Tërmeti ballkanik ka rreze të gjatë
Ndërkohë që kosovarët e gëzuar në Prishtinë kërcenin përpara statujës me emrin Newborn në kryeqytetin e shtetit të sapolindur të Kosovës për të festuar pavarësinë e shumëpritur më 17 shkurt 2008, shumë drejtues politikë në botë i shihnin këto ngjarje me ndjenja të ndryshme.
Shqetësimi i tyre kryesor ishte që dhënia e pavarësisë një ish-krahine mund të nxiste lëvizjet shkëputëse në mbarë botën dhe të mos ishte një rast sui generis siç kishin ngulë këmbë mbështetësit evropianë të Kosovës.
Debati mbi “precedentin e Kosovës” u rigjallërua në gusht 2008, kur forcat ruse marshuan mbi rajonet rebele gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore. Konflikti mbaroi me pranimin e pavarësisë së enklavave nga Rusia dhe me dhënien e shembullit të Kosovës si justifikim për këtë.
“Ne kemi argumentuar vazhdimisht që do të ishte e pamundur t’u thoje abkhazëve dhe osetianëve se ajo që ishte mirë për Kosovën nuk ishte mirë për ta,” shkroi më 27 gusht 2008 presidenti rus Dmitry Medvedev në Financial Times.
Mbrojtësit e vetëvendosjes së rajoneve dhe krahinave të ndryshme i bëjnë jehonë këtyre ndjenjave. Disa studime llogarisin që ka mbi 200 lëvizje shkëputëse në mbarë botën.
Disa nga më të rëndësishmet prej këtyre janë në Evropë. Në Britani janë lëvizjet e pavarësisë skoceze dhe uellsiane si dhe lëvizja për të bashkuar Irlandën e Veriut me Republikën e Irlandës. Në Spanjë janë lëvizjet katalane dhe baske, ndërsa në Grinlandë shumë veta po kërkojnë pavarësinë nga Danimarka. Mandej, është lëvizja nga Qiproja turke në veri dhe Transdnistria, shtete de facto të pavarura, që kërkojnë njohje ndërkombëtare për ndarjen e tyre faktike përkatësisht nga Qiproja dhe Moldavia.
Në Kaukaz, jashta enklavave të sipërpërmendura gjeorgjianë, ka një konflikt të pazgjidhur në krahinën armene Nagorni Karabak në Azerbajxhan, ndërsa ka lëvizje separatiste në republikat ruse të Çeçenisë dhe Dagestanit. Në Kinë janë lëvizjet për pavarësi tibetiane dhe ujgure (Xinjiang), ndërsa në Afrikë vazhdojnë konfliktet mbi Saharanë Perëndimore në Marok dhe Sudanin e jugut. Ndërkohë, nacionalizmi kurd përfshin disa shtete: Turqinë, Irakun dhe Sirinë.
Megjithatë, mbasi udhëton në dy vende krejtësisht të ndryshme ku ka lëvizje të forta shkëputëse, në Abkhazi dhe Rajonin Bask, duket se tani për tani frikat ndërkombëtare për ndikimin e pavarësisë së Kosovës janë të pambështetura. Separatistët sigurisht që janë të interesuar në ngjarjet në Kosovë dhe marrin guxim prej tyre. Po ka pak dëshmi se pavarësia e Kosovës apo pranimi i saj t’i kenë nxitur në mënyrë domethënëse perspektivat e tyre për shtetësi.
Nëse e ka Kosova, pse jo Abkhazia?
Në urën mbi lumin Ingur, pika e vetme e hyrjes në Abkhazi nga Gjeorgjia, qëndron një përmendore e një pistolete me tytën e lidhur me litar. Ngritur si simbol i çarmatimit, ajo është version më i vogël i skulpturës Arma e lidhur të artistit suedez Carl Fredrik Reutersward. Ajo shpreh aspiratën për paqe të banorëve të këtij vendi të papranuar ndërkombëtarisht.
Por paqja e vërtetë ende është vegimtare për këtë tokë të trazuar. Rrugët e prishura të kryeqytetit Sukhumi tregojnë një vend që ka dalë dje nga lufta, megjithëse lufta kundër Gjeorgjisë mbaroi në vitin 1993.
Në të dy cepat e urës, ushtarët rusë – arkitektët dhe mbështetësit e pavarësisë së Abkhazisë, presin në makina të blinduara me ngjyrë të bardhë, duke vëzhguar njerëzit e paktë që kalojnë urën. Ata ruajnë paqen përgjatë kufirit administrativ me Gjeorgjinë, megjithëse përçmohen nga gjeorgjianët që nuk i shohin si paqeruajtës të ndershëm.
Me një popullsi prej rreth 220.000 banorësh dhe kohët e fundit e njohur nga Rusia, Abkhazia e sheh Kosovën si rol të mundshëm model, me gjithë faktin se Rusia, aleate e fortë e Serbisë, e ka kundërshtuar ashpër pavarësinë e Kosovës, duke paralajmëruar se kjo do të shkaktonte një reaksion zinxhir anembanë botës.
Abkhazët nuk e krahasojnë gjendjen e tyre drejtpërdrejt me Kosovën, por përdorin argumentin e “standardit të dyfishtë” për të ngulë këmbë që ata e meritojnë të njëjtin trajtim. Me këtë ata kanë ndër mend mëtimin e Perëndimit që pranimi i Kosovës është rast sui generis që s’mund të zbatohet tjerakund.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kur ishin republika autonome brenda Gjeorgjisë, si Abkhazia ashtu edhe Osetia Jugore e shpallën pavarësinë më 1992 duke shkaktuar konflikte të armatosura që përfunduan me tërheqjen e Gjeorgjisë. Marrëveshjet e përkohëshme të paqes që u përpunuan nga Rusia rezultuan në vendosjen e forcave ruse përgjatë kufirit administrativ me Gjeorgjinë, duke ua mundësuar këtyre tokave të bëhen de facto shtete të pavarura, por pa pranim ndërkombëtar.
Edhe Kosova ishte krahinë autonome derisa drejtuesi serb Sllobodan Millosheviq ia hoqi statusin e krahinës autonome dhe e përfshiu në Serbi në fillim të viteve 1990.
Qeveria i shkeli të drejtat e shqiptarëve etnike, duke shkaktuar konflikt të armatosur me një guerrilje vendore, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kjo përfundoi në qershor 1999 kur forcat e NATO-s i detyruan policinë dhe ushtrine serbe të tërhiqeshin.
Kosova mandej u bë territor i administruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Por ç’është më e rëndësishmja, drejtuesit politikë perëndimorë u pajtuan që çdo kthim nën sovranitetin serb ishte jashtë diskutimit, duke nxitur kështu pranimin e shpejtë të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Gjeorgjianëve s’u vjen mirë të krahasohen përpjekjet e tyre për të fituar kontrollin mbi krahinat e humbura me taktikat serbe në Kosovë. “Pavarësia e Kosovës na ka shqetësuar, megjithëse këto konflikte janë të ndryshëm dhe arsyet pas tyre tjetërfare,” thotë Alexander Rondeli i Fondacionit Gjeorgjian të Studimeve Strategjike dhe Ndërkombëtare në Tbilisi. “Në Kosovë ne pamë masat ekstreme ndërmarrë nga serbët kundrejt shqiptarëve, por në Abkhazi viktimat e pastrimit etnik kanë qenë gjeorgjianët,” shton ai duke iu referuar disa qindra mijëra refugjatëve gjeorgjianë nga Abkhazia në vitet 1990.
Temur Iakobashvili, ministri i integrimit i Gjeorgjisë, nxjerr të njëjtin argument. “Nuk shoh ndonjë ngjashmëri mes Kosovës dhe Abkhazisë, këta janë konflikte të ndryshme,” thotë ai. “Kosovarët iu nënshtruan pastrimit etnik dhe këtu kjo i ka ndodhur gjeorgjianëve, që është faktor domethënës.”
Diana Chachua 22-vjeçare, refugjate gjeorgjiane nga Abkhazia, e kujton me dhimbje ditën kur Kosova shpalli pavarësinë. “E dija se do të ndodhte por prapëseprapë isha e tronditur,” kujton ajo. Gjeorgjianët rrallë udhëtuan për Abkhazi në ato ditë,” shton ajo. “Vetëm abkhazët e kalojnë atë urë.”
Qysh prej pavarësisë së Kosovës, Rusia i ka forcuar lidhjet me Osetinë Jugore dhe Abkhazinë duke hequr kontrollet kufitare dhe duke u dhënë shumë prej tyre pasaporta ruse. Valuta e tyre është rubla.
Vjacheslav Chirikba, këshilltar i politikës së jashtme i presidentit abkhaz Sergey Bagapsh, thotë se nëse Kosova e meriton shtetësinë, po kështu e meriton edhe Abkhazia. Gjatë viteve të para të BRSS-së ajo ishte republikë e pavarur sovjetike, vëren ai, dhe tashti i plotëson krejt kriteret e një shteti të pranueshëm. “Të dy faktorët kryesorë plotësohen, struktura politike dhe shtetërore si dhe qëndrueshmëria ekonomike, pra ku është problemi?” ngre pyetjen Chirikba. “Abkhazia s’do të jetë kurrë më pjesë e Gjeorgjisë,” pajtohet Maxim Gvindzhia, zv/ministër i jashtëm abkhaz. “Pavarësia për ne, si në rastin e Kosovës, është çështje e mbijetesës. Pavarësia është garancia e vetme për mbijetesën e kombit tonë.”
Ndërkohë që si gjeorgjianët ashtu edhe abkhazët heqin paralele mes gjendjes së tyre dhe Serbisë e Kosovës, pak ekspertë të jashtëm besojnë se ngjarjet në Kosovë ushtruan ndonjë ndikim të prekshëm në Kaukaz, apo që shkaktuan luftën në Osetinë Jugore.
Lufta pesëditore në Osetinë e Jugut filloi kur Gjeorgjia u përpoq të rifitonte kontrollin e rajonit më 8 gusht. Kjo lëvizje e presidentit gjeorgjian Mikhail Saakashvili nxiti një përgjigje të ashpër ushtarake nga Rusia, e cila dërgoi trupa në Gjeorgji me pretekstin e parandalimit të genocidit.
Tim Judah, ekspert i Ballkanit dhe Kaukazit, thotë se konflikti ishte i pashmangshëm, pavarësisht shpalljes së pavarësisë nga Kosova.
“Edhe nëse Kosova s’do të kishte qenë, konflikti në Osetinë Jugore nuk mund të ishte shmangur,” thotë ai. “Rusia natyrisht është shumë e interesuar në përdorimin e Kosovës si argument. Por ajo nuk është realisht e interesuar për Osetinë Jugore apo Abkhazinë, më shumë kërkon ta pengojën Gjeorgjinë të hyjë në NATO.”
George Hewitt, profesor i gjuhëve kaukaziane në London School of Oriental and African Studies, SOAS, pajtohet me këtë. “Nuk ka asnjë ndikim në rritjen e veprimtarive këtu në Kaukaz ajo çka ndodhi në Kosovë,” thotë ai. “Ngjarjet në Osetinë Jugore mund të shpjegohen më mirë nga budallallëku i NATO-s në Bukuresht,” shton ai, duke iu referuar takimit të vitit 2008 ku kërkesa e Gjeorgjisë për anëtarësim u hodh poshtë.
Model për baskët?
Ndërsa abkhazët, bashkë me armenët në Nagorni Karabak, hamendësojnë a ta shijojnë pavarësinë de facto por jo de jure, baskët përballen me një sfidë shumë më të ndryshme: si ta kthejnë paqësisht autonominë e tyre aktuale në shtetësi të plotë brenda një demokracie të zhvilluar perëndimore.
Me gjithë sulmet terroriste kryer nga lëvizja për pavarësinë baske ETA në 40 vitet e shkuara, shumë baskë tani i shohin bisedimet paqësore si rrugën e vetme drejt pavarësisë.
Ata e mirëpritën pavarësinë e Kosovës. Iratze Urizar, që punon në Bilbao për një organizatë që ndihmon të burgosurit baskë në burgjet spanjolle, thotë se nacionalistët baskë i panë ngjarjet në Kosovë si pohim të parimit të vetëvendosjes. “Njerëzit ishin shumë të lumtur për Kosovën,” thotë ajo. “Ajo që na lidh me ta është e drejta për vetëvendosje.”
Historikisht, Rajoni Bask përfshin shtatë krahina, katër në Spanjë dhe tri në Francë. Megjithëse lëvizja nacionaliste është e përhapur në të shtatat, ajo është më e fortë në krahina Alava, Biscay dhe Guipuscoa të Spanjës, që formojnë Rajonin Autonom Bask.
Qeveria autonome baske propozoi një referendum që do të kishte hapur rrugën për një referendum mbi pavarësinë, planifikuar më 2010. Gjithsesi, qeveria qendrore në Madrit iu kundërvu fort planit dhe gjykata më e lartë e Spanjës në mes të shtatorit e quajti referendumin jo-kushtetues. Konflikti mes Madridit dhe baskëve mbi referendumin përkon me një konflikt të ngjashëm për Kosovën: qeveria baske mbështet pavarësinë e Kosovës ndërsa Madridi jo.
Sipas presidentit bask Juan Jose Ibarretxe, ngjarjet në Kosovë tregojnë se e drejta e kombeve për vetëvendosje s’mund të mohohet. “Shekulli XXI është shekulli i identitetit dhe kombeve; është shekulli i respektimit të vullnetit të popujve,” tha ai në shkurt pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Një anketë e qeverisë baske tregon se 78 për qind e baskëve duan që referendumi të zhvillohet. Ata besojnë se procesi i vetëvendosjes ka filluar dhe që nuk ka kthim prapa.
“Në një epokë globalizimi, kombet e vogla duhet të pavarësohen në mënyrë që ta mbrojnë sovranitetin e tyre,” thotë Urko Aiartza Azurtza, avokat për Batasunën, parti nacionaliste e linjës së ashpër të cilën qeveria spanjolle e ka nxjerrë jashtë ligjit. “Është një proces që ka filluar dhe s’mund të ndalet.”
Nga ana tjetër qeveria spanjolle me ngulm të madh nuk pranon ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke qenë një nga pesë refuznikët e Bashkimit Evropian bashkë me Rumaninë, Sllovakinë, Greqinë dhe Qipron. Qeveria gjithashtu e mohon që shumica e baskëve e mbështesin pavarësinë, duke mëtuar se vetëm 30 për qind e duan atë.
Aitor Esteban, deputet i Partisë Nacionaliste Baske në Kuvendin e Spanjës, nuk habitet nga qëndrimi i Madridit. “Është kontradiktë, sepse nëse Kosova është vërtet përjashtim apo “rast unik” nuk do të ketë problem,” thotë ai. “Por në të vërtetë ata (qeveria spanjolle) mendojnë se kjo nuk do të përbëjë rastin e fundit të tillë dhe që shumë çështje të tjera “të nxehta” mbi kombësitë do të hapen tashti në Evropën Perëndimore.”
Kriteri për shtetësi është i paqartë
Për t’u kthyer në Kosovë, pavarësia e së cilës është pranuar nga 52 shtete deri në kohën kur po shkruhej ky artikull, njerëzit e thjeshtë janë të ndërgjegjshëm se përpjekja e tyre ka nxitë shpresa në popujt e vegjël që ndihen të shtypur, të shkelur ose të skllavëruar. “I mbështes plotësisht këto nisma për pavarësi që duken si të Kosovës, ato vende që kërkojnë pavarësi e që janë vërtet të shtypur dhe kërkojnë çlirim,” thotë Agon Hamza i diplomuar për juridik në Prishtinë.
Por ndërsa njerëzit e thjeshtë i simpatizojnë lëvizjet çlirimtare, drejtuesit e Kosovës s’pranojnë ta lënë vendin e tyre të bëhet bartës i standardit për lëvizjet e tjera çlirimtare. “Ne e kemi theksuar gjithmonë se Kosova ka të veçantat e saj,” ka thënë presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. “Ajo përfaqëson një rast sui generis dhe s’mund të përdoret si paraprijës për zonat apo rajonet e tjera në konflikt.”
Ekspertët në Kosovë kanë më shumë ngjyresa, duke thënë se është e vështirë të përkufizohen standarde sipas të cilave një popull ka të drejtë të shkëputet dhe të fillojë një ekzistencë të pavarur.
Një OJQ vendore, Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim Politikash, KIPRED, në një studim bërë publik vitin e kaluar rendit disa kritere. Këta përfshijnë kufij të përcaktuar në sistemin e mëparshëm para shpërbërjes së shtetit, praninë e një pakice etnike të nënshtruar ndaj pastrimit etnik ose dhunimeve të rënda të të drejtave të pakicave si dhe qenien e strukturave demokratike pranuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Duke i zbatuar këto teste, shqiptarët në Maqedoninë fqinje, për shembull, duken pa gjasa për ta fituar shtetin e tyre. Kjo është pavarësisht qenies së një lëvizjeje të fortë shkëputëse që daton prej fillimit të viteve 1990 dhe një konflikti të armatosur që shpërtheu më 2001 dhe ku forcat e sigurisë luftuan me guerriljet shqiptare që mëtonin se përfaqësonin 25 për qind të popullsisë.
Gjithsesi, që atëherë Maqedonia ka ecur përpara dhe është vlerësuar për menaxhimin e çështjeve të pakicave. Pas një marrveshjeje paqeje ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët nënshkruar në Ohër më 2001, luftimet përfunduan, të drejtat e pakicave janë përmirësuar dhe lëvizja separatiste është dobësuar.
Por ndërkohë që Maqedonia nuk e sheh më pavarësinë e Kosovës si kërcënim të drejtpërdrejtë dhe Shkupi kohët e fundit e njohu qeverinë e Prishtinës, ende ka frikë në Maqedoni se ndarja etnike e Kosovës (nëse veriu i sunduar nga serbët shkëputet) mund t’i frymëzojë shqiptarët maqedonas në perëndim të vendit të ndjekin të njëjtën rrugë.
“Në afat të shkurtër, nuk ka rrezik paqëndrueshmërie që mund të shkapërderdhet nga Kosova në Maqedoni,” thotë Biljana Vankovska, profesoreshë e shkencave politike dhe të mbrojtjes në Universitetin Cirili dhe Metodi në Shkup. “Por çdo fragmentarizim i vazhdueshëm rajonal si ndarja e Kosovës apo shkëputja e Republikës Srpska nga Bosnja mund t’i zhvendosë pllakat tektonike. Shumë gjëra do të varen nga interesat e ShBA-ve dhe Rusisë në rajon.”
Si pasojë, zyrtarët maqedonas këshillojnë kundër rivizatimit të kufijve në Kosovë apo Bosnjë, duke pasë frikë një ndikim të ngjashëm në Maqedoni. Në fund të fundit, Kosova edhe një herë mund të shërbejë si alibi.
“Perëndimi ka treguar politikën e jashtme etike në Kosovë dhe sot Rusia po bën të njëjtën gjë në Kaukaz,” vëren Vankovska. “Kjo po na shtyn në një botë të pasigurtë në të cilën krejt çështjet mund të zgjidhen mbi parimin se “nëse kjo mund të bëhet këtu, atëherë pse jo edhe atje? Pse të jemi ne pakicë në shtetin tuaj kur ju mund të jeni pakicë në shtetin tonë?’”
Profesor Hewitt-i thotë në analizë përfundimtare se raste të tilla s’mund të gjykohen vetëm nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar: duhet përfshirë edhe ana morale e rastit për pavarësi.
“Nëse një vend për shkak të veprimeve të veta humb të drejtën morale për ta kontrolluar atë rajon, që mundet ose jo të jetë i populluar nga një pakicë etnike, atëherë ai rajon apo pakicë etnike e ka të drejtën të kërkojë vetëvendosje,” thotë ai. “Disa ligje janë bërë për t’u shkelur.”
* Balkan Insight