E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: T’i shohim të djathtët si aleatë

 

Aristir Lumezi

Kreu socialist Edi Rama ka vazhduar takimet e tij në komunat e Tiranës. Në Zallherr Rama ka dialoguar me banorët e këtij fshati çështje të jetës së përditshme, por dhe të situatës politike në vend.    Kryetari Rama vuri theksin në rolin, që politika duhet të luajë si faktor dhe mundësi që njerëzit bashkërisht të diskutojnë për problemet, që nuk i zgjidhin dot vetëm, për të qëndruar krahë njëri–tjetrit, kundër të këqijave të përbashkëta. “Kjo është arsyeja, pse ne kemi ndërmarrë këtë bashkëbisedim, për të dëgjuar nga ju, hallet, shqetësimet, për të kuptuar se çfarë mund të bëjmë së bashku, për të mos premtuar atë që nuk bëjmë dot, por edhe për t’u angazhuar të bëjmë atë që premtojmë, por mbi të gjitha për të ndërtuar një forcë të re, një forcë të re qytetarësh dhe qytetaresh, përtej kufijve të vjetër, përtej mureve, hendeqeve që politika ka ngritur gjatë gjithë këtyre viteve duke u dhënë njerëzve arsye për t’u ndarë, arsye për të qenë të përçarë me njëri-tjetrin, arsye për t’u rreshtuar përballë njëri-tjetrit si armiq. Është koha që ne të komunikojmë, që të sjellim jo arsye për t’u ndarë, por arsye për t’u bashkuar, arsyet që e ardhmja na jep për të qëndruar krahë njëri–tjetrit, kundër të këqijave të përbashkëta”, tha Rama. Kreu socialist në këtë takim ka përsëritur thirrjen për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një front të përbashkët pavarësisht nëse janë socialistë apo demokratë, kur të gjithë vuajnë njësoj të njëjtat fenomene si papunësi, varfëri, pamundësi për të jetuar me punë të ndershme. “Partitë janë pa veshë, ndërkohë që ajo që unë dua është, që bashkërisht Partinë Socialiste ta kthejmë në një forcë, që ka një aftësi të veçantë dëgjimi të atyre që thonë njerëzit, të atyre që thonë ata që nuk kanë mundësi ta thonë mendimin e tyre në ekranet e televizioneve, në mikrofonat e radiove, të atyre që nuk kanë mikrofona tek dera e shtëpisë për të qarë hallin e tyre dhe që nuk ua qan kush hallin. Për këtë është politika dhe për këtë duhet të jetë në çdo sekondë e dëgjueshme Partia Socialiste”, tha Rama. Sipas tij, socialistët duhet të kuptojmë që jemi në limite. “Duhet të kuptojmë që dhe katër vjet të tjera me Sali Berishën janë humbja përfundimtare e gjeneratës sonë. Nuk ka më gjenerata jonë shpresë, në rast se Sali Berisha ka mundësi dhe katër vjet të vazhdojë shkatërrimin struktural që po i bën këtij vendi”, u shpreh Rama. Kreu socialist tha se varfërinë e përjetojnë njëlloj si të majtët ashtu dhe të djathtët, prandaj nevoja e ndryshimit vjen nga të dy krahët.  “Duhet ta mundim varfërinë, kjo është një arsye e përbashkët për të qenë bashkë socialistë e demokratë, qytetarë e qytetare të ndershëm, në çdo skaj të Shqipërisë, pa lejuar që politika e vjetër, të vazhdojë të na mbajë të ndarë e të përçarë, ndërkohë që ne kemi plot arsye, që ta shohim njëri-tjetrin si aleatë”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›