Tërmet 8.6 ballë në Indonezi, alarm për cunami
Një tërmet i fuqishëm ka goditur Indonezinë, duke lëshuar menjëherë alarmin për cunami. Tërmeti me magnitudë 8.6 ballë e shkallës Rihter goditi provincën veriore Aceh.
Qendra për Paralajmërimet e Cunamit në Paqësor njoftoi se nuk ka ende informacion nëse nga tërmeti mund të jetë aktivizuar ndonjë cunam, por këshilloi të merren masat e nevojshme.
Rajoni në fjalë është një zonë që goditet rregullisht nga tërmetet. Cunami i vitit 2004 në këtë zonë shkaktoi 170mijë viktima.
Qendra për paralajmërimin e cunameve tha se tërmetet e një magnitude të tillë kanë potencialin për të gjeneruar cuname shkatërruese që mund të prekin brigjet e Oqeanit Indian. Lëkundjet janë ndier edhe në Singapor, Tailandë dhe Indi.
Nuk ka ende informacione për viktima apo dëme nga tërmeti. / Gazmira Ndoja