh merrej me organizimin dhe bashkëpunimin për kalim të paligjshëm të kufirit të shtetasve të
ndryshëm kundrejt një shpërblimi që varionte nga 700 - 1000 euro për person.

Kjo veprimtari e tyre është ndjekur dhe survejuar sistematikisht nga specialistët e policisë, të cilët duke përdorur metoda hetimore speciale kanë mundur të sigurojnë provat për veprimtarinë e këtyre shtetasve.
Në momentin e ndalimit, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 automjete - vetura, 200 mijë lekë të reja, 700 euro dhe 6 celularë.

Sipas bluve, gjashtë personat grumbullonin, organizonin dhe transportonin në mënyrë të paligjshme jashtë kufirit, në drejtim të shtetit grek, me mjetet e tyre, shtetas të ndryshëm nga Berati, Shkodra, Kuçova, Elbasani, Gramshi etj. të cilëve u merrnin nga 700 - 1000 euro, në varësi të mundësive. Tashmë që janë nën prangat e policisë, ata akuzohen për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit në bashkëpunim dhe nxjerrje fitimi në mënyrë të paligjshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›