Meta: Në zgjedhje me koalicion progresist
Kreu i LSI-së Ilir Meta, tha dje se partia që ai drejton do të dalë në zgjedhjet e vitit 2009 me një koalicion progresist. “Jemi të detyruar dhe të destinuar, jo vetëm të fitojmë zgjedhjet e ardhshme me një koalicion progresist, por njëkohësisht të garantojmë edhe votat e të gjithë shqiptarëve. Dy forcat e vjetra nuk mund të japin garanci për zgjedhjet e ardhshme, që kanë luajtur gjithnjë me votat e shqiptarëve”, tha Meta. Dje kryetari i LSI-së zhvilloi një takim me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në Golem. Meta u shpreh se LSI ka qenë opozita kryesore gjatë gjithë këtij viti dhe jo opozita teatrale dhe do të jemi garancia për një qeverisje progresiste për Shqipërinë dhe shqiptarët pas Qershorit të vitit të ardhshëm. Kreu i LSI-së shprehu keqardhje edhe për deklaratën më të fundit të deputetëve të PS-së, për një bojkotim të Parlamentit, në rast se do të vonohet Kodi Zgjedhor. “LSI-ja do të garantojë një qeverisje që nuk do të jetë më peng i monopoleve, sikurse ka qenë deri tani, një qeverisje, që t’i shërbejë atyre që e votojnë dhe e besojnë, që t’i shërbejë qytetarëve në mënyrë të ndershme dhe transparente, një qeverisje për njerëzit, dhe në radhë të parë për ata që kanë më shumë probleme sociale dhe që kërkojnë mbështetjen e LSI-së përmes politikave të saj” u shpreh Meta.
Duke u ndalur në zhvillimet e fundit të politikës, Meta nënvizoi se, situata në vend është duke u bërë gjithnjë dhe më kaotike. “Ju e shikoni se ai angazhim i madh i krerëve të PS-së dhe PD-së për të bërë reforma, që do çudisnin botën është tamam si ato flluskat e sapunit, sepse nuk ka pasur asnjë angazhim të vërtetë parimor midis tyre për të bërë reforma, të cilat do i shërbenin vendit. Nuk ka pasur asnjë konsensus të ndërtuar prej tyre, që ka vënë në plan të parë interesat e vendit, por ka pasur vetëm kompromise të pa principtë për interesa krejtësisht të ngushta”, tha ai. Në këtë linjë, Meta duke vazhduar më tej solli si shembull konkret, bashkëpunimin PS-PD për ndryshimin e Kushtetutës. “Eshtë e pafalshme që këta, që e akuzojnë sot Berishën për Gërdecin, janë po ata që i dhanë votat Sali Berishës për të ndryshuar Kushtetutën që donte z.Berisha më 21 prill dhe me këtë Kushtetutë që mori Berisha, e cila është në kundërshti me aspiratat e popullit shqiptar dhe me vetë Kushtetutën që shqiptarët votuan në ‘98-ën, Berisha jo vetëm që u bë shumë i fortë nga ana institucionale në raport me Parlamentin, por nisi një agresion të tërë ndaj Presidentit, ndaj gjykatave dhe ndaj Prokurorisë”, shtoi Meta. a.l.